/ /

Berisha me departamentet e PD: Ne do ta ndalim rënien e lirë të Shqipërisë. Qytetarët presin nga ju programet për ta.

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME DEPARTAMENTET E PD

Ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe ju përshëndes përzemërsisht të gjithëve ju këtu, Oerdin, Albanën për punën e çmuar që keni bërë.

Sot departamentet e PD, janë më të fuqishëm se asnjëherë në historinë e saj. Ato kanë zgjedhur drejtuesit e tyre me vullnetin e tyre, kanë bashkuar rreth tyre, rreth 900 specialistë të fushave përkatëse dhe janë pa asnjë mëdyshje, softi i vërtetë i programit, i qëndrimeve sipas fushave dhe qeverisjes së ardhshme të PD-së.

Në këtë takim, unë gjithashtu dua të theksoj se, një ekspozim, një paraqitje më e plotë e juaja, e kontributeve tuaja, e veprimtarive tuaja, është jashtëzakonisht e rëndësishme si detyrim i transparencës tonë para publikut, por edhe si detyrim që shqiptarët të njihen se cilat janë ekipet që sipas fushave mbështesin, hartojnë programin dhe qëndrimet e PD-së.

Ju siguroj se, së bashku këtij problemi do ti japim përgjigjen më të mirë në javët në vazhdim. Përqendrimi ynë tek departamentet, roli dhe konsolidimi i rolit të tyre ka një rëndësi të jashtëzakonshme për besueshmërinë e forcës tonë politike, për alternativat që ne do të ju paraqesim shqiptarëve, si dhe për afrimin gjithnjë e më të madh të specialistëve dhe ekspertëve më të mirë në këto departamente.

Sot janë me qindra e qindra, mos dhe mijëra specialistë të shkëlqyer të përzënë nga administrata publike. Ka prej tyre që edhe kanë shërbyer mbi 20 vite me disa kryeministra, shërbëtorë dinjitozë të vendit, dhe përzihen vetëm për faktin e thjeshtë se ata nuk firmosin për të vjedhur. Për ne ata janë shumë të çmuar.

Tre ditë më parë njihesha me historinë e njërit prej jush. 20 vite në një detyrë të rëndësishme, për ata që e konsiderojnë qeverisjen të rëndësishme, detyrë koordinimi dhe pas riorganizimeve i shkon një hajdut me një zinxhir dosjesh në prokurori, dhe i thotë tani ti, duhet të provohesh edhe njëherë në provim se ke 20 vite pa lëvizur, sepse ky natyrisht nuk firmoste, nuk firmoste vjedhjet e tij, tenderat e tij dhe si përfundim ky doli nga shërbimi.

Në vetvete ai kishte një koordinator i shkëlqyer në atë fushë që ishte. Por të tillë janë me qindra, mijëra. Janë sistemuar në sektorin privat, ju takon ju ti gjeni, ti afroni, ti qëmtoni. Ka rëndësi të jashtëzakonshme afrimi i tyre, sikundër ka rëndësi të jashtëzakonshme afrimi i të gjithë ekselencave i të gjithë atyre që duan të bashkohen me ju. Njerëz me kontribute, me ëndërra perspektiva.

Atyre që kthehen nga jashtë me idealin fisnik për ti shërbyer vendit tyre, kombit tyre, por që këtu gjejnë mure të pakapërcyeshme. Të tjerë që ju i keni njohur, janë me studime. Pra, duhet të bëjmë gjithçka që këto departamente të tërheqin, të përfshijnë, elitën më të mirë të kombit.

Kultivimi, tërheqja e një elite, është kusht themelor për të ndryshuar këtë gjendje katastrofale ku gjendet Shqipëria sot. Shqipëria është në rënie të lirë, rënie vërtetë të lirë dhe shumë e shumë besojnë se kjo nuk ndalet, shumë shtrojnë pyetjen; çfarë përgjigje, si do ti përgjigjemi kësaj situate. Të gjitha këto janë pyetje të drejta, por përgjigja është; absolutisht ne e ndalim këtë situatë. Ne kemi përgjigjet më të mira për të gjitha këto vendime që po e shkretojnë Shqipërinë.

Unë njoh shumicën dhe prapa jush shoh problematikat e tmerrshme me të cilën përballet sot, sektori juaj, kudo. Këto problematika kanë nevojë për një përgjigje emergjente. Secili nga ju krahas programit afatmesëm afatgjatë duhet të ketë paketën e emergjencës, sepse Shqipëria absolutisht në çdo fushë po rrënohet.

Para 2 vitesh një studim i Bankës Botërore tregonte se Shqipëria zinte vendin e tretë në botë për ryshfetin. Ju garantoj që sot duhet të jetë vendi i parë me distancë. Ju nuk mund të imagjinoni se si çdo ndërtim pa leje paguhet gjoba policisë, që shkon në 100, 200 mijë sipas ndërtimit. Paguhet tatimeve, paguhen taksave. Shqiptarët janë në një sistem gjobëvënie të tmerrshme.

Unë ju dhashë këtë shembull. Por nëse marrim arsimin, të gjitha format e përçmimit, diskriminimit ndaj arsimtarëve sot janë në fuqi.

Po bujqësia, në shkatërrim progresiv. Ne nuk kemi fusha të mëdha, por kemi një potencial të padiskutueshëm bujqësor, në fusha, kodra, kudo. Ne kemi një tokë të bekuar, bëhet gjithçka.

Tregtia, ‘Ballkani i hapur’ shëndetësia. A e imagjinoni ju që ne jetojmë në një qytet që ka sistemin shëndetësor më të degraduar në 10 qytetet në botë me sistemin më të degraduar. Ju e keni të vështirë ta imagjinoni, por doktor Alimehmeti e ka shumë të qartë pse.

Po të shohësh në një aspekt Tirana ka një zinxhir spitalesh të mëdha, shtetërore dhe private. Por problemi është si funksionojnë ato në raport me qytetarin. Ato kanë një disfunksion të jashtëzakonshëm, sepse mafia është bërë menaxher i tyre, i interesave të tyre, interesave të mafies.

Para se të vija këtu po shikoja një urë në Klos, mesjetë. Një rreth i cili ka përsëri rezerva botërore kromi, por që për matjanët ato janë pasuri e mallkuar, janë mallkim. Janë prishë të gjitha rrugët pothuajse me transport, kanë zhvilluar një mafie shumë të rrezikshme, e hoqi dhe rentën se e paguan. Asnjë kolonizator nuk mund të sillej në Mat në mënyrën se si sillet kjo qeveri me pasuritë e Matit. Mora shembull Matin sepse po shikoja një skenë tragjike po thuajse.

Në çdo fushë, kështu jemi sot. Ndaj dhe mendja juaj, fjala juaj, idetë tuaja. Departamentet duhet të jenë laboratori i platformave, i ideve për të cilat ka nevojë jetike PD dhe Shqipëria. Por departamentet si bashkësi ekspertësh, intelektualësh, specialistësh kanë dhe një mision tjetër të jashtëzakonshëm. Misioni i tyre është kontributi i secilit preja anëtarëve të këtyre departamenteve për të mbrojtur në çdo rast interesin publik.

Anëtarët e departamenteve janë intelektualë, por një intelektual nuk harron kurrë se nuk është profesioni ai që përbën thelbin e tij, profesioni është zanati, thelbi është mbrojtja e interesit publik. Ai është dhe qëndron i pamposhtur i interesit publik dhe këtu kemi nevojë për zërin tuaj.

Kemi nevojë për zërin tuaj kudo që jeni, kudo që ndodheni, në departamentet tuaja në universitete, në biznese, veçanërisht në media. Duhet të bëjmë gjithçka për të shpëtuar shqiptarët nga terrori nga diktatura e relativizmit.

E majta jo vetëm në Shqipëri, kudo në botë përdor relativizmin për të maskuar të gjitha krimet, mëkatet që kryen. Ju e shifni çfarë ndodh këtu. Ndjej dhimbje, keqardhje të thellë për qytetarin shqiptar i cili ulet para ekranit dhe relativiztë të paguar bëjnë gjithçka për ti fshehur të vërtetën. Mirëpo këta nuk janë pak, edhe këta janë një grup të cilët e vërteta është të themi, ndonjëherë quhen analistë, por janë lakenj të regjimit që çdo zhvillim përpiqen ta relativizojnë.

Marrim një shembull. Ka një muaj që ka shpërthyer njëra nga aferat më të mëdha të shekullit, afera Rama-McGonigal dhe publicitet në botë ka marrë më shumë se Deripaska-Gonigal. Në fund të fundit prapa Deripaskës qëndron Putini, një armik i vjetër i SHBA që kanë bërë dhe bëjnë përpjekje për ti rekrutuar njerëzit për interesa të tyre. 

Por kur e bën Shqipëria një akt të tillë, karakteri armiqësor i këtij akti bëhet shumë herë më i madh, sepse e bën një partner, një vend mik, pavarësisht se në një akt të tillë i fut një thikë në zemër, një thikë të tmerrshme në palcë marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo është e vërteta dhe kush? Një njeri që bërtiste prej 1 viti e gjysëm, etiketonte PD-në si antiamerikane, në një kohë kur ai kryente veprimet më antiamerikane që mund të ketë kryer kush pas luftës së Dytë Botërore në Europë.

Por cilat ishin mediat, një përpjekje e jashtëzakonshme se është në hetim, apo nuk është në hetim, pavarësisht se emri i tij është i shkrojtur në aktpadi 14 herë. Emri i tij i cituar qartësisht për veprime konkrete, që ka dhënë ryshfet, këshilltarët e tij aktor kryesor në këtë aferë. Angazhimi i tij për të shkatërruar opozitën. Tregu i turpshëm i black-listimeve në kryeqytetin e tij, që normalisht duhet të kishte kontroll, por nuk kishte kontroll se e kryesonte ky vetë.

Pra, ndodhin të gjitha këto dhe prap po të dëgjosh mediat, qytetari shqiptar duhet të përqendrohet mirë sepse këtu ka një diktaturë, diktatura e relativizmit, fshehjes, zbehjes, e maskimit të të vërtetës.

Nuk ka asgjë më të çmuar se zërin tuaj këtu. Zërin tuaj në media, kudo që ju jeni.

Zërin tuaj në rrjetet sociale. Ju ndiqni mediat. Kandidatët tanë nga mëngjesi në darkë në fushatë. Pse i paraqesin? Grimcat më të vogla, sikur këta nuk ekzistojnë, i fshehin. Dhe bën një veprim Erion Veliaj, ka hapësirë sa Edi Rama. Mediat janë këto që janë.

Disa prej tyre nuk mbajnë këtë qëndrim, por shumica janë të kontrolluara nga të dy këta në mënyrë mizore, më të egër.

Disa nga rrjetet janë marrë me qira nga Erion Veliaj dhe Edi Rama. Caktojnë ata se kush do të drejtojë këtë rrjet dhe atë rrjet.

Çfarë na mbetet ne, na mbetet pena juaj, mendja juaj. Sa të keni hapësirë në media, por në rrjetet ju keni hapësirë, nuk keni pengesa, ndaj dhe opozita në kushtet tona duhet të përdorë mediat sociale më të fuqishme për të përcjellë të vërtetat tek qytetarët.

Jemi në fushatë elektorale, është e domosdoshme që ju të mblidheni si departamente dhe të diskutoni për programet elektorale të kandidatëve tanë. Ka një program të përgjithshëm të partisë dhe qeverisë së ardhshme, por qytetarët duan programin e tyre. Të zgjedhurit vendorë duhet të ju ofrojnë qytetarëve përgjigjet më të mira për problematikat e tyre, për kujdesin shëndetësor në qytet, transportin, shkollat, shërbimet, pastrimin.

Të gjitha këto problematika të cilat kryebashkiakët duhet të angazhohen me të gjithë potencialin e tyre për ti zgjidhur.

Tregjet, çdo gjë që përfshin një bashki. Ne presim dhe e kemi shumë të nevojshme kontributin tuaj, idetë tuaja, projektin, platformën tuaj. Por kjo është një emergjencë sepse fushata ka filluar dhe do të ju lutesha që sipas fushave të mblidheni dhe të hartoni një program ku sipas qyteteve, sipas fushave, të ju vijmë në ndihmë kandidatëve tanë.

Ne jemi në një revolucion dhe unë prap do të ndalem këtu, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kjo është një fjalë pak si e lartë dhe jo rrallë po më thonë pse po e përdor këtë term.

Unë kam mirëkuptim për ata që më pyesin, por pse e përdor unë? Sepse ne kemi një regjim monist, monist, që ka vendosur sistemin defakto të eliminimit të votës. Ju që të gjithë e njihni procesin elektoral. Por nëse unë kryeministër mobilizoj të gjithë makinerinë shtetërore dhe ti drejton një forcë politike e matesh me mua, unë me një logjistrikë 100-herë më të madhe se tënden, me një buxhet sa buxheti i shtetit, kjo zgjedhjet i bën fiktive se zgjedhjet kanë një kusht themelor; lojtar në kushte të barabarta.

Unë ju dhashë vetëm këtë shembull, por janë të gjitha praktikat e tjera që ky ndjek kundër votës së lirë. Atëherë çfarë na mbetet ne? Na mbetet të kapitullojmë, kurrë, jo. Sepse ne absolutisht do ta largojmë nga pushteti këtë dhe ne nuk do të vijmë kurrë në pushtet përveç se me votën e lirë, por këtij nuk i ndahemi ne, jo.

Ne e kemi bërë njëherë këtë revolucion në vitin 1990-91. Kushtet janë të ndryshme, por ngjashmëritë janë reale. Edhe atëherë fituam, edhe tani do të fitojmë. Do të fitojmë. Do të fitojmë duke persisituar.

Do të fitojmë me mekanizma të mosbindjes civile. Atëherë kishim mekanizma të tjerë të fuqishëm, nuk i kemi sot ato, por prap sot ne do të përdorim të gjitha mundësitë që kemi.

Do të ju them një gjë. Që nga viti 1990, deri më sot këto janë protestat në të cilat forca politike që i organizon ka vetëm një pushtetar, ç’ka do të thotë janë masë e pafundme idealistësh që vijnë aty. Nuk i nxjerr pushteti ato, nuk i nxjerrin qeveritarët vendorë ata. Ata i nxjerr vetja e tyre, idealet e tyre, ju u nxjerrin idealet tuaja. Përkundrazi ju që vini merrni rrisqe për të dalë aty.

Ka një dallim shumë të madh me të gjitha protestat tjera, këto protesta. Pasi dorëzoi bashkinë në vitin 2011, Edi Rama nga 753 protesta që organizoi, nga ajo ditë e pas nuk organizoi dot më asnjë protestë. Për hir të së vërtetës edhe Lulzim Basha protestën e fundit që bëri, 1 javë që humbi zgjedhjet lokale, ku akoma ishin bashkitë pa u dorëzuar.

Pse e bëj këtë analizë, është frymëzuese kjo. Një ushtri e vërtetë idealistësh, por ne do të ndjekim e them edhe njëherë, revolucion paqësor, me elementë të qartë të mosbindjes civile.

Pse paqësore se ne jemi forcë demokratike, nuk jemi forcë dhune. Nuk lëkundemi ne nga ky pozicion, askush nuk mund të na intimidojë. Ua them unë këtu, kjo është çështje bindje e thellë. Edi Rama është i interesuar për dhunë. Në fakt jo vetëm ai, por edhe të tjerë, por ne jemi forcë politike e cila beson në fuqinë e lëvizjes paqësore, beson në fuqinë e mosbindjes civile.

Në këtë aspekt thirrja ime për ju, për të gjithë anëtarët e departamenteve, për të gjithë intelektualët shqiptarë, të angazhohemi në këtë lëvizje. Ti dalim zot këtij vendi në një moment më kritik. Asnjë pushtues nuk e ka shkretuar në këtë mënyrë Shqipërinë, nuk i ka pla5kitur dhe grabitur pasuritë e saj Shqipërisë, si ky regjim. Asnjë pushtues nuk i ka lënë turpet e mëdha.

Fliste çdo ditë për Amerikën dhe u tregonte të tjerëve Amerikën, në një kohë kur në terr, në errësirën e fakulteteve të tij mendore, u fuste thikën marrëdhënieve. Në këtë aspekt çdo intelektual kurrë nuk duhet të harrojë se thelbi i tij është mbrojtja e interesit publik, dhe se konformizmi do të thoshte Albert Ajnshtajn; është një rrezik më i madh se sa rreziku nuklear. Kështu që të bëjmë gjithçka, të afrojmë çdo vlerë të fushave tuaja rreth vetes tonë dhe të shkojmë të sigurtë drejt një fitoreje të këtij revolucioni që do të jetë fitore e shqiptarëve dhe e shoqërisë shqiptare.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale