/

Berisha nga Mallakastra: PD i njeh gabimet e saj, dhe i korrigjon. Jemi forca e vetme e vokacionit perëndimor në Shqipëri

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË 32 VJETORIN E DEGËS SË MALLAKASTRËS

Të dashur, demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, banorë të Mallakastrës.

Së pari ju ftoj të ju përcjellim sot, nënave, motrave, vajzave të Mallakastrës dhe mbarë Shqipërisë, nderimet tona më të thella, për gëzimet tona më të zjarrta, mirënjohjen tonë më të pakufishme.

Kushdo, çdo njeri, dhe kudo, i detyrohet pafundësisht nënës, kurse ne si komb jetim në të vërtetën e historisë, pa kushërinj të tjerë, ne më shumë se kushdo tjetër ekzistencën tonë ja dedikojmë nënës shqiptare dhe gjuhës shqipe, të cilën ajo na mëkoi fjalë për fjalë, sapo filluam të belbëzojmë e deri sa u rritëm.

Nënat tona, gratë, vajzat janë simboli më i arrirë, i fisnikërisë, moralit, qëndresës, atdhedashurisë, i shpirtit të dhimbsur. Me vyrtytet shpirtërore të nënës dhe gruas shqiptare, ndodhi vetëm njëherë në historinë e njerëzimit, një grua që nuk u bë kurrë nënë, të meritojë dhe të shpallet nënë e mbarë njerëzimit, dhe kjo ishte Nënë Tereza.

Ndaj dhe le të urojmë ne dhe të përulemi me nderimin më të madh, me mirënjohje dhe detyrim të pakufijshëm ndaj tyre, meritojnë çdo respekt, çdo nderim të cilin ne ua kemi borxh për jetë.

I dashur zoti Luan, Resmi, të dashur kandidatë të Fierit dhe Patosit, drejtues të degës, vëllezër dhe motra, zonja e zotërinj, sot kemi shumë data, e shumë ngjarje.

Sot kemi 32 vjetorin e themelimit të PD në Mallakastër dhe është një moment të përulemi me respektin më të madh, mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë atyre burrave e grave, burrave e vajzave të kësaj treve që 32 vite më parë, në kushtet e një terrori të pamohueshëm themeluan degën e PD-së, si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore të munguara dhe të ndaluara me kushtetutë, si parti e iniciativës së lirë, si parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve.

Në këtë kontekt, pas 32 vitesh, çdo demokrat e demokrate, duhet të ndihet përjetë krenar dhe brez pas brezi për kontributet për investimin, mbështetjen që i dha kësaj partie, e cila arriti me përpjekje të jashtëzakoshme të nxjerrë Shqipërinë nga honet më të thella të varfërisë, skllavërisë, shtypjes, izolimit dhe hipekolektivizimit dhe të rëndisë Shqipërinë e shqiptarët në grupin e vendve me të ardhura të mesme të larta. Kjo ishte një arritje epokale. Të rendisë Shqipërinë e shqiptarët ndër njerëzit, qytetarët, punonjësit me rrogat më të larta në Ballkan.

Ja doli që vendin më të izoluar të Europës dhe planetit ta anëtarësojë në Këshillin e Europës, ta anëtarësojë në NATO, të liberalizojë vizat. Ja doli që një vend me infrastrukturë nga më të shkatërruarat dhe të prapambeturat, ta pajisë me infrastrukturë moderne. Autostrada, mbi 11 mijë km rrugë u ndërtuan. Ja doli të shndërrojë Shqipërinë në një nyje nevralgjike të furnizimit të Europës me gaz. Sot kur Europa ndjeu pasojat e rënda të luftës, agresionit rus në Ukrainë, projekti në të cilin Shqipëria, pas Azerbajxhanit luajti rolin më kryesor, gazsjellësi TAP është shndërruar në një arterie të fuqishme energjetike për Europën. Dhe kjo ishte dëshmi e besimit të madh, dëshmi e një diplomacie fleksibël, e një përpjekje të madh me të cilën Shqipëria kontribuoi për vete dhe Europën.

Në vitet e qeverisjes së PD-së, Shqipëria nga vendi më i prapambetur në përdorimin e internetit, arriti në moshën dixhitale. Shqipëria nga vendi me mungesa të mëdha ushqimore, u shndërruar në eksportues të qumështit, vezëve etj.

Në harkun kohor 5-6 vjeçar, Mallakstra dhe mbarë Shqipëria trefishuan ullinjtë krahasuar me numrin e të gjitha kohërave.

Partia Demokratike ka bërë gabime, dhe gabime serioze, por ka qenë në meritën e saj që nuk i ka injoruar gabimet, i ka njohur ato, i ka shpallur publikisht dhe i ka korrigjuar me guxim të madh. Nuk ka diskutim se skemat piramidale ishin një gabim historik i PD-së, por PD mbajti atë qëndrim që kërkonte morali i çdo shqiptari. Ne deklaruam një borxh që nuk është marrë, nuk njihet kurrë.

Tjetri deklaroi se do të ju kthej çdo qindarkë, shqiptarët e panë që ai mashtroi çdo qindarkë. E panë të vërtetën dhe na e kthyen besimin.

PD në opozitë këto vite po ecte si njeriu i përgjumur, somnambul. Defakto në mënyrë të paimagjinueshme po përfundonte si pseudo opozitë? E kujt, e regjimit më të korruptuar, më antishqiptar, e regjimit të drogës, krimit dhe kjo do të ishte një katastrofë kombëtare.

Një vit e gjysëm më parë, planet për shndërrimin e opozitës, së PD-së në një fasadë të Edi Ramës, u shpalosën me të gjithë shëmtinë e tyre.

A shumë që thonë se Sali Berisha na shpëtoi, jo. PD-në e shpëtuat ju, burrat dhe gratë e Mallakastrës, dhe të gjithë Shqipërisë, të cilët nuk pajtoheshin kurrë, të bashkonit moralin tuaj me amoralët, me kriminelët, me hajdutët, me drogmenët.

Ata që u përpoqën të ju tradhëtojnë ju, të ju futin thikën ju, ata kanë përfunduar dhe do të përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë. Ja ku është McGonigal, një tradhtar i vendit të tij që punoi të shkatërronte opozitën, i paguar nga Edi Rama.

Ja ku është Lulzim Brava, i cili u mor peng nga Edi Rama me proces gjyqësor dhe pastaj thoshte se po më urdhëron në mënyrë të tmerrshme ambasadorja Amerikane. Tani i them, zonjë ja ku e ke, një kalbësirë politike, merre. Kundër PD-së, kundër jush, kundër demokratëve, u vërsul me të njejtën egërsi si McGonigal, Mcgonigali me fustan që quhet Yuri Kim.

Pas dy muajsh u bë e gjallë sot. Tani do i them nja dy fjalë këtu se nuk dua të ndalem; nuk ke asnjë moral, nuk ke asnjë të drejtë të flasësh për zgjedhjet ti në këtë vend, sepse ti je e para që shkove dhe i urove Edi Ramës me urdhër të McGonigal, zgjedhjet më të vjedhura, më të rrënuara më të plaçkitura në historinë e vendit. Mos mendo ti se mund të ju shesësh për moral shqiptarëve, amoralitetin.

Shqiptarët kanë shumë probleme, por një gjë, ai që lexon çdo të huaj, ata përshkruajnë që janë inteligjentë, nuk ua hedh dot, të duket se ua hedh, por askush nuk  ua hedh atyre.

Pra a është kjo demokratë e demokrate, saga e një qëndrese të jashtëzakonshme që do të ju bëjë  krenarë ju dhe fëmijët tuaj në brezat që vijnë.

Sot kemi edhe një tjetër ngjarje të madhe. Ne paraqesim para jush kandidatin për kryetar bashkie, të Mallakastrës zotin Resmi Shano, i cili është një bir i juaj, i cili siç e dini, e njihni me respekt, me dashuri me përkushtim është kujdesur vite e vite dhe ka mësuar fëmijët tuaj.

Ai përfaqëson një familje dinjitoze mallakastriote, ai përfaqëson vyrtitet, moralin e shkëlqyer të mallakastriotëve. Ai ka për ju respektin dhe dashurinë më të madhe.

Prandaj vijmë këtu me shumë krenari për ta paraqitur para jush. Vijmë këtu për të çelur gjithashtu fushatën elektorale të fitores së PD-së. Resmiu është kandidati që ka mbështetjen e plotë dhe totale të PD-së dhe Sali Berishës. Por Resmiu është kandidati juaj, i zgjedhur nga ju me votën tuaj të lirë. Nuk vjen nga zyrat e askërkujtë, vjen nga ju, nga dëshira juaj.

Kandidati i Edi Ramës është kandidati i Rama-Gonigal i mafiozëve, i bandave, i krimeve dhe vjedhjeve. Atë se lidh asgjë me ju.

Të dashur miq!

Sot shqiptarët kanë shumë probleme, por Mallakastra, Ballshi dhe shqiptarët kudo që janë, problemin absolut numër 1 kanë varfërinë dhe problemin ekonomik, sepse në Mallakastër dhe kudo në Shqipëri, në 9 vite të qeverisjes rrogat jo vetëm që nuk u rritën, por u zvogëluan për shkak të inflacionit, të paktën 30%.

Rrogat që 8 vite më parë ishin më të lartat në rajon, në Rumani dhe Bullgari që ishin vende të BE-së, sot janë 40-60 % më të ulëta se në Kosovë. Sot mësuesit në Shqipëri marrin 50% më pak se në Kosovë, marrin sa gjysma e rrogës në Malin e Zi,

Sot mjekët marrin një rrogë sa gjysma e rrogës në Kosovë, sot ndihma ekonomike në Shqipëri është qesharake, ndihma për fermerët është qesharake. Por po të shifni buxhetin, të ardhurat dhe borxhet që ka marrë kjo qeveri, ato janë ju garantoj  pa asnjë diskutim të mjaftueshme dhe të teprueshme për ti pasë rritur 3 herë rrogat në Shqipëri.

Atyre që ju duket tepri kjo që them, u rikujtoj, marrim shifrat.

Në vitet 2005-2013 me të ardhurat që mblidheshin dhe borxhin që merrej, rrogat, pensionet u dyfishuan, taksat, sigurimet shoqërore u përgjysmuan. U ndërtuan 11 mijë km rrugë, 1300 objektet arsimore, u ndërtuan qindra ndërtesa mjekësore. Shqipëria nga 4% internetin arriti në 63, borxhi sa u rrit thoni ju, 4.4 %, nga 58.2 që e la Fatos Nano, shkoi në 62.6 dhe kjo është e vërtetë.

Çfarë ndodhi në këto vite. Rrogat jo që nuk u rritën, por me inflacionin u zvogëluan, dhe ky është krim i shëmtuar. Krimi më i madh që ka bërë kjo qeveri, ka qenë bllokimi i rrogave dhe pensioneve. Të bllokosh rrogat dhe pensionet do të thotë të mos e ndjesh fare se çfarë hallesh ekonomike kanë qytetarët e tua, të mos dëshirosh që ata të mëkëmben, që ata të bëjnë një jetë më të mirë, që ata të begatojnë.

Asnjë kryeministër nuk e bëjnë këtë, përveç Edi Ramës. Erdhi Dritan Abazoviçi dhe tha, unë 4 vjet ndenja, por 200 euro i rrita rrogat. Dhe ky ja majti mend si inatçor dhe kur shkoi në Mal të Zi, duke folur për urën e Bunës, i tha atë urë bëjeni ju se keni rritur rrogat. Cinizëm, i turpshëm.

Kosova ka gjysmën e buxhetit tonë, Kosova ka 2 miliardë të ardhura, ne e kemi 4 miliardë euro. Ra kriza e fundit, jo rrogat, por çdo studenti i dha shtesë 100 euro në muaj, çdo pensionisti i dha 100 euro. Por sigurisht, por të kesh ndjenja njerëzore, bën diçka për ata njerëz.

Çfarë thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit? Thotë se u vodhën në 9 muaj, për vitin 2022, janë vjedhur dhe shpërdoruar 122 miliardë lekë. Sa është fondi i përgjithshëm i pagave, sa shpenzohet për rrogëtarët e gjithë Shqipërisë në 1 vit, 97 miliardë. Vidhen në 9 muaj, se viti shkon më tepër, 122 miliardë.

Ky nuk rrit rrogat, fluturon vetë me avion, me avion me dhomë gjumi, duke shkuar për fundjavë, për çdo gjë, duke shpenzuar 22 mln euro. Asnjë kryeministër nuk i lejon vetes një gjë të tillë.

Austria është një vend të paktën 10 herë në çdo aspekt më i pasur se ne. Kancelari i Austrisë ja ndalon qeverisë së tij dhe vetes udhëtimin me çarter. Ministrat në ekonomik klas, kurse ai vetë në biznes. Kurse Edi Rama mban avion në dispozicion, shpenzon në 137 fluturime 22 mln euro.

Edi Rama nuk rrit rrogat, por blen një vazo druri 4 mln euro në oborrin e kryeministrisë, akt të cilin nuk ka zyrtarë në botë që ja lejon vetes.

Edi Rama nuk rrit rroga, pensionet, por shpenzon për vetura luksoze, shpenzon për qëllime krejtësisht të tjera dhjetëra e dhjetëra milionë euro, sikur të ishte i biri i mbretit të Arabisë apo i Bruneit, dhe kjo kryeministri i një vendi me probleme të mëdha, të cilit vetëm në këtë qytet janë qindra mos mijëra familje që numërojnë qindarkat për të mbyllur muajin pasi nuk marrin as rrogat e premtuara, pasi ua shkrinë uzinën dhe e kthyen në hekurishte sepse, vodhën qindra milionë euro kredi  dhe tani duhej eliminuar që të shënuar falimentimin dhe për të mbajtur për vete paratë e vjedhura.

Jemi në këtë situatë. A është kjo përpjekje e jonë, përpjekje vetëm për demokratët, absolutisht jo. Kjo është një përpjekje për çdo socialist, shqiptar, për çdo parti. Sepse secili prej tyre meriton një rrogë 2-3 herë më të madhe, një jetesë 2-3 herë më të mirë. Secili prej tyre meriton që fëmijët e tyre të mos marrin rrugët e botës, por të shohin Shqipërinë si folenë me të ngrohtë, më të bukur të ndërtimit të jetës së tyre.

Ndaj dhe motoja e jonë është; bashkim, bashkim, bashkim.

Bashkim për të ndryshuar Shqipërinë, për të ju rikthyer shpresën shqiptarëve, për të ngjallë tek ata bindjen se Shqipëria është një tokë e bekuar, një vend me pasuri përrallore, se Shqipërinë po e varfërojnë qytetarët hajdutë. Ata duan të na përzënë ne nga Shqipëria, por ne do ti përzëmë ata nga pushteti.

Ju keni dëgjuar për problemet që kemi brenda PD-së. Por tani gjithçka doli në dritën e diellit. U them një gjë këtu me sinqeritet. Duke parë veprimet e Lulzim Bravës dhe AliBashës, i kam thënë qindra herë vetes time; ku do shkonim ne dhe Shqipëria me këta njerëz. Por labirintet e shpirtit njerëzor askush nuk mund ti njoh.

Personalisht unë jam njeri i besimit, i besoj njeriut dhe unë mendoj se nga besimi duhet të udhëhiqemi, por ai që shkel besimin shkel mbi veten e tij.

Çfarë ndodh? Edi Rama i ka kapur si skllevër ata. Ata mendojnë se ju nuk i shihni, se qytetarët shqiptarë nuk i shohin. Në historinë 32 vjeçare politike nuk ka patur kurrë, pengje, pengje siç janë Brava dhe Alibasha. Nuk kanë asgjë në moralin e tyre.

I them dy fjalë këtij Kapllanpallatit, ja them këtu. E para njëherë Kapllan, po të ishe burrë dhe po të ndjeheshe i njëjtë me këta burra e gra që janë këtu dhe tjerë, vije dhe hyje në primare. Asnjë njeri nuk e pengoi. Hajde në primare, matu me Resmiun, matu me tjetrin e tjetrin me radhë. Ti nënshtrohemi vlerësimit dhe besimit tuaj.

Kjo ka marrë fund, kurrë më kryetari dhe kryesia nuk do të ju caktojë më ju, as deputetin as kryetarin e partisë, as kryetarin e bashkisë. Ua thashë, PD ka bërë gabime, por merita e saj është se i njeh gabimet, edhe nuk thotë nuk gaboj, ajo thotë gaboj do i korrigjoj. Kështu që ti Kapllan nuk erdhe, nuk të pengoi Sali Berisha, por të pengoi pallati ty. Se kur ti demokrat vjen e merr tender në pallatet që ua prishin me buldozerë qytetarëve, i nxjerrin me banda nga shtëpitë e tyre qytetarët, nga Erion Veliaj me shokë, ti bëhesh me ta, ti nuk ke punë me demokratët.

Ke 97 tendera nga qeveria. Absolutisht kjo qeveri nuk jep tender pa ryshfet. Shko më mirë rri me ta, mos hajde këtu as me kërku votë, asgjë. Hajde por këta demokratë, socialistë, pa parti, do të të japin atë që ti meriton. Kandidati i tyre është Resmi Shano.

Je kandidat i Lulzim Bravës dhe Alibashës, të cilët kanë thyer çdo rekord vetëposhtërimi në politikë deri më sot. Nuk kanë asgjë të përbashkët me as Mallakastrën, Tropojën, Dibrën e askërkënd, janë një sekt sikur të kishin lindur në Rilindjen e Edi Ramës. ndaj dhe ne të bashkohemi, në idealet tona, në moralin tonë, në besimin tonë, të sigurtë në një fitore të shkëlqyer.

Ne jemi forcë politike e vokacionit perëndimorë të kombit shqiptar. Ne jemi dhe do të jemi partnerë të palëkundur të SHBA-së dhe BE-së. Ne jemi dhe do jemi avoketër të pamposhtur të interesit kombëtar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, të shqiptarëve kudo që janë.

Ndaj dhe u ftoj ju, ftoj të gjithë banorët e Mallakastrës, ta shndërrojnë këtë pranverë, në pranverën e triumfit të idealeve tona, vyrtiteve tona, vendosmërisë tonë për ndryshim, dashurisë tonë për Shqipërinë, për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ti dalim zot këtij vendi që po rrokulliset më shumë se çdo vend tjetër në luftë civile apo luftëra të tjera. Ti dalim zot këtij vendi, që fëmijët e tij të mos marrin rrugët e botës. Në Mallakastër, kjo rrugë është vota për Resmi Shanajn, përfaqësuesi juaj i shkëlqyer, pasardhësi i një familje të shkëlqyer, i cili ju garanton ju se do të shënojë ndryshimin që ju prisni.

Rrofshi ju, rroftë Mallakastra, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale