Berisha: Vendi ka nevojë jetike për një kthesë. Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm për mbarë shqiptarët

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME BIZNESIN NË KUKËS

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof.Dr.Sali Berisha bëri thirrje nga Kukësi se vota për Emri Vatën në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë të jetë një mesazh i fuqishëm që banorët e kësaj zone i dërgojnë të gjithë shqiptarëve për të ndalur rrokullisjen e madhe dhe për të nisur kthesën e madhe. 

Berisha u shpreh se vendi ka nevojë të madhe për një kthesë dhe le të jetë Kukësi stacioni ku ndalet rrokullisja e madhe e vendit, ku ndalon shpërbërja e Shqipërisë dhe largimi masiv i shqiptarëve.

Berisha tha se, Rruga e Kombit e ka nxjerrë 4 herë veten deri tani, por qytetarët vazhdojnë të paguajnë taksën.Ai deklaroi se PD është për taksa të ulëta dhe heqjen e taksës së Rrugës së Kombit.

Kryetari i PD denoncoi grabitjen që u bëhet shqiptarëve me rrugët nga qeverisja e Ramës. Ai deklaroi se Rama ka investuar në ndërtimin e rrugëve një shumë rreth 2.2 miliardë dolarë dhe e gjithë kjo shumë është ndarë mes vetëm 5 kompanive të gjitha pjesë e klientelës së tij. Një kilometër në Unazën e Madhe është ndërtuar me 3 milionë euro kilometri gjatë qeverisjes së PD, por tani po ndërtohet me 22 milionë euro kilometri. Ndërtimi i Unazës së Madhe ndahet në lote vetëm për të vjedhur të gjithë.

Berisha denoncoi kriminalizmin që Rama i ka bërë invetsimeve strategjike si në rastin e Pëllumb Gjokës  Pëllumb Gjoka vrau të moshuarën 90-vjeçare për t’i grabitur  tokën dhe Rama i dha statusin  e inevestitorit stretegjik për të ndërtuar mbi 300 mijë metra karorë tokë që kishte grabitur.

Berisha u shpreh se investitorë të tillë banditë përjashtohen nga taksat nga Rama për të ndërtuar parajsën e mbi paratë e drogës.

FJALA E PLOTË

Ju përshëndes me përzemërsi ju, të gjithë biznesmenët e Kukësit dhe Qarkut të Kukësit, të gjithë banorët e kësaj bashkie.

Është kënaqësi të diskutoj me ju problemet themelore të një shoqërie, problemet e biznesit në prani të kandidatit, kryetarit të ardhshëm të Bashkisë Kukës, z.Emri Vata.

Kukësi, banorët e Kukësit dhe të Qarkut të Kukësit janë sot më të varfër në Europë. Këtu ne jemi në qarkun më të varfër të Europës. Dhe këtu ne nuk jemi në qarkun më të varfër të Europës, se lumjanët, se kuksjanët nuk janë punëtorë. Absolutisht, e kundërta është.

Këtu nuk jemi në qarkun më të varfër të Europës, se ky rreth, kjo trevë nuk ka potenciale dhe resurse ekonomike të mëdha. Kukësi ka resurse natyrore, ekonomike sa për shumë herë banorët me resurset ekonomike të Kukësit janë një kontribut i madh në ekonominë shqiptare.

Por Kukësi është qarku dhe rrethi më i varfër në Europë për shkak të kryekëput politikave që janë ndjekur ndaj këtij rrethi, ndaj këtij qarku.

Pra, në qoftë se sheh vetëm se ç’ka mbi tokë, këtu janë potencialet malore turistike më të mëdha të Shqipërisë dhe më të mëdhatë në Ballkan. Duke filluar nga Nikaj e Mërturi e duke përfunduar në Peshkopi, në Korab.

Por, në qoftë se hedh sytë zhvillimit të këtij sektori, ky sektor për të mos thënë është inekzistent, nuk është më shumë se në 10 përqind të të jgithë kapacitetit të tij.

Kukësi ka rezerva të mëdha minerare, por si të gjitha rezervat tjera nëntokësore, ato nuk janë shndërruar dhe nuk shndërrohen në të mira për qytetarët, për banorët e tyre.

Keni dëgjuar këto ditë ju të flitet për naftëne Shpiragut. Në mentalitetin dhe psikologjinë e vjetër duan ta paraqesin si lugën e artë. E vërteta është që Shpiragu ka naftë, kjo është e vërtetë 100 përqind.

E vërteta është që naftën e Shpiragut e ka sanksionuar mirë Shell-i dhe atë që në vitin 2012-2013, dhe atë me shpimin e parë në 6 mijë e ca metra. Dhe tre shpimet të tjera në atë zonë ku ishte përcaktuar, kanë konfirmuar. Po çfarë presim ne? Me këtë qeveri, pothuajse asgjë!

25 milionë ton krom ka Bulqiza dhe Batra. 25 milionë! Të dhëna të kompanive më të mëdha të botës. Çfarë ka në Bulqizë? Një mafie, e cila as që mendon për ata banorë. Qeveria hoqi rentën dhe ata nuk marrin asgjë. Aq sa merrni ju nga uji i Drinit dhe hidrocentraleve, aq sa merrni nga minierat e tjera.

Po e përsëris. Bëmë një ligj në vitin 2013, ku përjashtuam 8 vite nga taksat të gjithë ata që investojnë në turizmin malor dhe në atë kohë e në vazhdim vendosëm të ndërtojmë të gjitha rrugët që të çojnë drejt resorteve, drejt zonave turistike malore nga Çajupi deri në Theth, Valbonë dhe Tamarë.

Në mënyrë absolutisht armiqësore, akti i parë, qeveria e Edi Ramës e anuloi atë ligj. Po tani të shkosh dhe të investosh te Kroi i Bardhë, që është nga zonat më mahnitëse, më magjepse. Sigurisht, që kostoja e investimit aty është 50 përqind më e lartë se në Kukës dhe është 100 përqind më e lartë se në Durrës.

Ne nuk e bëmë për bujari atë ligj, por ata që shkojnë dhe investojnë atje, duhet t’i japin kohë njëherë të nxjerrin fitimin e tyre, dhe pastaj pas 8 vitesh do paguanin taksa. U hoq ai dhe u zëvendësua me ligjin e investitorëve strategjikë. Ligjin e investitorëve strategjikë le ta quajmë ligjin Gjoka, të këtij banditi i cili ka marr titullin investitor strategjik në Velipojë.

Pëllumb Gjoka, dhe shumë nga investitorët strategjikë të Edi Ramës janë Pëllumb Gjoka të tjerë marrin një thes me euro droge, shkojnë  dhe marrin 200 mijë, 300 mijë metër.

Pëllumb Gjoka  ka marrë 300 mijë metër katrorë tokë në Velipojë. E vau të moshuarën 90 vjeç, edhe i morën tokën me Edi Ramën dhe përjashtohet nga taksat, përjashtohet nga detyrimet, ndërton parajsën e tij të tërën mbi drogën, kurse këtu të gjitha këto mrekulli të vërteta të natyrës mbetën me një kohë tmerrëisht të ngadaltë, me investime shumë të rralla, pavarësisht se rruga ka shkuar, por qeveria në vend se të financojë, në vend se të subvenciojë investimet për potencialet e mëdha turistike, ajo përqendrohet me bllokimin dhe mbytjen e tyre.

E njëjta gjë mund të thuhet për mineralet. E njëjta gjë është me taksat.

Kukësi, Kruma, Tropoja duhet të kenë detyrimisht doganat tek tuneli, në Fierzë, Helshan. Pra së bashku me zonat kufitare të Kosovës.

Këto duhet të jenë zona të lira. Po pse?

Po sepse janë më të varfrat, dhe sepse qeveria duhet të bëjë gjithçka për rimëkëmbjen e tyre. Këta kanë shpallur një marrëveshje se gjoja do e bënin këtë, por absolutisht, asgjë nuk bënë.

Se ky, siç e dini ju është i kyçur, është angazhuar në një betejë anti-kombëtare ndaj Kosovës, dhe e ka krejtësisht  vetëm e vetëm për karrigen e tij. Sepse ky, Edi Rama, i diskredituar në mbarë botën për aferat e tij, për aferën McGonigal, përpiqet tani të tundë flamurin e kozmopolitizmit, si një flamur me të cilin do të paraqitet si faktor stabiliteti apo paqeje. Po ai është flamur i kozmopolitizmit, i rrethuar nga nacionalizmi, është flamur i rreckosur, që nuk ka asnjë vlerë.

Çfarë qendrojmë ne?

Ne qëndrojmë në përpjekjen tonë të madhe për zhvillimin e potencialit turistik në të gjithë qarkun e Kukësit, Dibrës dhe në të gjithë zonat malore të Shqipërisë. Vendet e tjera që i janë përmbajtur këtij parimi, jo vetëm që kanë subvencionuar, e vërteta është që kanë paguar banorët shtesë që të qëndrojnë aty ku janë.

Zvicra përshembull, u paguan banorët në të gjithë zonat malore. U paguan një shpërblim të përmuajshëm përveç pensionit e të tjera çfarë janë, por një shpërblim të posaçëm të qendrojnë aty në mënyrë që të mbahet turizmi. Sepse prania e tyre aty e mban turizmin.

Pra, ne do ndërtojmë një politikë në të cilën do të nxisim me të gjitha mënyrat, zhvillimin e turizmit në të gjitha zonat malore. Ne do bëjmë çdo gjë për potencialet dhe përpunimin e tyre. Potencialet minerare të këtyre zonave dhe përpunimin e tyre sa më të mundshëm. Do bëjmë çdo gjë që aq sa ka në profilin e tyre, pemtarinë dhe bujqësinë e blegtorinë, t’i subvencionojmë. Faktikisht ato po shkojnë drejt shkatërrimit.

Së fundmi ne jemi, ju e dini, parti e taksave të ulëta.

Në parimin tonë, taksa e lartë është e dëmshme, sepse paratë në llogarinë bankare të biznesit, janë më të dobishme për shoqërinë se në llogarinë bankare të shtetit. Biznesi investon, punëson, zhvillon dhe ekonomizon më mirë se shteti.

Kurse këta e kanë mendjen te taksat e larta dhe vjedhjet stratosferike.

Do t’u jap një shembull miqtë e mi, se jemi këtu. Duke ardhur Rrugës së Kombit, m’u kujtua.

Rruga e Kombit si kalim nga Morina në Mirditë, në Milot ka marrë përafërsisht dy vite, dy vite e pak. Mos harroni kur dëgjoni lajmet për Unazën e Tiranës. Unaza e Tiranës është gjithsej 25 km. Është një projekt i trashëguar nga qeveria komuniste e Adil Çarçanit. Duhet të jemi realistë. Ai projekti mund të pësojë modifikime, por gjurma e saj është e miratuar nga ajo qeveri.

Unaza e Madhe e Tiranës në vitin 2012-2013 ne e ndërtuam 7.5 kilometra. Mbetën në vitin 2013 edhe 17.5 kilometra. Edhe sot, pas 10 vitesh, ajo nuk ka përfunduar.

Sot, pas 10 vitesh, në qoftë se 7.5 kilometrat e para me gjithë veprat që kishte çdo gjë, shkuan në 3 milionë euro kilometri, sot ndërtojnë me 24 mln euro kilometri. Dhe e copëtojnë në lote që të vjedhin në çdo lot sa më shumë. Është jashtë çdo lloj imagjinate. Sot, 2.2 miliardë euro të shpenzuara në rrugë u janë dhënë 5 kompanive. Të gjitha klientelë e Edi Ramës, me të cilin ndan më mirë paratë.

Kjo situatë merr fund. Ne rikthehemi në standardet më të mira, më transparente të prokurimeve, rikthehemi te një luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rikthehemi gjithashtu, e them këtu, te një shpërndarje shumë më e drejtë e të ardhurave në Shqipëri.

Nuk mundet që kaskada të jetë kontributori më kryesor si vepër, në prodhimin e brendshëm dhe buxhetin e shtetit dhe banorët e saj të mos përfitojnë një qindarkë. Dhe kur ua thashë njëherë në parlament, u ngrit ajo Ballukja: Atje tha, kanë investuar të gjithë. Kanë investuar të gjithë, por pasuria ka qenë e tyre. Është e vërtetë që kanë investuar. Edhe ata që kanë investuar, e kanë marrë nja 30 herë atë investim.

Edhe Rruga e Kombit e ka nxjerrë nja 4 herë veten deri tani, dhe ju paguani taksën.

Për të gjitha këto ju bëj thirrje të shënojmë një kthesë të madhe me Emri Vatën në Kukës.

Vendi ka një nevojë jetike për një kthesë. Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm që banorët e këtij rrethi u dërgojnë mbarë shqiptarëve.

Le të jetë Kukësi stacioni ku ndalon rrokullisja e madhe e këtij vendi, ku ndalon shpërbërja e Shqipërisë, largimi masiv i shqiptarëve.

Me këtë rast dua të ftoj të gjithë biznesmenët e Kukësit këto ditë të japin të gjithë ndihmesën e tyre për fitoren e Emri Vatës.

Ftoj të gjithë lumjanët, kuksianët kudo që ndodhen, në Tiranë, në Shkodër, kudo, në Durrës, jashtë vendit, të vijnë të votojnë në Kukës në mënyrë për të firmosur ndryshimin.

Nuk e meritonte kurrë Kukësi, Safet Gjicin. Gjici ishte një kopje e shëmtuar e Edi Ramës. Unë nuk e njoh këtë tjetrin, por nuk meriton Kukësi përfaqësues të Edi Ramës dhe të Safet Gjicit.

Ndaj edhe duke e mbyllur edhe njëherë këtë fjalë, ju falënderoj edhe njëherë për praninë tuaj dhe ju ftoj të angazhohemi për një kthesë nga Kukësi, që do jetë një kthesë e madhe për gjithë Shqipërinë.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale