,

Berisha: Gjiknuri-Rama korrupsion me prodhimin e energjisë nga djegësi i Elbasanit. Arrestimet e sotme, meritë para së gjithash e Europolit

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia blu tha sot se, Damian Gjiknuri është përgjegjës për një mega-skandal me energjinë e djegësit të Elbasanit. Berisha tha se ky mega-skandal po injorohet nga hetimi i SPAK.

‘Me paratë e taksapaguesve shqiptare në Elbasan është parashikuar prodhimi i një termocentrali me kapacitet 2.3 megavat, dhe me detyrimin e shtetit shqiptar për të blerë energjinë e këtij impianti për 25 vite. Si kundërvlerë, taksapaguesit e vjedhur shqiptarë, merrnin gjithsej 2 përqind të energjisë, nga ky impiant që e ndërtonin me paratë e tyre, me paratë e veta. Informoj shqiptarët se nëse ky  impiant ndërtohej fund e krye me paratë e privatit, ai do ishte i detyruar që 2 përqind t’ia paguante shtetit shqiptar’, tha Berisha.

Duke komentuar arrestimet dhe operacionin e SPAK, ku në pranga ranë biznesmeni i afërt me Edi Ramën, Pëllumb Gjoka dhe zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Oltion Bistri, Berisha tha se arrestimi i Pëllumb Gjokës dhe Oltion Bistrit është meritë e Europolit.

FJALA E PLOTË

Damian Gjiknuri, njeri nga kriminelët më të damkosur në politikën shqiptare, në mbledhjen e fundit të asamblesë së mafies shtetërore më të rrezikshme në Europë, u shkarkua nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të mafies së Rilindjes.

Damian Gjiknuri është një nga figurat më kryesore të krimit në Shqipëri dhe më gjerë.

Ky famëzi është regjistruar në zhargonin e krimit për ‘tërmetin’, krimin e tmerrshëm elektoral.

Por Damian Gjiknuri është anëtar kryesor i klanit të mafies së plehrave Rama-Agaçi-Veliaj-Ahmetaj-Gjiknuri-Koka e me radhë. Firma e tij ndodhet në të gjithë dokumentacionin e vjedhjes së shekullit.

Por krahas kësaj, Damian Gjiknuri është përgjegjës direkt për dimensionin më korruptiv, atë të prodhimit të energjisë nga djegësi i Elbasanit. Dimension i injoruar në absurde tërësisht nga hetimi dhe SKAP-i i partisë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Vendimi i famshëm i datës 16 dhjetor 2014, ky vendim parashikon financimin e impiantit të përpunimit të plehrave dhe atij të prodhimit të energjisë nga qeveria, për Elbasanin është fjala.

Pra, të dyja së bashku arrijnë në vlerën 21 milionë euro sipas vendimit të qeverisë. E vërteta është se këto nuk janë koncesion, por hajdutët, mafia, klani i plehrave Rama-Agaçi-Ahmetaj-Veliaj e me radhë, një prokurim direkt me paratë e taksapaguesve, e shpalli koncesion vetëm e vetëm për të maskuar vjedhjen e tij.

Por tani le të kthehemi te aspekti i injoruar nga hetimi, ku ka dy përgjegjës direkt; Gjiknurin dhe Ramën.

Me paratë e taksapaguesve shqiptare në Elbasan është parashikuar prodhimi i një termocentrali me kapacitet 2.3 megavat, dhe me detyrimin e shtetit shqiptar për të blerë energjinë e këtij impianti për 25 vite.

Si kundërvlerë, taksapaguesit e vjedhur shqiptarë, merrnin gjithsej 2 përqind të energjisë, nga ky impiant që e ndërtonin me paratë e tyre, me paratë e veta. Informoj shqiptarët se nëse ky  impiant ndërtohej fund e krye me paratë e privatit, ai do ishte i detyruar që 2 përqind t’ia paguante shtetit shqiptar.

Kurse në rastin konkret, impianti shtetëror, i paguan 2 përqind shtetit dhe 98 përqind koncesionarit, që nuk mund të ndodhë vetëm kur është Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe hajdutët e tjerë.

Në 25 vite, kjo tejkalon disa herë vjedhjen që bëhet me impiantin e plehrave.

Në këtë prokurim direkt u shkel çdo rregull. Me një vendim të qeverisë, të gjitha HEC-et apo TEC-et me fuqi prodhuese mbi 2 megavat duhet të licencoheshin me vendim të Këshillit të Ministrave dhe hajdut Gjiknuri e dinte shumë mirë këtë.

Por ai nuk mund ta kalonte në Këshillin e Ministrave, sepse donte të ndante paratë vetë me Edi Ramën të mos bënte aksionerë të tjerë.

Në aferën e gjeneratorit të energjisë në djegësin e Elbasanit, Gjiknuri është absolutisht hajdut kryesor, bashkë me Ramën.

Ndërkohë, Gjiknuri, nëse Arben Ahmetajt ia gjetën vilën, garantoj ata të cilët mund të kenë vullnet të hetojnë se tek Gjiknuri do gjejnë hotele. Hotele jo për të fjetur, por hotele të cilat ai i ka vendosur në emrin e një tjetri, sipas burimeve që janë të gatshme të dëshmojnë edhe publikisht.

Kohë krimi, botë krimi. Kështu mund të vlerësohet kjo kohë dhe bota e këtij pushteti.

Krahas shkarkimit të Damian Gjiknurit, numrit dy të PS, sot është njoftuar arrestimi i disa krerëve të botës së krimit shtetëror dhe të lidhur me shtetin.

Sot është arrestuar Pëllumb Gjoka, një nga banditët kryesorë, një njeri, i cili me ndihmën e Edi Rramës, ka grabitur rreth 100 mijë metra katrorë në Velipojë. Thuhet, akuzohet edhe për vrasje njerëzish.

Pëllumb Gjoka ka një motel këtu, të cilit Edi Rama i ka dhënë apo donte t’i jepte 5 yje dhe kazino.

Pëllumb Gjoka ishte po kaq i afërt me Edi Rramën sa dhe vetë Damian Gjiknuri. Por mbi Pëllumbin, duhet të jemi realist, ishte Bistri.

Bistri është një nga eksponentët më kryesorë të krimit në Shqipëri dhe Ballkan. Ai drejtonte Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit. Oltion Bistri është një përbindshëm i krimit.

Nga hajdut ordiner, te autor i të gjitha llojeve të dhunimit të ligjit.

Ai zbatonte urdhrat e prokurorisë për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij në krim, ndaj edhe ata ia mbathnin lirshëm se njoftoheshin para se të ekzekutohej urdhri. Janë arrestuar dhe të tjerë në këtë grup dhe janë shumë të tjerë.

Jam këtu të njoftoj të gjithë ata që zbatojnë ligjin, do kenë mbështetjen e plotë të PD.

por jam këtu të njoftoj të gjithë shqiptarët se arrestimi i Pëllumb Gjokës dhe Oltion Bistrit dhe prokurorit Lita dhe zyrtarëve të tjerë, është meritë para së gjithash e Europolit, partnerëve tanë, të cilët kanë sjellë këtu transkriptimin e telefonave, SKY, Encrochat, EÇ, në të cilët Shqipëria del vendi më i pasur.

Në territorin e Shqipërisë janë 8 mijë përdorues telefoni, ndërtesa e Këshillit të Ministrave del në të katër anët me llamba të kuqe, aty ku vëzhgojnë.

Edhe njëherë, mirënjohje të thellë organeve të zbatimit të ligjit të vendeve të BE.

Thirrja ime është që të instalojnë njësi të posaçme, në bashkëpunim dhe po të jetë nevoja të bëjmë një ligj, që në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, të zbardhin të gjithë arkivën e tmerrshme që janë kryer me bekimin, lidhjen dhe nxitjen e politikanëve shqiptarë dhe përfitimet e tyre.

Unë thashë, duke shprehur mirënjohjen, ju informoj gjithashtu se ky është vetëm fillimi i SKY-regjistrimeve.

Akti i parë ishte atentati ndaj prokurorit Ndoja. E sollën ata të zbardhur, të plotë.

Operacioni i dytë i madh është operacioni Gjoka-Bistri-Lita. Pra, këto janë hapat e para.

Regjistrimet çojnë direkt te kreu i Meduzës dhe bashkëpunëtorët e tij.

Pyetje: Z. Berisha, ju përmendët një hotel të Damian Gjiknurit, a keni biseduar ju me dëshmitarët që ju folët dhe a kanë sjellë ndonjë provë që ju keni parë dhe mund ta paraqitni në ditët në vijim.

Sali Berisha: Meqë po më pyesni, dëshmitari është shumë i sigurtë, sepse dëshmitari ka qenë në brendi të asaj çështje. A e lexove ti arkitekten që i thotë Albana Moçka, mos i dërgo më fatura Zotos, arkitekte ajo. Ajo dha një tregues shumë të qartë se kush po paguante interiorin e vilës. Unë them që zotëria është një qytetar i guximshëm, është një njeri shumë i ndershëm dhe jam i bindur se nëse hetohet hoteli, ai mund të dëshmojë shumë në interesin më të mirë të ligjit dhe drejtësisë.

Pyetje: A keni dijeni, ky dëshmitar është  i njohur për SPAK-un?

Sali Berisha: A nuk e ke marrë vesh ti, që shqiptarët i besojnë Sali Berishës. Kanë besim tek unë, as nuk tradhtohen, unë bëj publikisht të dhënat, nuk është përgjegjësia ime, por e qytetarëve, kanë besim tek unë. Unë nuk i them njeriu mos shko në prokurori, asnjëherë s’më ke dëgjuar, por u them shkoni në prokurori dhe polici. Tani, ju e dëgjuat impiantin e energjisë. Të blejë shteti çdo 2.3 megavat, 2.55 e ka mesataren për xhepa të Ramës dhe Gjiknurit dhe nuk ka asnjë hetim, i ndërtuar me paratë e taksapaguesve dhe i quajtur koncesion. Po çfarë koncesioni, ky është prokurim direkt në kundërshtim me ligjin dhe injorohet direkt nga hetimi. Po si mund të injorohet kjo. Në një kohë që shkelet prap ligji, sepse kjo i takonte Këshillit të Ministrave dhe jo ministrit. Doni ta shikoni, këtu e kam vendimin e ministrit, ja ku është. I kemi të gjitha këtu, ky është hajdut, kriminel. Pra nuk mund të thotë kush se impianti i energjisë u imponua. Asgjë nuk është imponuar nga Zoto dhe Mërtiri. Jo morë zotëri, kjo është vepër e qeveritarëve në të cilën i jepnin 2% shtetit që e ndërtonte dhe mbanin për vete 98%. Hajdutë si këta nuk ka toka. Unë këtu me këto mbroj interesin publik, kjo  është ajo që bëj.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale