/

Berisha thirrje të gjithë opozitarëve: Të bashkohemi, armiku ynë është Edi Rama. Ne do fitojmë sepse jemi në misionin e shpëtimit të Shqipërisë. Do fitojmë sepse kauza jonë është e drejtë

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve opozitarë që të bashkohen kundër Edi Ramës.

Kryedemokrati Berisha, theksoi në fjalën e tij, se Edi Rama nuk rrëzohet me fjalime dhe votë, sepse votat ai i vjedh.

Por, Berisha tha se, Edi Rama  rrëzohet me aksion dhe me mosbindje civile. Teksa ftoi edhe diasporën dhe emigrantët, duke u shprehur se Partia Demokratike do të ju sigurojë atyre votën dhe të gjitha të drejtat që ju garanton atyre, Kushtetuta e Shqipërisë.

Sali Berisha, e mbylli fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar të PD, duke u shprehur se opozita do të fitojë

‘Do fitojmë sepse kurrë në jetën time nuk kam parë një dëshirë më të zjarrtë për rotacion sesa sot. o shpëtojmë Shqipërinë duke rikthyer votën e lirë për çdo shqiptar. Ne kurrë nuk marrim pushtet tjetër përveç atij që buron nga vullneti i lirë i shqiptarëve.

Por rikthimi i votës së lirë ka si kusht të të gjitha kushteve, përmbysjen e diktaturës së bandave, të armikut të egër të votës së lirë, Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të lira për shqiptarët’, theksoi në fund të fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Siç është tradita, në emrin tuaj do të falënderoj nga zemra, mikun e shquar të PD-së, timin dhe të Shqipërisë, të nderuarin deputet të Forza Italia, Alessandro Batilocio, kryetar i parlamentit të sigurisë në parlamentin italian.

Zonjën Erica Mazzeti, deputet e Forza Italia.

Ardhja e juaj sot në këtë kuvend, është dëshmi e vazhdimit të lidhjeve mes dy forcave politike që kanë transformuar më shumë gadishujt e Apenine dhe Ballkanit, mes Forza Italia dhe PD. Miqësi dhe bashkëpunim që nis në ditët e para të themelimit të Forza Italia nga i pavdekshmi Silvio Berlusconi dhe vazhdon sot dhe do të vazhdojë gjithnjë.

Faleminderit për praninë tuaj në Kuvendin tonë.

Të dashur delegatë e delegate të Kuvendit Kombëtar të PD.

Të dashur drejtues e anëtarëve, demokrate e demokratë, mbështetës të PD-së, kudo që jeni sot.

Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, të dashur miq!

Jemi në mbyllje të vitit 2023. Fundi i vitit është gjithmonë një kohë reflektimi. Por sot ju ftoj të bëjmë një reflektim pak më të thellë sepse ky fundviti shënon mbylljen e një dekade që qeverisemi nga rilindja, një dekade nga më të zezat në historinë e Shqipërisë.

Një dekade në të cilën humbëm votën e lirë, kombi humbi shpresën dhe 1/3 e gjakut të tij.

Një dekade, në të cilën arritjet tona u shpërbënë, shteti ligjor u zëvendësua me narkoshtetin.

Kjo mund të quhet pa mëdyshje, dekada e shkatërrimit. Ku ishim dhe ku jemi. Çfarë po ndodh me kombin tonë sot.

Sot kombi ynë është një komb shpresë humbur, që vajton të rinjtë që nuk gjejnë të ardhme në këtë vend, është një komb që lëngon sepse trupi i tij anë e kënd është i kapluar nga metastazat e drogës dhe krimit, është një komb që dergjet në varfëri dhe skamje sepse ai është më i plaçkituri ndër kombet e Europës.

Prona private sërish grabitet, jo më nga komunistët, por nga të ashtuquajturit investitorë strategjikë.

Shqiptarët vijojnë të persekutohen jo më nga policia sekrete hoxhiste, por nga bandat e qeverisë dhe patronazhistët, nga organizatat kriminale në institucionet e narkoshtetit.

Nuk kemi më gjykata popullore, por kemi SKAP-in dhe gjykatat e partisë, grupet e strukturuara kriminale, brenda të cilave përdoren për t’i dhënë grushte armiqve në opozitë.

Interesin kombëtar ia kemi shitur Serbisë dhe Tiranën e kemi shndërruar në një Beograd të dytë.

Popullsia është ulur me 35 përqind në 10 vite. Me braktisjen masive dhe me dominimin e vdekjeve mbi lindjet, për herë të parë kombi ynë është një komb në vdekje, një gjë që as në komunizëm nuk ndodhi.

Të gjitha këto dhe shumë të tjera, ashtu si në diktaturën staliniste, sërish ndodhin nën shëmbëlltyrën e një demoni që ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe që kërkon të mbajë pushtetin me forcë mandat pas mandati dhe ky demon është Edi Rama.

Sot, ne jemi përsëri në kushtet e një diktature të re, por jo ideologjike me burgje e kampe, por jemi në mobokraci, në narkodiktaturë, në të cilën njëlloj si në diktaturën ideologjike, pushtetet ndodhen në dorën e një njeriu. Ky njeri e ushtron pushtetin jo me ligje, jo me Kushtetutë, por me banda, me krime, me mafien e drogës. Ai kalon nga mandati në mandat sepse paratë e drogës, fuqia e krimit, shndërrohen në vota, kurse vota shndërrohet në krime, në grabitje të pasurive dhe fondeve publike, në vrasje, burgosje të kundërshtarëve, korrupsion transnacional për të shkatërruar opozitën.

Shndërrohen në frikë dhe tmerr dhe këto të fundit, njëlloj si në diktaturën ideologjike, shndërrohen në votë.

Në këtë dekadë, demokracia u shkatërrua, zgjedhjet e fundit ku shqiptarët kanë votuar të lirë, kanë qenë zgjedhjet e vitit 2013.

Në këtë zgjedhje u shkatërrua pluralizmi, logoja e partisë më të madhe opozitare, partisë që përmbysi diktaturën komuniste, është konfiskuar.

Të drejtat kushtetuese të opozitës mohohen dhe një plagë e vjetër u rihap sërish, u rikthyen burgosjet politike të opozitës.

Në këtë dekadë, parlamenti u shndërrua në një karikaturë, një parlament ku opozita në një grusht shteti brenda shtetit, humbet të drejtat e saj kushtetuese, ku në seancat e tij, garda bëhet badigardë e qeveritarëve dhe buxheti i shqiptarëve kalon në 4 minuta.

Në këtë dekadë, u rikthye monizmi. Sot, ai qeveris ka më shumë pushtet edhe se diktatori i fundit komunist shqiptar, Ramiz Alia.

Sot shqiptarët kanë më pak para se 10 vite më parë, ndërkohë që në një ekonomi tregu funksionale dhe jo droge dhe oligarkësh, qytetarët duhet të jenë më të pasur vit pas viti.

Kjo nuk ndodh se kjo ishte dekada e vjedhjeve të shekullit. Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe Erion Veliaj me inceneratorët.

Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe Ilir Beqaj me sterilizimin dhe koncesionet në shëndetësi.

Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe zyrtarët e tij me tendera sekretë.

Miliarda euro të tjera janë bërë gati të vidhen në Portin e Durrësit nga Edi Rama dhe Ali Babatë e tij me projekte të tjera.

Vjedhje dhe vetëm abuzime dhe vjedhje në dekadën e varfërimit të shqiptarëve.

Kombi ynë është një komb jetëgjatë. Me jetëgjatësinë e tyre, shqiptarët kanë kaluar shumë vështirësi, sulme nga armiq barbarë, diktatura nga më të egra. Për hir të së vërtetës, armiqtë e Shqipërisë kanë qenë të shumtë dhe të ndryshëm.

Por unë me shumë dhimbje u ftoj ju kurrë të mos harrojmë se ekziston një lloj armiku, soji i të cilit është më mizori në historinë e kombit tonë. Ky armiku më i lig është armiku shqipfolës.

Kemi pasur disa prej tyre, por 10 vitet e fundit në listën e armiqve shqipfolës është shtuar emri i Edi Ramës.

Ky armik i ri, në raport me qenien kombëtare, tejkalon çdo armik tjetër shqipfolës para tij.

Enver Hoxha, luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet, e shndërroi në luftë civile për karrigen e tij dhe vendosi diktaturën më staliniste. U provua kasapi më i egër i shqiptarëve.

Kurse Edi Rama, pinjolli i xhelatit Kristaq Rama, që firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela, u grabiti shqiptarëve në 10 vitet e fundit, atë që për shekuj u kishte munguar, u grabiti pluralizmin e vërtetë, u grabiti demokracinë.

Edi Rama njëlloj si Enver Hoxha që tradhtoi dhe shiti Kosovën martire, është sot një Pashiq i dytë për shqiptarët.

Ne shembëm një diktaturë në vitet ’90 në një revolucion demorkatike, ne realizuam të paimagjinueshmen për shqiptarët, realizuam pluralizmin, më në fund Shqipëria kishte shumë parti. Kishte opozitë. Realizuam zgjedhje të lira, u anëtarësuam në Këshillin e Europës, liberalizuam vizat, u anëtarësuam në NATO, morëm rekomandimin e statutusit të vendit kandidat.

Të gjitha këto ishin fryte të një revolucioni të bazuar në ëndrrën që ta bëjmë Shqipërinë si të gjithë Europa.

Dhe vërtet shqiptarët fituan shumë ato vite, por mbi të gjitha, për të parën herë, arritën të jenë ndonëse në dy shtete të pavarura, një komb i lirë.

Rriteshim në popullsi, por edhe në të ardhura personale vit pas viti.

Por pas një periudhe fitoresh revolucionare, vjen gjithmonë një kundërpërgjigje e diktaturës së vjetër.

Dhe kjo kundërpërgjigje erdhi me emrin rilindje, në të vërtetë, vdekje e demokracisë. E bazuar siç u shpall që në fillim të herës si aleancë e qelbësirave të kombit me në krye një armik shqipfolës me emrin Edvin Kristaq Rama, i cili dëmet që i ka bërë Shqipërisë në 10 vite, renditet fare mirë, fill pas Enver Hoxhës në listën e armiqve shqipfolës më të egër të historisë tonë kombëtare.

Imagjinoni një komb që noton në krim dhe drogë, duke nisur që nga kryeministri dhe polici i thjeshtë, imagjinoni një komb ku bandat lëshohen nga burgu për të vjedhur zgjedhjet, imagjinoni një vend ku kodi zgjedhor shpallet një kinezeri dhe votat vdesin pa hyrë në kuti. Imagjinoni një komb ku partisë më të madhe i vidhet logoja, i caktohet kryetari dhe i mohohet përdorimi i emrit. Imagjinoni një komb ku pasuritë më të mëdha i dorëzohen qeveritarëve dhe bandave të krimit të organizuar. Imagjinoni një komb ku zhduken miliarda euro të qytetarëve. Ato euro janë djersa, janë lotët, janë gjaku, janë mundi juaj.

Imagjinoni një komb ku drejtësia nuk merr asnjë masë për këto krime, por burgos politikanë të opozitës pa asnjë provë, pa asnjë fakt, por vetëm e vetëm me urdhër politik.

Imagjinoni një komb që tokat e planifikuara për gjimnaze, grabiten nga kryeministri me pronarë mediesh si ortakë.

Imagjinoni një komb ku parlamenti u ndalon deputetët të zgjedhin kryetarin e grupit.

Imagjinoni një komb ku parlament nuk lejon komisione hetimore?

Kjo është Shqipëria e Edi Ramës, kjo është Shqipëria e sotme.

Berisha përshëndet deputetët kudo që janë: Ne ia dolëm, e shpëtuam opozitën, e shpëtuam parlamentin

Nëse doni të kuptoni gjendjen e një kombi, çdo qytetar duhet t’i hedhë një sy parlamentit të tij.

Nëse doni evidencë më të qartë për rikthimin e diktaturës, përsëri theksoj, hidhni një sy parlamentit tonë.

Një nga projektet më të hershme të Edi Ramës ka qenë shkatërrim i parlamentit. Sepse po shkatërrove parlamentin, ke asgjësuar pluralizmin, demokracinë dhe sovranitetin e brendsghëm të kombit.

Në vitin 2013, Edi Rama bëri pucin e parë ndaj parlamentit. Ai e kriminalizoi atë, e mbushi me kriminelë nga më ordinerë dhe e veshi ata me kostumin e deputetit.

Pas ligjit të dekriminalizimit, Edi Rama bëri puçin e dytë ndaj parlamentit, kësaj here në përpjekje për të krijuar opozitën fasadë. Ai mori peng kryetarin e opozitës dhe synoi krijimin e pseudo opozitës dhe kishte planifikuar që me këtë kallp opozitë, të qeverisnin në kurriz të shqiptarëve. De facto, t’i bënin gjëmën demokracisë shqiptare.

Edhe këtu, Edi Rama dështoi. Së bashku ia thyem ëndrrën e bashkëqeverisjes me pseudo-opozitën.

A kishim kosto ne për këtë? Sigurisht që po.

Nga dita që unë refuzova bashkëqeverisjen me Edi Ramën, që mu propozua nga kryekëshilltarët e Lulzim Bashës, unë u dizenjova non-grata dhe sot kam një dhëndërr të burgosur politik.

Dhe tani çfarë i mbeti Edi Ramës? Tregoi më në fund në sytë e të gjithë botës se kush është në të vërtetë.

Vendosi t’i bëjë parlamentit një grusht shteti brenda shtetit.

Por ne ia dolëm, e shpëtuam opozitën, e shpëtuam parlamentin. Grupi ynë parlamentar, dhe i përshëndes deputetët kudo që janë, në këtë sallë dhe kudo që ndodhen, me mosbindje civile, e zhyti në ilegalitet parlamentin e krimit, parlamentin e diktaturës, parlamentin e narkoshtetit.

Por kur opozitës i mohohet çdo e drejtë e mundshme e dhënë nga Kushtetuta, kur garda kthehet në një polici kundër opozitës, kur buxheti kalon për 4 minuta, kur Kushtetuta shkelet çdo ditë, a mund të quhet më Shqipëria një republikë parlamentare.

Përgjigja është vetëm një:

Në Shqipëri është rikthyer diktatura, diktatura e bandave, e krimit e drogës , ne do ta përmbysim atë.

Në këmbë demokrate e demokratë, mosbindja civile është betimi im.

Të dashur miq!

Përmenden se vendi ynë ka patur armiq shqipfolës të rrezikshëm.

Por të mos keqkuptohemi, historia e Shqipërisë nuk është historia e tradhëtarëve, historia e Shqipërisë është historia e heronjve, e patriotëve, e njerëzve të ndershëm, demokratëve, punëtorëve, atdhetarëve.

Për gdo tradhtar, pushtues ka patur gjithmonë heronj shqiptarë që kanë shpëtuar Shqipërinë.

Pushtimi nga perarondoria më e madhe e kohës, nxori Skëndërbeun. Diktatura komuniste më e egër e kohës, solli lëvizjen studentore, prijësin e saj legjendar, Azem Hajdarin.

Azem ti je gjallë!

Edhe sot narkoregjimi i Edi Ramës do të zgjojë luanin e fjetur tek shqiptarët.

Pse i thashë unë sot këto fjalë. I thashë sepse gdo shqiptar duhet të ndajë mendjen, se kjo nuk është një betejë politike, është një luftë për ekzistencën, për shpëtimin e kombit dhe Shqipërisë.

Të dashur miq!

Ne nuk jemi kundër një partie, por kundër një partie shtet e zaptuar nga mafia shtetërore më e rrezikshme e Europës me në krye Edi Ramën.

Kundër atyre që në 10 vite treguan se nuk dua pluralizëm, demokraci, shqiptarë. Jemi kundër armikut shqipëfolës, Edvin Kristaq Rama.

Me votë ai nuk ikën sepse votën e lirë nuk e lejon, sepse po la pushtetin ai përballet me përgjegjësinë e krimeve të tij të tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve këtë dekadë.

Çfarë mbetet për të bërë në këto rrethana?

Përgjigjen për këtë e kemi demonstruar në parlament, aksion pa kthim, mosbindje civile, aksion pa kthim gjer në fitore.

43 vetë jemi në parlament, vetëm një muaj kemi dhe me kaq veta, në kaq pak kohë, me betejën pa kthim dhe mosbindjen civile, ne fituam dy beteja kyçe.

Së pari i qorrëm maskën Edi Rama. E mbarë gjithë bota mësoi ditët e fundit, se Shqipëria një vend anëtar i NATO-s ka një kryeministër që ka bërë grusht shteti brenda shtetit.

U mohon të drejtat kushtetuese deputetëve, se për shkak të megavjedhjeve dhe lidhjeve të tij të tmerrshme me krimin nuk pranon kontrollin parlamentar, vetëm e vetëm se ka tmerr nga hetimi i tij.

Mbarë bota e pa se Edi Rama është një kryeministër që kalon buxhetin e shqiptarëve të të gjithë vitit, në 4 minuta, një kryeministër i cili fshihet prapa Gardës, njëlloj si bosët kryesorë të karteleve të drogës në Meksikë, Kolumbi apo vende të tjera.

Por të dashur delegate e delegatë, demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë!

Mos prisni gjithçka nga delegatët e opozitës.

Ne në parlament po mbrojmë të drejtat tona kushtetuese, dhe të drejtat e 600 mijë qytetarëve që kanë votuar kundër qeverisë. Por sot çdo shqiptar ka të drejta të shkelura, është i grabitur nga qeveria është i agresuar nga shteti, prandaj përgjigja e çdo kujt duhet të jetë, aksion pa kthim me mosbindje civile.

Mit’hat Frashëri ka thënë se ‘shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

Unë sot nga ky kuvend u bëj thirrjeve demokratëve, qytetarëve, aksion pa kthim për votën e lirë të shqiptarëve, aksion pa kthim ndaj armikut të identitetit tonë, mos bindje civile për liritë tona. Ne do të fitojmë.

Ju bëj thirrje të gjithë opozitarëve, jo vetëm atyre demokratë.

Ne mund të jemi të ndryshëm, por Edi Rama është armiku ynë i përbashkët. Mos mendoni se Edi Rama rrëzohet me fjalime, deklarata apo me zgjedhje.

Prandaj ju ftoj të bashkoheni në aksionin pa kthim me mosbindje civile për shpëtimin e demokracisë, ne do të fitojmë.

U bëj thirrje qytetarëve, dhe veçanërisht atyre pa parti.

Pluralizmi politik është i juaji. Paratë e inceneratorëve që vjedh Rama e Veliaj janë tuajat.

Ato 1 mln shqiptarët që kanë ikur, janë fëmijët, vëllezërit, motrat tuaja.

Krimi që sundon ju kanos edhe ju, apo të dashurit tuaj.

Heshtja juaj është aleati më i fortë i Edi Ramës dhe narko regjimit të tij, prandaj thirrja ime për ju, për të ardhmen tuaj, të ngrihemi në mosbindje civile.

Aksion pa kthim. Ne do të fitojmë.

Një thirrje të veçantë dua të ju drejtoj nga kjo platformë të gjithë shqiptarëve në emigracion.

Roli juaj është jetik në këtë beteje vendimtare për fatet e Shqipërisë. Në vite ju keni sjellë miliarda në Shqipëri dhe megjithë këtë kontribut financiar që sillni, sot ju nuk të drejtat themelore kushtetuese. Nuk keni të drejtën e votës.

Ju jeni larguar nga Shqipëria, por nuk e keni harruar vendi tuaj. Ju jeni shqiponjat që fluturojnë larg, por që gjithmonë ktheheni në fole.

Trupi juaj gjendet në trojet tjera, por zemra juaj rrah për Shqipërinë.

PD ju garanton ju, jo vetëm votën, por të gjitha të drejtat që gëzoni nga kushtetuta e vendit. Të gjitha hapësirat për një rol të fuqishëm në zhvillimin e Shqipërisë.

Ju të dashur shqiptarë në emigracion dhe diasporë, që jetoni në vend të lira, jeni engjëj, gardianë të vërtetë të Shqipërisë dhe demokracisë së saj.

Prandaj ju bëj thirrje në këtë betejë për shpëtimin e Shqipërisë, kundër armikut shqipfolës, Edvin Kristaq Rama, të bashkoheni me ne, në aksion pa kthim.

Ne do të fitojmë!

Zonja dhe zotërinj!

Kush përfiton sot nga diktatura e Edi Ramës. Një grusht fare i vogël njerëzish, rilindja, patronazhistët, krimi i organizuar, kartelet e drogës, oligarkët e qeverisë.

Kush i vuan sot pasojat e diktaturës.

I vuajnë më së pari të rinjtë shqiptarë të cilëve u vritet ëndërra. Dhe ëndërra e tyre është e ardhmja e Shqipërisë.

I vuajnë studentët, intelektualët, femerët, minatorët, arsimtarët, artistët, ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët, bizneset e mesme dhe të vogla, pensionistët, prodhuesit, të varfrit, të papunët, por edhe të majtët e tradhtuar.

Por çfarë të gjithë këta?

Këta janë shumica e heshtur e shqiptarëve. Këta janë të vërtetë, luani i fjetur i Shqipërisë. Bashkimi ynë do të jetë zgjimi i luanit. Zgjimi i luanit do të jetë fundi i narkokraturës së Edi Ramës, sepse zotët e Shqiptarët, zotët e Shqipërisë janë popullit shqiptar dhe jo rilindja.

Zoti i Shqipërisë, është sovrani dhe jo Edvin Kristaq Rama.

Ne do të fitojmë.

Të dashur miq!

Kjo është një betejë për ekzistencën e Shqipërisë, sepse në këtë betejë përballen idealet me krimin, diktatura me demokracinë, ata që e duan integrimin Europian, kundër atyre që duan integrimin e Shqipërisë në rrjetet globale të narkotrafikut.

Përballet shqiptari atdhetar me shqipëfolësin tradhtar dhe aparteid.

Do ta mbyll këtë fjalë duke u dhënë përgjigje në emër tuaj tre pyetjeve që çdo shqiptar ka nevojë të dëgjojë.

A do fitojmë?

Po më thoni ju mua, kush del fitimtar në një betejë, një luan i zgjuar apo një grup çakejsh dhe hienash të cilët presin t’ia mbathin sa më parë?

Do fitojmë sepse idealet e lirisë, me forcën e tyre janë të pathyeshme, janë forca jetike i suksesit në të gjitha betejat e luftëtarëve të lirisë.

Ne do fitojmë sepse sot jemi në misionin e shpëtimit të Shqipërisë. Do fitojmë sepse kauza jonë është e drejtë.

Do fitojmë sepse sot çdo shqiptar ka një arsye për të luftuar pa kthim.

Do fitojmë sepse do bashkohemi në frontin më të gjerë me çdo shqiptar, me çdo forcë politike, grup interesi, çdo organizatë që vendos të angazhohet me ne në betejën pa kthim kundër narkoregjimit të Edi Ramës.

Do fitojmë sepse kurrë në jetën time nuk kam parë një dëshirë më të zjarrtë për rotacion sesa sot.

Po si do fitojmë?

E kemi demonstruar se si. Me mosbindje civile, me aksion pa kthim. Por mosbindja civile është tmerri i diktatorëve.

Thonë shqiptarët dhe pyesin, kur do bëhemi si Europa, kur do çohemi për të drejtat tona?

Të sigurt të jeni ju, se në këtë betejë pa kthim, jemi ne që do bëhemi shembull për Europën.

Djem dhe vajza, burra dhe gra të lirisë, që në 32 vite, përmbysën dy diktatura.

Pyetjes së drejtë, se çfarë do bëjmë pasi të fitojmë?

Do shpëtojmë Shqipërinë duke rikthyer votën e lirë për çdo shqiptar.

Ne kurrë nuk marrim pushtet tjetër përveç atij që buron nga vullneti i lirë i shqiptarëve.

Por rikthimi i votës së lirë ka si kusht të të gjitha kushteve, përmbysjen e diktaturës së bandave,

të armikut të egër të votës së lirë, Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të lira për shqiptarët.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke vendosur kushtetutshmërinë, shtetin ligjor, barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke asgjësuar krimin e organizuar. Shqipëria nuk do të jetë më eksportues i rrezikshëm që kërcënon sigurinë e vendeve të tjera, por partner dinjitoz në luftën kundër tij.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke luftuar korrupsionin me forcën e ligjit dhe duke krijuar drejtësinë e pavarur, në të cilën do të jenë të gjithë të barabartë para ligjit.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke krijuar kushte të kalkuluara për ripopullimin, për rikthimin e shqiptarëve në Shqipëri.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke u rikthyer ëndrrën shqiptarëve, duke iu rritur pagat, duke investuar në burimet njerëzore, arsim, shëndetësi, duke vendosur minimumin jetik. Duke ulur taksat, duke krijuar klimën më të përshtatshme se kurrë për biznesin.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke ndezur motorët e reformave të thellë dhe të gjithanshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Ylli polar i yni është dhe do mbetet integrimi i plotë evropian.

Shqipëria kaloi një natë të gjatë 10-vjeçare, por dielli po lind përsëri për shqiptarët.

Rrezet e para kanë lindur në parlament, prandaj sa më shpejt të hidhemi në aksion pa kthim me mosbindje civile, të mbyllim këtë dekadë të errët dhe të shpëtojmë Shqipërinë.

Ne sot jemi në misionin e shpëtimit të Shqipërisë, historia jonë në betejë pa kthim është historia e Azem Hajdarit, e studentëve liberatorë.

Këtu në sallë me ne janë burra dhe gra, që jo 1, por sa e sa raste, u rrëmbyen armët nga duart atyre që donin t’i shkrehnin kundër nesh, apo që u vërsulën mbi tanke që ishin nisur drejt nesh.

Ndaj dhe sot, krenar më shumë se kurrë në misionin që historia, Shqipëria dhe kombi na besuan, të ecim besimplotë drejt fitores që meritojmë.

Zoti do e ndihmojë edhe këtë herë Shqipërinë.

Ne e duam shumë Shqipërinë.

Ne do i dalim zot asaj, do e shpëtojmë atë.

Rroftë Partia Demokratike,

Rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore

Beteja dhe fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale