/

Berisha thirrje për protestë në orën 17:00 para Parlamentit: Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve, trajtohen në parlamentin shqiptar me praktikë staliniste, kriminale, të turpshme!

Mirëdita!

Jam para jush per t’u bërë thirrje demokratëve dhe demokrateve, qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës të bashkohemi sot në ora 5, në një protestë të fuqishme para parlamentit shqiptar.

Kjo protestë që shënon vazhdimin e revolucionit demokratik, ka për qëllim madhor ngritjen e zërit. Revoltën kundër dhunimit, shkelmimit të interesave të 750 mijë zgjedhësve shqiptarë të cilët më datën 25 prill votuan për partinë opozitare.

Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve trajohen në parlamentin shqiptar me praktika absolutisht staliniste kriminale të turpshme. Përfaqësuesit e këtyre 750 mijë qytetarëve shqiptarë që kanë detyrë themelore mbrojtjen e interesave të tyre, kontrollin e qeverisë dhe transparencën nga abuzimet. Përjashtohen, bllokohen, iu mohohet e drejta e fjalës dhe nuk lejohen të krijojnë komisionet hetimore parlamentare si një institucion themelor i parlamentit për të bërë transparencë.

Superskandali Rama-McGonigal, apo Rama-McGonigal-Gate ka tronditur opinionin publik në SHBA në Europë dhe në Shqipëri. Në këtë superskandal dosja shqiptare është e një rëndësie të jashtëzakonshme për zbardhjen e të vërtetave rreth këtij skandali.

Kjo dosje është historiku i korruptimit të kryezbuluesit të FBI, pagesën e tij si vrasës për shkatërrimin e opozitës shqiptare.

Pasojat e këtij korruptimi janë të shumëfishta. Kongresi i SHBA po heton, dhe ne kemi besim te hetimi i tyre, por natyrisht është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal.

Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë agjendë tjetër, përpara hetimit të skandalit Rama-McGonigal.

Qytetarë dhe qytetare!

Zëri juaj dhe prania juaj ka një rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri. Ajo sot është shndërruar në fiktivitet. Ajo sot është irreale, por duhet secili të qendrojë, duhet të rezistojmë. Duhet të bashkojmë forcat tona për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij regjimi që nuk meriton asnjë ditë.

Ju e shihini, ata që u strukën në vrima miu në datën 11 shkurt. Ata që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut ku ishin futur dhe tallen me qytetarët. Tallen me protestën e tyre të jashtëzakonshme.

Ky është morali i tyre, ky është karakteri i tyre.

Ndaj dhe sot në ora 5, ju ftoj të gjithëve para parlamentit, të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë sallës, zëri i popullit opozitar.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale