/

Berisha: Themelimi i PD dhe revolucioni demokratik i viteve ’90 përbën ngjarjen më të rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Rama synoi të na asgjësonte, por sot, ne jemi më të fortë se kurrë!

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË 32 VJETORIN E THEMELIMIT TË DEGËS SË BURRELIT

Të dashur demokrate dhe demokratë të Burrelit, Klosit, të këtij rrethi të bekuar të Matit.

Një përshëndetje të përzemërt, mirënjohje të pakufijshme ndaj jush për kontributet e jashtëzakonshme që Mati ka në historinë tonë kombëtare, në mbështetjen e fuqishme të PD nga themelimi i saj.

E nderuar znj.Kryetare, të nderuar zotërinj, kandidatë për qytetarë të parë të Burrelit dhe Klosit, Skënder Gjuca dhe Bedri Klosi. I nderuar zoti ish-kryetar. Të nderuar miq të pranishëm në këtë takim.

Së pari, më lejoni që së bashku me ju të përulemi me nderimin më të madh para të gjithë atyre matjaneve dhe matjanëve që 32 vite më parë themeluan këtu në Mat degën e PD. E themeluan atë në kushtet e një terrori të vërtetë omunst kundër saj. Mati ka njohur pas themelimit të PD ndër terroret më të egra kundër demokratëve.

Themeluesit dhe qytetarët e Matit që mbështetën atë, në anti-mitingun e organizuar nga Ramiz Alia dhe diktatura e tij kaluan mes gurëve dhe plumbave, por nuk u mposhtën, së bashku me Azem Hajdarin në krye. Ata ia dolën të shmangin aktin që kishte parashikuar Partia e Punës, dhe Mati u shndërrua në një bastion të demokracisë.

Vëllezër dhe motra!

Themelimi i PD dhe revolucioni i viteve ’90 përbën ngjarjen historike më të rëndishme për Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

46 vite në diktaturë tjetërsuan dhe denatyruan shqiptarët. 46 vite në diktaturë i vendosën shqiptarët në terrorin e urisë, në terrorin politik të kasaphanës së luftës së klasave, në terrorin e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit. Izolimin më të thellë që ata kishin njohur në histori.

Themelimi i PD si parti e lirisë, të drejtave të njeriut, dinjitetit njerëzor dhe interesit kombëtar të PD, shënoi kthesën epokale për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Bëri që shqiptarët, njerëzit më të shtypur të planetit, të shndërrohen në qenie të lira, ashtu siç kishin lindur, ashtu siç janë njerëzit para Zotit dhe lirisë. Në rrugëtimin e saj, duke garantuar lirinë dhe të drejtat, PD ia doli të ndërtojë në Shqipëri sistemin demokratik. Ndërtoi ekonominë e tregut. Ia doli që shqiptarët, më të varfrit e të varfërve në Europë, dhe më të varfrit në planet, të lënë mbrapa të gjitha kombet e tjera të Ballkanit për rrogën mesatare të vitit 2008.

Ia dolën që shqiptarët, më të izoluar e Europës, të anëtarësohen në KiE, NATO, të marrin rekomandimin për statusin e vendit kandidat, të hapen, të vendosin bashkëpunim me vendet më të lira të botës. Shqipëria sot, 32 vite më vonë, është 32 herë më ndryshe nga ajo që ishte në vitin 1990 dhe 1991. Ndaj më lejoni t’ju uroj 32 herë, gëzuar festën, gëzuar themelimin e PD.

Miqtë e mi!

32 vite më parë interesi kombëtar nuk ekzistonte për shqiptarët. Një mur armiqësie ndante shqiptarët me Kosovën, ndante kombin brenda Shqipërisë, midis armiqve të qeverisë dhe të klasës dhe të tjerëve. PD i rrëzoi këto mure. Ajo ia doli me revolucion paqësor të shndërrojë Shqipërinë në vendin e shtetit ligjor dhe vendin e qytetarëve të lirë. Ajo në javën e parë të themelimit të saj do deklaronte se ylli i saj polar do të ishte çështja kombëtare. Kjo deklaratë do të bëhej programi i PD. E vërteta është se ne mbështetëm dhe mbështesim në çdo kohë, shqiptarët kudo që janë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanovc e kudo që ndodhen.

Pikërisht se PD u dëshmua zëdhenëse besnike e interesit kombëtar të shqiptarëve dhe çështjes kombëtare, jo rastësisht, pavarësia e Kosovës do shpallej në Tiranë, në vizitën e tij historike nga presidenti dhe miku i madh i kombit shqiptar, Xhorxh Ë. Bush. Në çdo rrethanë ne mbrojtëm dhe do mbrojmë interesin kombëtar. Kombi jeton në dy-tre shtete, por interesi kombëtar i shqiptarëve është një dhe i pandarë dhe ne do ta mbrojmë atë në çdo kohë, në çdo rast, pa u lëkundur, sepse është jetik për të ardhmen tonë.

Kjo është arsyeja se pse ne mbështetëm me gjithë potencialin tonë, luftën çlirimtare në Kosovë, mbështetëm pavarësinë e Kosovës, kundërshtuam me forcën më të madhe pazaret e Edi Ramës dhe padronit të tij Vuçiç me kufijt e Kosovës dhe territorin e saj. Kundërshtuam me forcën më të madhe Ballkanin e Hapur të Aleksandër Vuçiç dhe vasalit Edi Rama si projekt ruso-serb.

Ne qëndrojmë për integrimin e Shqipërisë në BE, qëndrojmë për Nismën e Berlinit, për paqen dhe bashkëpunimin rajonal.

Të dashur demokrate dhe demokratë!

Në udhëtimin e saj 32 vjeçar, PD ka njohur ngjitjet, suksese të jashtëzakonshme, por edhe gabimet dhe problemet e saj. Pasi i ka njohur gabimet, shqiptarët i rikthyen besimin pas vitit 1997 dhe ajo në 8 vite qeverisje e ndryshoi Shqipërinë më shumë se ç’kishte kishte ndryshuar ajo në 800 vite të ekzistencës së saj.

Shqipëria ndërtoi rrugë, ura dhe tunele më shumë se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku. Shqipëria erdhi në moshën digjitale. Shqipëria bëri investimet më serioze në zonat e saj rurale. Ndryshoi arsimi, shëndetësia. Dhe ajo po kapte horizontet që meritonte. Por në vitin 2013 gjer më sot, koha ka ndaluar për Shqipërinë, koha është kthyer mbrapsht për Shqipërinë.

Më 11 dhjetor të vitit 1990, në plenumin e hoxhistëve, një njeri do ngrihej me klithma shtazore për t’u futur tanket universitetit dhe studentëve, dhe ky njeri, armik i egër i pluralizmit, ishte pikërisht daja e Edi Ramës apo babë Koleka, apo babë Pilua, siç e thërriste Edi në atë kohë Spiro Kolekën.

32 vite më vonë, Edi Rama, pasaardhës i babait që firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela, pasardhësi i Sipo Kolekës kundër nesh, ka vendosur dhe mendon të finalizojë veprën e tyre kriminale: asgjësimin e opozitës shqiptare.

Edi Rama, sot kryeministri më i korruptuar i planetit, ka përdorur të gjitha mjetet për të marrë peng opozitën. Ka përdorur agjenturë ruse, ka përdorur diplomatë të korruptuar, ka përdorur një monstër siç është Xhorxh Sorosi, për asgjësimin e PD-së.

Por sot, ne jemi më të fortë se kurrë. Sot ne jemi më të fuqishëm se kurrë. Forca qëndron në idealet tona, janë idealet tona, idealet e lirisë, e drejtësisë shoqërore, e interesit kombëtar. Ato janë të përjetshme sa ç’janë kombet të përjetshme. Ato do jetojnë aq sa do jetojë kombi shqiptar. PD do mbetet besnike e përjetshme e tyre.

Në vitin 1990, misioni ynë ishte të përmbysim monizmin e Ramiz Alisë dhe bllokmenëve hoxhistë. U përballëm me çdo lloj terrori, por nuk u mposhtëm. Forca e idealeve tona e përmbysi atë regjim.

Sot pas 32 vitesh ne jemi përsëri në një monizëm, që bazohet në krimin, drogën dhe korrupsionin shqiptar dhe ndërkombëtar. Edi Rama, armik i lirisë së shqiptarëve, ia ka dalë që me taksat tuaja, me paratë tuaja, të rekrutojë, të angazhojë në kundërshtim me ligjet e vendit dhe SHBA, njërin nga personat më të rëndësishëm në fushën e sigurisë së asaj toke.

Por ky është akt, të cilin duhet ta ndëshkojmë dhe do e ndëshkojnë shqiptarët.

Shqiptarët nuk mund të pranojnë një kryeministër që angazhohet në korrupsionin botëror kundër opozitës shqiptare. Shqiptarët nuk mund të pranojnë kurrë një kryeministër që angazhon eksponentë të shitur të agjencisë më të fuqishme të globit për shkatërrimin e Opozitës shqiptare. Shqiptarët nuk mund të pranojnë kurrë t’i dorëzojnë fatin e tyre një njeriu, një anti-shqiptari, një vasali që për karrigen e tij nuk kursen asgjë kundër shqiptarëve. Që për karrigen e tij nuk njeh parim, nuk ka normë, nuk ka moral, nuk ka ligj, nuk ka ideal.

Ndaj dhe sot, çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare e Matit, Klosit dhe gjithë Shqipërisë janë në një mision historik: përmbysjen e këtij monizmi të urryer. Përmbysjen e këtij monizmi armik të lirisë dhe të shqiptarëve, përmbysjen e monizmit të një njeriu që në shtatë vite me politikat e tij përzuri 31 përqind të popullatës, çka nuk ka ndodhur në asnjë luftë, në asnjë mënxyrë, në asnjë vend, përveçse në Shqipëri.

Ky mision kërkon të bëjmë gjithçka, të punojmë ditë e natë për fitoren e Skënder Gjucit, për fitoren e Bedri Hoxhës, duke u rikthyer kështu, duke përmbysur monizmin në Mat, duke larguar me urgjencë kryetarin që pak e  ka që çdo epiet t’i vihet sot. Këtij Agroni që keni këtu, i cili në mënyrë absolute ka vetëm interesat e xhepave të tij, të vëllait të tij, të familjes së tij dhe të asnjë matjani tjetër.

Ndaj edhe më datën 14 maj, Agroni duhet të dorëzojë çelësat dhe të bëhet gati për të gjitha prokurimet, për të gjitha vjedhjet që i ka bërë.

A e dini se ku i bën vjedhjet Agroni? Do çuditeni ju. Ua them unë! I bën me Erion Veliajn në Tiranë. 30 milionë euro ka fituar tendera në Tiranë kompania e familjes së tij, duke i ndarë me Erion Veliajn.

Agron, largohu vetë më mirë!

Bedri Hoxha, ju garantoj se njeriu që e do Klosin, Matin, qytetarët, njeriu që ka përkushtimin, ndershmërinë më të madhe për ta shndërruar atë bashki në shtëpinë e parë të çdo qytetari, për të përdorur me transparencë të plotë çdo qindarkë. Por që të dy së bashku do përgjysmojnë taksat.

Ne jemi parti e taksave të ulëta.

Ne besojmë se paratë në xhepat tuaja janë më të vlefshme për ju dhe shoqërinë se paratë e taksave të shtetit. Taksa e ulët është ligji unë.

Të dashur miq!

Kjo është njëra anë e medaljes së misionit tonë. Por misioni ynëka anën tjetër. Largimin një minutë e më parë i Edi Ramës nga pushteti. Ne, së shpejti kalojmë në betejën finale, kundër këtij armiku, i cili turpëron çdo vend, çdo njeri, çdo qytetar. Kundër këtij armiku, që zbaton parimet më të zeza ndaj kundërshtarit dhe opozitës. Kundër këtij armiku të pabesë, të paskrupullt, që nuk ngurron t’i fusë edhe thika edhe partnerit më kryesor strategjik të Shqipërisë, Europës dhe botës së lirë.

Edi Rama ka tejkaluar çdo lloj pragu, çdo lloj vije të kuqe. Çdo ditë që qëndron është dënim, është haraç, është turp për çdo shqiptar.

Ndaj dhe të ngrihemi, t’i tregojmë botës se ne kurrë, korrupsioni nuk na mposht. Se ne kurrë pabesia nuk na mposht. Se ne kurrë nuk pranojmë dhe nuk do pranojmë monizmin, përkundrazi do bëjmë gjithçka, çdo sakrificë që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë.

Ndaj matjane dhe matjanë të bëhemi për betejën tonë finale,me çdo çmim, me çdo kusht, qytetarët shqiptarë duhet të votojnë të lirë.

Rroftë Mati, rroftë Shqipëria, rroftë PD. Zoti ju bekoftë ju dhe mbarë shqiptarët.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale