Berisha: Lutja ime është sot për çdo shqiptar. Mos harroni, çdo votë e shitur është votë për monizmin, për varfërimin tënd, për largimin e shqiptarëve!

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT PËR BULQIZËN, DEFRIM FIKU

Kjo energji, ky entuziazëm është mesazhi më i shkëlqyer, më i ngrohtë që ju i dërgoni banorëve të Bulqizës dhe mbarë Shqipërisë, në një kohë kur ata kanë nevojë më shumë se çdo gjë tjetër, për optimizëm, për besim, për energji e cila do të na çojë në fitoren e 14 majit.

Një mirënjohje të thellë të gjithë banorëve të Bulqizës, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Partisë Demokratike në 32 vite dhe dibranëve kudo që janë. 

I dashur zoti Shaqir Manjani, kryetar i PD-së, zonja Denisa Vata, kryetare e PD-së për Matin, i dashur zoti Çlirim Gjata, drejtues politik i grupit elektoral për qarkun Dibër, i dashur zoti Petrit Doda, deputet i këtij qarku.

Të dashur, Edmond, Roland dhe Përparim, ish-deputet, përfaqësues të shkëlqyer dhe qeveritarë vendorë të këtij rrethi, zonja Kalaja. 

Të dashur kandidatë për kryetarë bashkie, të Dibrës, Ismail Uka, Matit, Skënder Gjuci, Klosit, Bedri Hoxha.

Zonja dhe zotërinj, miq të dashur! 

Sot kam nder të madh të paraqes këtu para jush si kandidat për qytetar të parë, njeriun që ju në 32 vite keni mbështetur më shumë për këtë kandidaturë. Defrim Fiku është propozim i juaji, është i votuari i juaj, i besuari juaj, është zgjedhja juaj. Defrimi, Ismaili, Skënderi, Bedriu dhe të gjithë kandidatët e këtyre zgjedhjeve janë dhëndurë të lirisë, janë nuse të lirisë. Ata nuk kanë dalë nga zyra e kryetari, as nga zyra e kryesisë, por kanë dalë nga vullneti juaj dhe u them ju, se kemi shënuar një hap përpara në hapësirën e lirisë, kemi vendosur një nga standardet më të përparuara që ekziston sot në botë për forcat demokratike. 

Unë ju garantoj se ky standard do të përsoset, gjithnjë e më shumë dhe se do të jeni ju ata që do të përcaktoni qeveritarët tuaj vendorë, deputetët tuaj, drejtuesit e partisë dhe të gjithë përfaqësuesit tuaj.

Nga ana tjetër unë kam kënaqësinë që të paraqes këtu para jush Defrim Fikun, një nga intelektualët, një nga qytetarët më shembullorë të Bulqizës, me bindjen më të madhe se Defrimi me mençurinë, ndershmërinë, dashurinë dhe përkushtimin për ju dhe Bulqizën, do të bëjë të gjitha përpjekjet që të shndërrojë në shërbime, në ndryshime, në zhvillim, çdo qindarkë të taksave tuaja. Do të marrë me seriozitetin më të madh çdo propozim tuajin, çdo sugjerim, do të bëjë gjithçka për të shtuar burimet e të ardhurave, për të shtuar financimet për Bulqizën.

Me 14 maj ne votojmë ndryshimin. Defrim Fiku është kandidati i ndryshimit, ndaj dhe ky ndryshim është i një rëndësie jetike për Bulqizën, për Shqipërinë, kombin shqiptar.

Unë jam sot këtu për t’ju bërë thirrje ju, të mendoni për një moment, pse ne po shkretohemi në këtë mënyrë? Pse Bulqiza, pse Shqipëria në 8 vite ka humbur mbi 1 mln qytetarë, më shumë se 1/3 e saj? Cilido që njeh historinë e Bulqizës, historinë e Dibrës dhe të Shqipërisë, konstaton se kurrë në historinë tonë, ne nuk kemi patur shkretim të tillë. Asnjë pushtues, asnjë pushtim, asnjë luftë, asnjë fatkeqësi natyrore nuk na kanë pakësuar ne në këtë mënyrë, sa na kanë pakësuar në 8 vite. 

Jo vetëm ne, por në historinë e botës nuk do të gjeni kurrë një komb, një vend që të ketë humbur 1/3 e popullatës, në 8 vite. Polonia vendi më i dëmtuar nga lufta që ishte Lufta e Dytë Botërore, që u sulmua nga të gjitha anët, humbi 20% të popullatës, kurse ne kemi humbur nga 2014 e gjer sot, 35% të popullatës.

Atëherë, a është jetike? A është e domosdoshme që secili nga ne të bëjë pyetjen: ku po shkojmë ne kështu, çfarë duhet të bëjmë ne, duhet të pranojmë këtë rrokullisje, pothuajse këtë shfarosje? Po pse them shfarosje? Po në qoftë se në 8 vite humbëm 1/3, duhet vetëm 16 vite për të humbur të tretat e tjera që kanë mbetur dhe kjo do të ishte, akti më i pafalshëm i yni, më i pafalshëm për vendin, për kombin, për fëmijët, por më i pafalshëm edhe për ata të cilët në kushte pakrahasimisht më të vështira se ne, ranë, u flijuan, vdiqën, vetëm e vetëm që Bulqiza, Dibra, Shqipëria të mbijetojë, vetëm e vetëm që shqiptarët të mbijetojmë. A mund të dorëzohemi ne në këtë mënyrë? A na falet ne kjo gjë. Kurrën e kurrës!

Sot Shqipëria lëngon në të 4 anët e saj. Sot Shqipëria ka një thirrje dhe vetëm një thirrje: mos më braktisni! Mos më braktisni! Sot nuk ka komb tjetër mbi tokë që braktis kombin e vet si ne shqiptarët dhe ju garantoj, se nuk ka tokë dhe vend tjetër më të pasur se Shqipëria. Se këtu ku jemi ne, pak, disa qindra metra ndodhen 25 milionë ton krom, rezervë botërore kromi. Se në të 4 anët e Dibrës, rezervat janë përrallore në çdo aspekt, në turizëm, bujqësi, ujëra në çdo gjë.

Ç’po ndodh me ne atëherë? Në qoftë se shtroni këtë pyetje edhe duhet ta shtroni, unë them se shkaku më madhor është monizmi. Monizmin e parë e përjetuam, shumë nga ne e kemi të freskët. Në monizmin e parë, në u katandisëm në njerëzit e tretë më të varfër të planetit dhe kur dolëm prej tij, ne ishim në kufijtë e ekzistencës.

Pas 32 vitesh, përsëri ne jemi në monizëm, në kuptimin se të gjitha pushtetet i kontrollon një njeri. Edi Rama kontrollon sot 10% më shumë se Ramiz Aliaj në 1991 pushtetet. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se për ju nuk ka të drejta, se për qytetarët shqiptarë nuk ekziston e drejta. Kjo do të thotë se për ju nuk ka gjykata që të ju garantojnë të drejtat. Kjo do të thotë se urdhri arbitrar bën ligjin në këtë vend. Kjo do të thotë pasiguri e plotë për ju, për shqiptarët.

Çdo javë dhe ndonjëherë çdo ditë vriten njerëz të pafajshëm në batare automatiku. Në qytete shëtisin të lirë skuadra pushkatimi, ekzekutimi që merren me qira nga bandat. Kreu i ekzekutivit deklaron se: rendi është sot më i sigurtë se kurrë, në një kohë kur sot, vriten si kurrë ndonjëherë më parë. Në një kohë kur sot për herë të parë, bandat nga Edi Rama kanë licensë vrasje. 

Po cila është licensa e vrasjes? Po, në qoftë se kryeministri u thotë banditëve: hani kokën e njëri-tjetrit, atëherë policia nuk ekziston. Sepse policia është pikërisht që ata të mos i hanë kokën njëri-tjetrit, por të paraqiten para ligjit, të shkojnë para drejtësisë, të shkojnë në burg, por jo të vrasin njëri-tjetrin. Ne jemi vend që nuk kemi dënim me vdekje, se vrasin njëri-tjetrin dhe vrasin të pafajshëm, e kështu me radhë dhe rendi nuk ekziston. 

A do të vazhdojmë ne me këtë pasiguri ekstreme për qytetarët dhe vetëm për pushtetarët ka. Me këtë mungesë totale të të drejtave. 

Monizmi, ua thashë dhe njëherë, është pushteti i një njeriu. 

Në mbarë Shqipërinë sot vjedhja është bërë universale, e përgjithshme. Para disa kohësh unë pashë një fotografi ku ish-kryebashkiaku Lefter Alla, kishte shtruar një rrugë në një mënyrë origjinale që nuk kisha parë kurrë. Pllaka betoni, sigurisht që ajo ishte një çudi, por ju garantoj se Lefteri në krahasim me Edi Ramën, Belinda Ballukun, Arben Ahmetin, Erjon Veliajn, është thjeshtë një hajdut xhepi. Po, po ju them unë ju.

Po more zotëri, sepse ata vjedhin me dhjetëra dhe qindra milionë. Sepse ky monizëm po i përzë shqiptarët nga Shqipëria. Se në çdo votër po troket varfëria, se në çdo votër po troket skamja dhe dëshpërimi që sjellin ato. 

Në vitin 2013 në arritëm në një arritje historike të kemi rrogat më të larta në rajon. I meritonim, por ne jemi vendi më i pasur i rajonit. Nuk ka rajoni dhe Europa vend të pasur si ne. Absolutisht, vend me fusha nafte, vend me depozita kromi, depozita hekuri, vend me fushat më pjellore aq sa janë, me ujëra të pafundme, me brigje fantastike. Nuk ka një vend të dytë në Europë me pasuritë e Shqipërisë. Jo nuk ka.

Miqtë e mi! 

Çfarë ndodh sot? Sot kemi rrogat më të ulëta në rajon. Sot paguhemi 30-40% më pak se në Kosovë. Buxheti i Kosovës është dy herë më i ulët e kanë 2 miliardë, e kemi 4 miliardë euro. Por qeveria e Kosovës, dhe çdo qeveri, ato që i merr gjen mënyra se si të ua kthejë qytetarëve, se ato janë të qytetarëve. Qeveria nuk ka një qindarkë, nuk prodhon një qindarkë, të gjitha ato janë mundi, djersa e juaja. Janë gjithçka e juaja. 

I kthehet në rroga, i kthehet në pensione, në rrugë, në shkolla, kanalizime, ujësjellësa. Çfarë ndodh në Shqipëri. Pyeteni pak zonjën Balluku, si ka mundësi që në 8 vite në këtë qark, nuk tregon dot një rrugë të përfunduar. Si ka mundësi që nuk ndodhi asnjë ndryshim, asnjë investime në rrugë dhe Ura e Cerenecit në Peshkopi. Ura e Cerenecit në Librazhd, po si ka mundësi rruga e përfunduar Klos-Bulqizë, prej 8 vitesh pret dhe nuk përdoret? Po si ka mundësi, të injorohet në këtë mënyrë ky rreth që prodhon krom dhe ka rezerva botërore kromi?

Të gjitha këto kanë vetëm një përgjigje. Ajo nuk investon dot në rrugën Ura e Cerenecit-Peshkopi, apo Librazhd, sepse ajo investon në fushë. Ndërton 1 km rrugë me 24 mln euro. ajo kushton 2 milionë, vjedhin 22 milionë dhe kjo është e vërteta. Ajo ndërton rrugët anësore me një çmim 2.5 herë më të lartë se vetë autostrada. Ato ndërtojnë shkolla 6 mln euro, në një kohë kur shkolla kushton 700 mijë euro. 

Vjedhja është bërë universale. Këto kohë, drejtoria e Përgjithshme e Policisë merrte me qira një numër të madh makinash, 30 mijë euro për 4 vite. 30 mijë euro kushtonte secila prej këtyre makinave po të blihej. Po çfarë bëhet kështu. Po këta ndajnë paratë me pronarët e makinave. Po si ka mundësi të paguash qira aq sa e blen të re. 

Bashkia e Tiranës, të njëjtën gjë. 40 makina me 30 mijë euro qira për 4 vite, në një kohë kur ato mund të shndërroheshin në pasuri publike. Jo, jo se ndajnë paratë me pronarin. 

Kam mbjellë thotë. I them këto shembuj se këta kanë kaluar në vjedhje të hapur. Vjedhja ka plasur për fushë. Këta nuk kanë asnjë kufi, asnjë cipë, asnjë gjë. 

Kam mbjellë thotë 1 mln fidane. 1 mln fidane miqtë e mi, janë të barabartë sa për të bërë tre rreshta pemë nga derdhja e Bunës, tek kepi i Stillos, në 450 km bregdet. Këta nuk kanë asnjë kufi. Këta i quajnë qytetarët njerëz pa mend. Këta mendojnë se çdo gjë mund ti gënjejnë, mashtrojnë. Këta janë verbuar me qëndrimet që mbajnë. 

Por çfarë sjell kjo? Kjo sjell ndalimin e kohës. Si ndalon koha? Po nëse unë rrugën Cerenec-Librazhd 8 vite e le ashtu siç është, ajo vetëm shkon mbrapa dhe nuk ecën. Po kështu rrugë të tjera, po kështu vepra të tjera. E vetmja gjë që shtohet në Shqipëri janë paratë që fsheh Edi Rama me klikën e tij, me organizatën e tij kriminale. Pra, a duhet të pranojmë ne këtë vjedhje monstruoze ndaj nesh?

Pyeteni këtë zonjën Balluku kur të vijë këtu: zonjë i thoni, pse ti zbraz digat që kur ke ardhur ti ministre, ndodh zbrazja e digave në verë. Digat e kaskadës kanë një rregullore që është ligj: verës je i detyruar të ruash nivelin më të lartë të tyre. Pse? Sepse vjeshta është stinë kritike dhe nëse ti i zbraz digat, do të blesh në vjeshtë çmim me 3-4 herë më të shtrenjtë.

Këta i zbrazin në verë digat, si i zbrazin. Ua shesin sekserëve të tyre, kompani private shqiptare, ua shesin me 20-30 euro kilovatin. Këto kompani të tyre e shesin në bursë me 150-180 euro, dhe reston mbi 1001 euro e ndajnë me ministrat. Ndaj dhe këta nuk vijnë tek ju, nuk u takojnë. Këta rrinë si hije që mbushin strajcat dhe e bazojnë të gjithë fushatën në mashtrimin dhe blerjen e votave. 

Lutja ime është sot për çdo shqiptar, mos harron se, çdo votë e shitur është votë për monizmin, se çdo votë e shitur është votë për varfërimin tënd, se çdo votë e shitur është votë për largimin e shqiptarëve, është votë për shkretimin e Shqipërisë.

Nuk ka nevojë Shqipëria të bëhet turpi i dheut, tregu i votave. Shqipëria duhet të jetë vendi i vullnetit të lirë të qytetarëve të saj. Unë ju bëj thirrje, shqiptarëve të ngrihen me 14 maj sepse ata janë sot i vetmi komb në Europë dhe botë që përjetojnë një gjenocid të vërtetë nga qeveria e tyre. 

A e them unë këtë për të sulmuar kundërshtarët e mi, jo. E them këtë sepse konventa e OKB-së për gjenocidin neni 3 thotë; gjenocid është krijimi i kushteve të llogaritura për tu larguar njerëzit nga vendi i tyre. 

A nuk është kusht i llogaritur, braktisja totale e fermerëve shqiptarë? Në një kohë kur Kosova paguan fermerin për çdo prodhim, për çdo sipërfaqe për çdo shpenzim. Në një kohë kur rajoni subvencionon fermerët 6 herë më shumë se Shqipëria. Në një kohë kur edhe ato para që Shqipëria përcakton për fermerët i vjedhin zyrtarët qeveritarë dhe nuk shkojnë tek ata. 

Çfarë do të bëjmë ne? Sigurisht thotë ai, ‘Ballkani i Hapur’ fut qumështin pluhur serb, furnizo fabrikat e djathit dhe qumështit me qumësht pluhur, dhe shqiptarët falimentojnë fermat, falimentojnë kopshtet, falimentojnë bahçet. Kudo, kudo një falimentin.

Tre ditë më parë më tregonte një mik i imi, ka qenë në Korçë, drejtues në një komunë. Kishte një bahçe të mrekullueshme, model, ika tha, i preva dhe ika. Nuk kishte, nuk fitohej, dilja me zero, dilja me humbje. Po sigurisht në qoftë se ti ngre traun e doganës dhe fut kontrabandë mollët e Maqedonisë, apo të tjerë e tjerë me radhë, natyrisht mollët e Peshkopisë dhe të Korçës kanë kosto më të lartë sepse nuk i subvencionon kush, sepse nuk i ndihmon kush. 

Atëherë çdo bëjnë këta, ata i presin pemët. Nuk ndodh kund si në Shqipëri. 

Të votojmë ndryshimin dhe unë i garantoj fermerët, se qeveria e cila do të vijë pas këtyre zgjedhjeve, pa diskutim se fitorja e 14 majit do të jetë orteku që do të përmbysë regjimin e Edi Ramës.

Ndaj dhe të votojmë ne në mënyrë që të dyfishohet rroga e pensione, në mënyrë që të vendosim statusin e minatorit në standarde absolutisht evropiane më të mira. Në mënyrë që të subvencionojmë çdo fermer, për sipërfaqe për prodhim dhe shpenzime në mesataren e subvencionimeve të rajonit fillimisht, të përgjysmojmë taksat e biznesit.

Të rikthejmë qeverisjen qytetarëve. A i shifni kund me qytetarë këta? Këta kanë frikë dhe tmerr nga qytetarët, këta i urrejnë qytetarët, njëlloj si hajduti viktimën e tij. 

Ndaj dhe thirrja ime për të gjithë banorët e Bulqizës, të bashkohemi me 14 maj, të votojmë Defrim Fikun, të votojmë ndryshimin, të votojmë fitoren.

Çdo shqiptar votën e ka votë për shpëtimin e ekzistencës së kombit, çdo dibran, votën e ka votë për shpëtimin e ekzistencës së Dibrës. Edi Rama me një projekt të Enver Hoxhës do të zhdukë Dibrën. 

Ua thashë dhe në Peshkopi, po e them dhe këtu, historia kurrë nuk do të na e falë ne në qoftë se bëhemi xhemat në varrimin e Dibrës, në qoftë se pranojmë të varrosen 32 fshatra, të varroset e sotmja, e shkuara, e ardhmja e Dibrës.

Ndaj dhe këto ditë, ti shndërrojmë në ditë të një beteje për fitoren tonë, në ditë në të cilat të ulemi të takojmë, të bisedojmë, çdo demokrat, socialist, të paparti, të diskutojmë se në lojë është ekzistenca jonë, se në lojë është e ardhmja jonë, se me këto zgjedhje ne firmosim ndryshimin, ne firmosim ortekun e fuqishëm për rrëzimin e Edi Ramës.

Rrofshi ju, rroftë populli i Bulqizës, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore …

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale