/ /

Berisha: Shprehim nderimin më të madh për të gjithë ata që luftuan, ranë dhe kontribuuan për pavarësinë e Kosovës. Iu bëj thirrje mediave, asnjë hapësirë për Ramën, bojkotojeni!

FJALA E KREUT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN E PËRJAVSHME ME GAZETARËT

Pas pavarësisë së Shqipërisë, pavarësia e Kosovës shënon ditën më të rëndësishme në lirinë e shqiptarëve. Është kjo ditë që shënon lirinë për të gjithë shqiptarët në sensin që një komb që ka pjesë të tij të robëruara nuk mund të jetë kurrë i lirë.

Pavarësia e Kosovës është në rradhë të parë dëshmi e pamposhtur e qytetarëve të saj. Kosova është një trevë e cila nga 1870 deri në vitin 1999 është derdhur gjak, janë bërë luftra, kryengritje, përpjekje më të mëdha se në çdo trevë tjetër të kontinentit.

Por, natyrisht pavarësia e Kosovës është vepër e presidentit vizionar Ibrahim Rugova, i cili me guxim të jashtëzakonshëm, me vizion të madh thuri dhe ndërtoi nën ndërgjegjen, shpirtin, zemrën e qytetarëve të Kosovës pavarësinë e këtij vendi. Ëndrrën e pavarësisë. Ndërtoi aty pushtetin paralel të shqiptarëve, që kundërshtonte pushtetin e pushtuesve.

Ri-dimensionoi çështjen e Kosovës e shndërroi atë në një çështje botërore të kancelarive më të mëdha të botës. Mbrojti dhe paraqiti këtë çështje si dhe zgjidhjen e saj. Pavarësia e Kosovës është vepër legjendare e komandantit legjendar Adem Jashari, i cili vendosi historinë e shqiptarëve kulmin e guximit dhe të trimërisë, burrërisë, sakrificës për vendin dhe kombin.

Vepër e luftëtarëve të lirisë, komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së që bën luftën e fundit çlirimtare në Europë dhe fituan. Natyrisht, mbarë kombi kontribuuoi në pavarësinë e Kosovës.

Shqipëria, pas daljes nga diktatura komuniste luajti rolin e saj të pazevëndësueshëm. Por kjo pavarësi do të ishte e pamundur pa mbështetjen e fuqishme, rolin udhëheqës në këtë proces që luajtën SHBA-të, Kongresi i këtij vendi, presidentët presidentët Bill Klinton dhe George W.Bush, vendet e NATO-s që ndërmorën ofensivën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, kundër regjimit të kasapit, Sllobodan Millosheviç.

Sot, çdo shqiptar feston me krenari të veçantë 15-vjetorin e republikës së pavarur të Kosovës. Në 15 vite, Kosova ka shënuar suksese mahnitëse, arritje të mëdha. Ajo është sot shteti me të drejtat dhe liritë të pakicave më të respektuara në rajon. Shteti i standardeve më të mira të funksionimit të ligjit. Shteti, në të cilin ekonomia zhvillohet dhe ndër më solidet, ka një infrastrukturë më moderne në rajon.

Kosova i ka dhënë botës disa nga zërat më magjikë të kohës me çikat e saj. Por edhe kurorën mbretërore në sportet e admirueshme po të vajzave të saj. Në fakt, Kosova sot është vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më të lirë se në të gjitha trojet e tyre.

Ndaj edhe ta urojmë ne në këtë 15-vjetor, Kosovën, qytetarët e saj, mbarë shqiptarët, për suksese edhe më të mëdha në të gjitha rrafshet! Të shprehim ne nderimin më të madh për të gjithë ata që luftuan, ranë, kontribuan për pavarësinë e Kosovës.

Edhe njëherë gëzuar të gjithë shqiptarëve, qytetarëve të Kosovës. Mirënjohje të pakufijshme ndaj miqve tanë që bënë të mundur këtë ditë. Faleminderit!

Tani vazhdojmë bisedën..

Situata në vend po bëhet gjithnjë e më kritike. Me një arrogancë absolute, Edi Rama deklaron se unë shkoj në parlament kur të dua, pavarësisht se Kushtetuta ka detyrime të qarta për detyrimet e kryeministrit ndaj parlamentit.

Por po të kemi parasysh se ky njeri shkon në mbledhje të qeverisë vetëm kur vendos për vjedhje të mëdha, dhe në këtë kontekst, nga 48 mbledhje, ka shkuar vetëm në 19 mbledhje. Dhe aty ligjin e bën Belinda. Ai me SMS drejton qeverinë, ai me SMS drejton Lindën në parlament. Faktikisht ky është shndërruar sot në shtetin Linda-Belinda dhe padronit të tyre pa asnjë normë morale, politike dhe asgjë.

Nuk ka vend në botë, që një kryeministër, nga 49 mbledhje, merr pjesë në vetëm 19, dhe nuk jep dorëheqje. Kryeministri është i detyruar të kryesojë mbledhjet e qeverisë, përveç rasteve shumë të veçanta. Një kryeministër që nuk i përgjigjet detyrës së tij, është një parazit i tmerrshëm, është një hajdut që vjedh nga mëngjesi deri në darkë dhe ndjek interesat e tij. Një kryeministër nuk mund të mungojë kurrë, dhe nëse kjo kalon 6 muaj, ai duhet të largohet.

Pra, e kuptoni ju, apo jo.

Këtu qeveriset me SMS-të që ai i dërgon Lindës dhe Belindës. Kurrë ndonjëherë nuk ka rënë ky shtet në papërgjegjësi kaq absolute nuk ka rënë ky shtet.

Deklaroi mbrëmë, siç e dëgjuat, që unë nuk lejoj, nuk ka shans të lejoj komisionin hetimor parlamentar për Uotergejtin e shekullit të 21, për një nga aferat që ka tronditur në palcë politikën dhe jetën në SHBA, por edhe në Shqipëri dhe mbarë vendet e tjera. Edi Rama, nuk ka shans, të pengojë të drejtën kushtetuese, të parlamentit shqiptar për të krijuar komisione. Nëse ky, beson në këtë, ky provokon në vend destabilizim të plotë.

Unë u them qytetarëve shqiptarë, që kurrë në histori, as në diktaturë, as pas diktature, nuk ka ndodhur që byroja e parlamentit të anulojë ligjet. Nuk ka, as byroja politike e Enver Hoxhës nuk anulonte ligjet. Anulimi i ligjit ka vetëm procedurë ligjore, parlamentare të stipuluar në Kushtetutën e vendit.

Një grup banditësh pa asnjë moral, marrin përsipër t’u thonë shqiptarëve se byroja anuloi ligjin e komisioneve hetimore, jashtë çdolloj imagjinate, jashtë çdolloj udhëzimi apo ligji në këtë vend. Ligji anulohet vetëm me ligj të parlamentit dhe kurrë me vullnet të dikujt tjetër. As të presidentit të republikës, as të komisioneve, as të kryeministrit. Ligji anulohet vetëm me vendim të parlamentit. Kur parlamenti miraton një ligj dhe thotë, ky ligj u anulua.

Banditizmi politik, shpërfillja ndaj vullnetit të qytetarëve, ndaj Kushtetutës, ndaj votës së qytetarëve, këtu tejkalon edhe Korenë e Veriut. Se edhe diktatura e zbatonte procedurën në sipërfaqe në tërësi.

Por nuk është kurrë atribut, funksion, kompetencë e byrosë së parlamentit. Çfarë tregon kjo?

Kjo tregon se verbëria, tmerri dhe paniku që ka Edi Rama nga aktet që ka kryer, e shtyjnë në çdo veprim. Ka humbur mendjen dhe kërkon si mi të shpëtojë prapa çdo lloj absurditeti. Të fshihet.

Nuk vjen në parlament për t’u ballafaquar, por shkon në studio. Iu bëj thirrje gazetarëve, mos pranoni në studio një njeri që shkel ligjin dhe Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Mos e bëni studion në refugjio të këtij mëkatari që s’e ka parë kurrë Shqipëria. Ju garantoj se do montohen protesta të fuqishme kudo që shkojë në studio. Flakë për flakë!

Çfarë është kjo? Një vrasës i Kushtetutës pranohet aty?

Unë nuk jam për të mos i dhënë të drejtën e fjalës, por të vijë të flasë në parlament, të shkojë të kryesojë mbledhjet e qeverisë. Kudo që të shkojë, kudo që të shkelë, ne do bëjmë protesta gjithë kohën aty!

Ne nuk na vjen mirë. Nuk merret ky, është njëlloj si të merret në studio një kriminel që nuk shkon para drejtësisë.

Thirrje medieve: asnjë hapësirë, bojkotojeni! Ky po bojkoton parlamentin, ky po bojkoton detyrën, po bojkoton qeverinë. Valët janë të qytetarëve, nuk janë të televizioneve. Valët janë të publikut. Kini mëshirë ndaj publikut!

Unë e kam me sinqeritet këtë thirrje, ne do protestojmë gjithë kohën që ai do jetë në studio. Nga shkoi dje, nga ABC u fut, nga mbrapa. Do marrim masa dhe nuk do futet dot.

Shqiptarët e dëgjuan mbrëmë, kur u  tha medieve amerikane që janë kazane. E kkishte fjalën për Nju Jork Post, dhe disa portale tjera. Por tha se serioze janë mediat Uashington Post, Nju Jork Tajms dhe CNN. Tani më lejoni pak t’i lexoj shqiptarëve dhe t’i informoj se akuzën absolute më të rëndë ndaj Edi Ramës e ka bërë gazeta më e madhe amerikane sot, Uashington Post.

Kjo gazetë thotë: McGonigal ka qenë i zhytur deri në fyt në një pakt sekret me Edi Ramën. Gazeta vazhdon, se Charles McGonigal ka marrë para për të çuar përpara interesat e kryeministrit shqiptar.

Ka ky sy për të lexuar? E mashtron Fuga. Ky s’lexon tani, e keni vënë re. Është i shpërqendruar. Po jeton ditët e fundit në pushtet. Ky artikull i kësaj gazete është ribotuar fjalë për fjalë në gazetën e Pentagonit, Stars and Stripes,organ i ministrisë së mbrojtjes së SHBA.Ky artikull është zgjedhur pikërisht për t’u ribotuar.

Sikundër, gazeta tjetër e madhe që e lavdëroj, Nju Jork Tajms, thotë se McGonigal ndërmori hapa në dobi të këtij politikani, e ka fjalën për Edi Ramën. Ndërsa CNN flet për marrëdhënie të fshehta, midis Edi Ramës dhe McGonigal. E kuptoni ju që tani quan kazan Nju Jork Post që ato thoshte çfarë do thoshte.

Dënoj mbrojtjen që i bëri mbrëmë McGonigal. Pyetjes së gazetarit se çfarë donte ai që shtrohej me mish e pilaf në mejhanet e Tiranës, ai i përgjigjej se ajo është puna e tij në FBI.

Pra mishi dhe pilafi i mejhaneve të Tiranës privatisht duke zhvatur gjobat. E di Rama i përgjigjet se ajo ishte punë e tij e FBI. Pra, kundërshtoi në mënyrën më absurde gjobëvënien e tij.

Të gjithë mediat e botës e thonë, ia tha edhe gazetari.

Pra, për çfarë e përdori intervistën? Për të mbrojtur veten dhe McGonigal. që ka tradhtuar vendin e vet. Që ka përdorur agjencinë për qëllime private, që ka prerë gjoba. Ndaj për të gjitha këto, komisioni është jetik. Ne do krijojmë komision dhe McGonigal është në burg, edhe Edi Rama do shkojë në burg.

McGonigal është në burg për çështjen e Shqipërisë, për atë tjetrën e kanë nxjerrë në arrest shtëpie.

Edi Rama nuk mund të rrijë. Ndaj u bëj thirrje qytetarëve të bashkohemi për t’u ndarë me këtë të keqe të madhe sa më shpejt.

Faleminderit!

Pyetje: Në datën 3 mars ju keni lajmëruar protestë, që rastësisht apo jo qëllon në një ditë me vendimin e gjykatës për vulën. Nëse jeni duke protestuar dhe gjykata vendosur kundra jush, cila është vazhdimi i protestës.

Sali Berisha: Ne nuk kemi asnjë lidhje me gjykatën. Osman nëse e ke ndjekur. Unë kam atakuar vetëm një gjykatës. Kjo gjykatëse ka qenë Blerina Muçi. Kur unë mora faktet, se ajo bëri një vendim kriminal të paimagjinueshëm. Shpalli palë një palë që nuk ishte palë, që nuk mund ta bëjë kurrë një gjykatës. Një gjykatës mund të dorëzojë çdo gjë, por jo të shkelë parimet universale të drejtësisë. Ajo e bëri, e kapi peng Erion Veliaj me një mikun e vet, veting. E kam shpjeguar këtu.

Pyetje: Cila do të jetë vazhdimësia e protestës pas vendimi të gjykatës…

Sali Berisha: Nuk ka lidhje me gjykatën. Protestën e kemi vetëm me Edi Ramën. Nuk mund të imagjinohet që një protestë gjigante, mbarëpopullore siç do të jetë protesta e 3 marsit të merret me gjykatësit. Jo, kemi Edi Ramën ne. Ne gjithçka do të bëjmë kundër Edi Ramës, nuk ka lidhje. Unë e di që ra si koncidencë, por koincidenca nuk do të thotë se ka lidhje me të.        

Pyetje: Ju keni deklaruar se PD nuk merr pushtet me dhunë. Cila është alternativa juaj, për të mundur Edi Ramën pasi edhe pas rithemelimit, ju drejtoni PD-në me bashkëpunëtorët e para 2013, gjatë qeverisjes tuaj, apo kanë qenë në opozitë me Bashën.

Sali Berisha: Ka dy anë kjo çështje, që të jemi të vërtetë. E vërteta është se revolucioni demokratik paqësor, gjithnjë fiton nëse persiston dhe udhëhiqet. Unë nuk e di ndonjë që ka dështuar. Natyrisht do kohën e tij, momentin e tij të fitores, etj., me radhë, por fiton. Në këtë kontekst, unë prap e them këtu; si një person që pata fatin të jem në udhëheqje të PD-së, të revolucionit në vitet 1990-91, në atë periudhë e kam konsideruar mision kryesor, jo veç përmbysjen, por përmbysjen paqësore. Unë e kuptoj se këtu ka shumë kritika për këtë, por të gjithë atyre që bëjnë kritika u them të lexojnë. Një revolucion nga të gjitha revolucionet e ish-vendeve kryeministre u bë me dhunë, aty fitoi nomenklatura. Çausheskun e vranë rusët, për arsye të sigurta. Ai ishte diktator dhe një shërbim kishte bërë dhe rusët e vranë për shërbimin që kishte bërë. U shfrytëzua ajo, u vranë 1 mijë e ca vetë edhe më shumë dhe në fund erdhi ish-sekretari ideologjik i Partisë Punëtore Rumune. Nuk është se fituan ata që u ngritën kundër, jo. Kështu që unë i mbetem besnik rrugës paqësore. Unë e konsideroj këtë rrugë fitimtare dhe të domosdoshme. Tani kap anën tjetër, jam dakord me ty. Kjo parti për fatin e keq, u bënë 10 vite në opozitë. Dhe pas 8 vitesh në opozitë, pasi ja kishte rrëmbyer zgjedhjet, pasi i kishte shkelmuar zgjedhjet, shkonte dhe në seancat e para ai votonte borxhin Edi Ramës, i votonte vetingun Edi Ramës. Pra partia kishte një problem madhor me opozitarizmin e saj. Por partia është zgjuar tani, është rritur, është ndërgjegjësuar, se duhet të ndërgjegjësohemi dhe do të vazhdojmë këtë betejë. Ndaj dhe kam besim të madh, kam besim se ky revolucion nuk është vetëm i PD-së, por i gjithë shqiptarëve. Nuk ka shqiptarë, përveç një grushti hajdutësh që vjedhin pasuritë e këtij vendi çdo ditë, nuk ka që të duan një kryeministër që nuk shkon në parlament, që dhunon kushtetutën, të duan një kryeministër që vjedh me firma, fap, fap, fap 420 milionë euro. Edhe mbrëmë thoshte ja ku janë djegësat, që nuk janë asnjë. Nuk e duan një kryeministër që e justifikon çdo vjedhje. E kam këtu kontratën e minierës së floririt në Sharrë. Nuk ka asnjë fjalë, asnjë germë, asnjë shkronjë për çmim të ponderuar që shpik hajduti. Një shpikje hajdute, e shkruar e zezë mbi të bardhë, 29 euro për ton, kur të digjen nga incineratori plehrat, të paguhen në fund të muajit dhe ka të gjitha praktikat. Kurse këta tani për të vjedhur nxorën të ponderuarin që nuk ekziston askund. Një grup i shpërfytyruar hajdutësh. Durrësi ka shkelur çdo rregull, ka shkelur marrëveshjen e stabilizim asocimit. Po grabit pasurinë më të madhe të vendit, krejtësisht me klanin e tij, me vëllain e tij, i cili gjindet në dhjetëra afera. Amant Josifin, pyeteni njëherë e takoi apo jo në Abu Dabi, apo çoi Oltën për ta takuar. Një qeveri e inkriminuar. Kush e vrau vajzën nga Kenia, kush e fsheh krimin. Këta e fshehin krimin, por e vërteta do të dalë. Këta janë të inkriminuar fund e krye. A mund ta duan shqiptarët. Kjo ka të bëjë me demokratët, jo nuk ka të bëj, ka të bëjë me gjithë shqiptarët, me interesat e gjithë shqiptarëve, ka të bëjë me dhunimin e të drejtave, ekonomisë, buxhetit dhe të ardhmes së të gjithë shqiptarëve, ndaj dhe ky revolucion ka një target dhe ai është Edi Rama. Nbjë objektiv.

Pyetje: Keni bërë një akuzë shumë të rëndë ndaj zyrtarëve të lart të PS-së, madje keni thënë se dispononi edhe prova të një video erotike. I propozuat PS të krijojë një komision me tre veta për të parë këtë video, por nuk pranuat. Ne gazetarët e kemi më të thjeshtë, kemi krijuar një grup prej 3 vetash për ta parë këtë video.

Sali Berisha: Lufta politike nuk është problem kuriozitetesh. E kuptoj që ajo u tërheq shumë, por unë nuk kam ndërmend të tërhiqem në atë çështje, sepse McGonigal nuk ishte turist seksi këtu. Ai erdhi këtu si një varrmihës i opozitës për të përdorur fuqinë që i kishte besuar ligji, kushtetuta, dhe qeveria amerikane për të luftuar, spiunazhin, korrupsionin, e përdori kundra opozitës, prandaj ajo është kolateral.

Pyetje: Ju thatë që do të përplaseni me Edi Ramën nëpër televizione flakë për flakë, ndërkohë që nuk ndodh kështu nëpër sheshe. Gjatë protestës së 11 shkurtit dhe kam një opinion nga qytetarët, se pse na thërret Sali Berisha kur nuk ndërmerr akte. Doja të thoja që juve thatë që janë përfshirë shqiptarët. Ku po cedon revolucioni juaj, a nuk po e ndjekin degët gjatësinë e valës…

Sali Berisha: Jo e ndjekin shumë mirë dhe unë mendoj se kanë ardhur dhe mendoj se protesta ishte madhështore. Çështja e dytë është ajo që thoni, ju janë jo një por shumë. Ka që thonë se duhet përdorur edhe dhuna, sepse janë të revoltuar gjer në shpirt, gjer në palcë dhe kanë 100 herë të drejtë, por prap parimi jonë është jo dhuna. Pra ne besojmë se revolucioni paqësor. Ai format proteste ishte që shkonte e votonte borxhin atje, janë ndryshe gjërat të jeni të sigurtë që ndryshimi është shumë i madh. As më bien telefona. Ne i përmbahemi asaj që kemi shpallur. Unë shoh interesat e shqiptarëve dhe nuk më tërheq kush as këtej as në anë tjetër, as mua as kryesinë. Natyrisht kam folur dhe flas edhe për mjetet e mosbindjes civile. Gandi i quante te shenjta ato dhe ne do fillojmë ti përdorim. Por nuk ka revolucion paqësor që të përfundojë brenda një jave, një muaji e me radhë. Është një proces më i zgjatur. Jemi dakord. Në vitin 1990, na mori një kohë më të gjatë, na mori 1 vit e gjysëm dhe fituam thellë, e fituam pa gjakderdhje. Kjo ishte kryesorja. Nuk tërhiqemi nga kjo. Këto janë parimet. Kam dashuri dhe respekt pa kufi për të gjithë militantët, demokratët, por unë kërkoj mirëkuptimin e tyre, sepse kjo është rruga më e drejtë që ne të fitojmë.

Pyetje: Nuk dua të paragjykoj vendimin e apelit të 3 Marsit. Por në rast se KQZ-ja, nuk regjistron ju në garën elektorale të 14 majit, do të ju shikojmë po kaq urtë e butë në protestat kundër Edi Ramës.

Sali Berisha: Ajo protestë nuk ka lidhje me vendimin e gjykatës. Por në rast se e bën Edi Rama këtë. Është veprim i Edi Ramës, nuk besoj ato kanë ndërgjegjen e atij gjykatësi që bën palë atë që nuk është palë kurrë, se aty është gjithçka. Këtu është një parim i madh i drejtësisë. Nëse ecim në këtë mënyrë, çdo vendim i drejtësisë bëhet i padrejtë dhe rrëzohet. Do ti me hap gjyq, shko hap gjyq nga e para. E ke të hapur, shko në gjykatë, ço dokumentet dhe hap gjyq nga e para. Por jo të bëhesh palë, aty ku nuk ishte palë. Kjo nuk ndodh kurrë. Kështu që unë e kam shumë të vështirë ta besoj se një trupë gjykuese mund të vendosë në këtë mënyrë. Ka një ndërgjegje profesionale nuk ka asnjë diskutim. Kemi punë me Edi Ramën, kjo është gjithçka. Kush tha që do të qëndrojmë urtë e butë, as tani as atëherë. Edi Rama ka punë me ne, ia them këtu unë, publikisht dhe haptas. Por një njeri që thotë, shkoj në parlament kur të dua, një njeri që nuk vjen në parlament, një njeri që anulon ligje. E di ti çfarë do të thotë të anulosh ligje me byro parlamenti apo jo. Është rrafshim i Republikës, është shuarje e Republikës e çdo parimi. Aty merr fund. Anulon ligje me sms i thonë kësaj. Kalon çdo lloj imagjinate, prandaj kemi punë me të. Do të kemi punë shumë me të. Nuk ka ç’fokusim. Fokus është Edi Rama.

Ju uroj një fundjavë të mbarë, faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale