/

Berisha: Nesër do të dorëzojmë të gjitha dokumentet për regjistrimin e PD-së në zgjedhje

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

Në kulmin e skandalit botëror Rama-McGonigal, Edi Rama pasi e bllokoi gjykatën për 8-9 muaj me radhë, njoftoi dje 3 ditë para mbylljes së regjistrimit të forcave politike në zgjedhje, me qëllimin e vetëm bllokimin e pjesëmarrjes së PD-së në zgjedhje, përjashtimin e saj. Një vendim i pashembullt në historinë botërore të vendeve lira, se në diktatura vendimet janë të çdo lloj karakteri.

Gjykatësit e Apelit lexuan dje një shkresë të përgatitur në zyrat e Edi Ramës dhe të dorëzuar nga zonja Elira Kokona, në të cilën ata njoftojnë, apo marrin vendimin për një proces gjyqësor, vendim gjykate në të cilin vetë ata që ishin ankuar, të turpëruar  botërisht para të gjithë audiencës së gazetarëve u detyruan të thonë se nuk kemi qenë palë.

Në çdo vend të botës, gjykatësi që gjindet para një fakti të tillë, që ka një dosje të paraqitur nga një palë për një proces gjyqësor, e cila i deklaron se nuk ka qenë palë, nuk ka asnjë akt tjetër përveç mbylljes së seancës dhe respektimit të vendimit të gjykatës së faktit, vendim i cili nuk shqyrtohet në apel në asnjë vend të lirë. Në asnjë vend të lirë vendimi i regjistrimit të partive nuk ka apelim, por në Shqipërinë e narkoshtetit të Edi Ramës, të gjitha ndodhitë janë të mundshme.

Me këtë proces politik, Edi Rama hoqi çdo maskë, ai është i tmerruar nga PD-ja dhe forca e saj. Ai mund të bashkëjetojë vetëm me një fasadë opozitë, një fasadë opozitë e cila i nënshtrohet, pranon të poshtërohet, një fasadë opozitës të cilës i ka marrë peng kryetarin, të cilës i jep urdhra, me të cilën mashtron publikun shqiptar.

Asnjë opozitë tjetër, ai nuk mund të tolerojë asnjë opozitë të vërtetë. Edhe njëherë, vendimi tre ditë para mbylljes së regjistrimeve është dëshmia më flagrante e frikës së tmerrshme që e ka kapur atë nga PD-ja.

Ne pra jemi para një situate të cilën e kemi parashikuar, se ky është një vendim i paralajmëruar, nga vetë Taulant Balla në parlamentin shqiptar, i paralajmëruar nga Olta Xhaçka e cila i tha ambasadorit të një miku të Edvinit, një javë para që gjykata ka vendosur që vulën të ua japë vasalë, veglave apo shërbëtorëve të Edvinit, të ua heq anëtarësisë, të ja heqë PD-së dhe të ja japë Edvinit.

Edi Rama një vit e gjysmë më parë, i dha Lulzim Bashës, bravën dhe brava i ngeli në derë të shtëpisë së tij, përsëri vula do të ngelet në turpin më të madh të tij, sepse vula është e anëtarëve të PD-së.

Edi Rama një kufomë politike e pakallur, e kam theksuar dhe e theksoj përsëri, është i aftë të bëjë gjithçka, të marrë çdo vendim, por çfarëdo që të bëjë nuk ka shpëtim. Ai është faktuar një armik i vërtetë i SHBA-së, me rekrutimin që i bëri kryezbuluesit të atij vendi dhe siç tha Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së dhe ministri i Drejtësisë, në Senatin e SHBA-së, se çdo njeri që paguan një nënpunës të SHBA-së për shërbime ndaj qeverisë së vendit të tij, kërcënon sigurinë e SHBA-së.

Edi Rama pagoi një nga njerëzit më kryesorë të sigurisë së SHBA-së, McGonigal. E pagoi atë direkt për interesat të pushtetit të tij. E pagoi atë për ta përdorur si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare.

Por sot demokratët, ndihen më krenarë se kurrë, sepse kundrejt këtij kurthi makbethian, kundrejt agresionit brutal nga mafia më e rrezikshme e planetit, Rama-McGonigal dhe jo vetëm ata. Gonigal kishte ekip, Dorian Duçkën, Marko Rossin, Lou Bladel që sipas Sokol Ballës merrej me dosjet e opozitës, Agron Nezën dhe të tjerë. Pra të gjitha  këto u bënë që të asgjësojnë PD-së.

E theksoj këtu në këto momente, që demokratët jo që nuk duhet të kenë as më të voglin trishtim nga kjo, por duhet të ndihen krenarë për qëndresën e tyre epike ndaj mafias më të rrezikshme të planetit, përpjekjeve kriminale supermafioze të Edi Ramës për shkatërrimin e opozitës.

Por duhet të pranomë se këto përpjekje nuk ishte vetëm McGonigal, por po kaq e angazhuar në mënyrën më të papërgjegjshme ishte edhe McGonigali me fustan ose zonja Yuri Kim, e cila ka heshtur nga 25 Janari deri më sot, për gjëmën që Gonigal u përpoq ti bënte, i kontraktuar nga  Edi Rama, opozitës.

Nuk e thotë, se e vërteta është se ajo në detyrë përdori të gjithë pushtetin e Ambasadës së SHBA-së për të mbajtur në krye të kësaj partie, Lulzim Bashën, njeriun e paguar me para ruse.

Ka një enigmë të madhe në përpjekjet e kësaj zonje. Ka një enigmë të jashtëzakonshme, si mundet që përfaqësuesja e vendit të madh të lirisë, të bëjë gjithçka, të vendosë në krye të opozitës si kryeministër alternativ, njeriun e financuar nga rusët.

I bëj thirrje inspektorit të Përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA-së dhe FBI-së, të hetojë këtë veprimtari, e cila siç ja kanë thënë në sy, jo një por disa diplomatë perëndimor, kishte qëllim të vetëm të forconte pushtetin e Edi Ramës, të forconte pushtetin e Edi Ramës, duke shkatërruar opozitën.

Pse u ndala në këtë moment? U ndala për të ju thënë demokratëve, se më të fortë se ju nuk ka opozitë në Europë. Sepse u ngritët mbi të gjitha këto, u ngritët të frymëzuar nga idealet tuaja, duke pasur si udhërrëfyes të vërtetën, dhe duke mbetur gjithnjë opozita më pro perëndimore e Rajonit, duke mbetur gjithnjë admirues të SHBA-së, vendit të lirisë.

Edi Rama me McGonigal, hoqi çdo maskë. Në video, në rrjet sociale qarkullon pa ndërprerë video në të cilën Edi Rama e kap flamurin amerikan dhe e hedh si rreckë. Çfarë e keni këtë thotë, me një urrejtje të pashpjegueshme. Nuk ka flamur që ka të drejtë që të qëndrojë më lart se ai flamur. Dhjetëra e dhjetëra mijëra amerikanë kanë rënë për lirinë e Europës në dy luftërat e mëdha, Rama e flak si leckë.

Rikthemi tek problemi i ditës, për të cilin jemi mbledhur. Në diskutimet e bëra në kryesi dhe grupe më të ngushta është arritur në përfundimin se vendimi i Apelit është një histori turpi që nuk mund të pranohet kurrë, ndaj dhe sapo të zbardhet në do të bëjmë rekurs, në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe në gjykatat Europiane të të drejtave të njeriut.

Do të bëjë rekurs sepse që nga Roma antike e deri më sot, ku ka sunduar ligji kurrë nuk është bërë palë në një gjyq, ai që nuk ka qenë palë dhe së fundmi ai që në sallën e gjyqit deklaroi se nuk ishte palë. Palë pra ishte Edi Rama me Edlira Kokonën që e kishte përdorur si postiere për letrat dhe këto, e cila ka rekorde të vërteta mafioze, të një njeriu të korruptuar, të kapur me dosje të rënda kur ka qenë në poste të tjera, ndaj dhe ajo tregohet e prirur të kryejë çdo mision.

Vetëkuptohet, nesër do të dorëzojmë të gjitha dokumentet për regjistrim. Vendimi i gjykatës deri sa të vendosë gjykata më e lartë, sepse ky vendim është plotësisht i rikursueshëm në natyrën e tij.

Por ka një arsye tjetër po kaq të fortë. Kodi zgjedhor në nenin 64, pika 2, b; përcakton që partia politike të regjistrohet, detyron që të jetë emri i kryetarit të Partisë, Adresa dhe gjithçka tjetër rreth tij. Në deklaratën e tij se nuk do të blejë vota, nuk ka parashikuar se kryetari është i blerë vetë. Se çfarë ndodh?

Edi Rama e mban dhe Lulzim Basha në një akt vetëposhtërimi të paimagjinueshëm, pasi e detyruan deputetët të japë dorëheqjen dhe e dha dorëheqjen, që nga marsi e deri më tani, tani i thotë Edi Rama që nuk ke dhënë dorëheqjen, je kryetar dhe e ngarkon me detyrë, meqenëse banaliteti shkon gjer në qiell, po u paraqite ti si kryetar, vetëm për të emëruar Enkelejdin kryetar. Për të autorizuar Enkelejdin në emrin tënd, Alibashën në emrin e tij. Kjo është skema.

Unë besoj se KQZ-ja nuk do të pranojë kurrë një gjë të tillë. Them se do ti përmbahet ligjeve dhe kodit dhe nuk do të lozë me një procedurë të tillë, e cila damkos zgjedhjet, institucionin e administrim të tyre, pa filluar. Ndaj dhe ne do të paraqesim të gjithë dokumentet për regjistrim në KQZ, siç na takon. Dorëzojmë edhe vendimin, i cili në kohën që nuk është bërë rekursi, është në fuqi plotësisht, vendimi i gjykatës së faktit. Normalisht duhet të jetë i vetmi vendim, nuk shqyrtohen kurrë në Apel këto vendime.

Ka një debat të ligjshëm se, si do të procedojë PD-ja në këto rrethana të krijuara, cila do të jetë qëndrimi i saj, qoftë gjatë zgjedhjeve, qoftë për zgjedhjet, ndaj qeverisë dhe përpjekje të tjera të veglave të Ramës, që me vulën e Ramës të mendojnë se ne mund të shantazhohemi.

Është një moment ky për çdo demokrate e demokrat, të dënojë aktin e tyre të shëmtuar, jo vetëm ndaj PD-së, por të shëmtuar ndaj çdo shqiptari që beson në lirinë dhe pluralizmin.

Vendimi i Edi Ramës për të marrë vulën dhe flamurin e PD-së për llogari të Alibashës dhe Lulzim Bravës ka ngjallur një neveri të madhe tek të gjithë qytetarët shqiptarë.

Është një vendim që merret vetëm në diktatura, një vendim që nuk e merr kurrë një vend i lirë, është një akt antikushtetues, antidemokratik për të përjashtuar opozitën nga zgjedhjet. Por opozita është më e fortë se kurrë. Ndaj me këtë rast, unë i bëj thirrje çdo demokrati, demokrateje që mund të ketë patur edhe dyshimin, kundërshtinë apo lëkundjen më të vogël, të dënojë aktin e Edi Ramës për të konfiskuar vulën e PD-së.

Të dënojë vetëposhtërimin e veglave të tij, Basha-Brava të cilët dëshmojnë se janë skllevër të aferave të tyre dhe për këtë shkak nuk njohin asnjë lloj kufiri në aktet e vetëposhtërimit të tyre.

PD mirëpret me shumë kënaqësi kontributin dhe mbështetjen e çdo deputeti të kësaj partie,  përveç binomit Basha-Brava, të çdo anëtari të kësaj partie, sikundër thekson se as me Ramën, as me veglat e tij, as nga veglat e tij nuk mund të shantazhohet kurrë. Janë të mjerë ata që mendojnë se me plaçkën e Edi Ramës mund të sulmojnë, intimidojnë apo mund të bëjnë presion ndaj PD-së.

Gjithçka do të vendosë elektorati shqiptar. Por të gjithë ata të cilët nuk gjejnë forca të dënojnë këtë akt të pashembullt në historinë e një vendi të lirë, i këshilloj të gjejnë forca të shkojnë të takojnë elektoratin e atyre, të dëgjojnë fjalët e atyre që i kanë votuar. Ndoshta edhe të ju kërkojnë ndjesë, edhe të sqarohen me ta. Jam i bindur se ky do të ishte një akt që do ti ndihmonte ata për të gjetur rrugën e të vërtetës.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale