/

Kryetari i Partisë Demokratike, Z.Sali Berisha deklaratë për media

Deklaratë për media, datë 07 Nëntor 2022

Mirëdita!

Jam sot këtu për të përshëndetur përzemërsisht sindikatën e universiteteve të vendit, për betejën e tyre, vendosmërinë, mbrojtjen që kjo sindikatë u bëri dhe u bën interesave jetike të pedagogëve, punonjësve, studentëve të universitetve tona, por edhe interesave jetike të shoqërisë shqiptare dhe kombit shqiptar.

Kjo sindikatë, në interesin më të mirë të kësaj beteje ka vendosur që të ndërpresë thirrjen për bojkot, por të vazhdojë luftën dhe betejën. E garantoj se në çdo hap të saj, ajo dhe çdo organizatë apo individ që mbron një kuazë të drejtë do të ketë mbështetjen totale të PD..

Me këtë rast theksoj se nuk mund të pajtohem kurrë që një pedagog në Universitetin e Tiranës të marrë gjysmën e rrogës që merr një pedagog në Universitetin e Prishtinës dhe kjo vetëm e vetëm për faktin se qeveria e Kosovës nuk vjedh taksat, fondet, pasuritë publike siç vjedh Edi Rama.

Nuk mund të pajtohem kurrë që buxheti për shkencën në Kosovë të jetë disa herë më i madh sesa në Shqipëri. Nuk mund të pajtohem kurrë që studentët të subvencionohen me 100 euro kurse në Shqipëri u mbyllen dyert e universitetetve. Pra, për të gjitha këto ne shprehim mbështetje të plotë dhe totale ndaj sindikatës të pavarur, sindikatës së universiteteve të vendit.

Unë sot gjithashtu dua të denoncoj qëndrimet e Edi Ramës ndaj problemeve të mëdha, dramës shqiptare që luhet në kanalin e Lamanshit. Autor kryesor i kësaj drame, theksoj edhe njëherë, është Edi Rama. Arkitekt kryesor i kësaj drame njerëzore është Edi Rama, janë lidhjet e tij të tmerrshme me korrupsionin, janë vjedhjet e tij nga afera qindra milionëshe, janë rrëmbimi i votës, çka i bën këta qytetarë shqiptarë të pashpresë në vendin e tyre, janë lidhjet e forta me krimin dhe drogën personalisht të Edi Ramës, Olsi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë të vendit.

Edi Rama këto ditë është angazhuar në një beteje politike të brendshme në jetën e Britanisë së Madhe. I këshilluar nga këshilltarë që duan ta shtrojnë çështjen e shqiptarëve një luftë të brendshme për pikë politike, Edi Rama kalon nga një konferencë në tjetrën duke përdorur gjuhën e një njeriu më ordiner, gjuhë të cilën ai tregon se nuk ka minimumin e minimumit të asaj që quhet edukatë familjare apo njerëzore. Gjuhë e cila bazohet në urrejtjen dhe që për interesat e tij është gati të përdorë çdo fjalë dhe të mbajë çdo qëndrim.

Kjo që po ndodh me shqiptarët në Britaninë e Madhe, është kryekëput vepër e Edi Ramës, kjo ikje massive e shqiptarëve diktohet nga kjo qeveri që nuk ka ligj as moral. Nga kjo qeveri që vret çdo ditë, çdo orë, çdo minutë shpresësn e shqiptarëve.

Diktohet nga kjo qverie e cila pasi i dorëzon krimit të gjitha sistemet e sigurisë, të policisë së shtetit, sitemin TIMS, MEMEX, të gjithë kartotekën e krimit 30-vjeçare të policsë, pasi hap dyert për largimin masiv të tyre në drejtim të vendeve të tjera, pasi hap dyert për eksportin legal dhe illegal të krimit në katër anët e botës, në mënyrë të veçantë në Britaninë e Madhe, vesh petkun e pseudopatriotit dhe shan si një ordiner në rrugë.

Edi Rama duhet ta dijë mirë se eksporti i krimit është një nga aktet më të rënda që një vend mund të bëjë ndaj fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera. Dhe se lufta kundër krimit të organizuar është një nga detyrimet absolute më madhore të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, dënoj me forcën më të madhe, këto qëndrime të cilat qëndrojnë në themel të dramës shqiptare që luhet në La Manshe. Sigurisht hedh poshtë çdo etiketim të shqiptarëve. Kriminele dhe kryekriminele është qeveria e Edi Ramës. Është vetë Edi Rama, ministrat dhe zyrtrët e tij, të cilët arritën deri në atë shkallë sa të zhdukin çdo kontroll në kufijtë e vendit.

Shikoni çfarë ndodh në Portin e Durrësit. Për gjashtë muaj rresht, porti u la jashtë çdo kontrolli. Zbarkuan në Durrës tonelata të pafundme kokaine. Pork u shkuan ato? Ato shkuan drejt Europës, nuk shkuan drejt hënës. Dhe pasi u alarmua e gjithë bota, tani janë dyndur. Por në port, të gjithë autoritetet janë të përfshirë në trafikun e kokainës. Porti është shndërruar në portin më të madh të kokainës në Europë dhe Edi Rama përpiqet që t’i mbulojë këto me sharje ordineri, me sulme dhe fjalor të një njeriu si ai.

Edhe njëherë, dënoj këto qëndrime dhe deklaroj me përgjegjësi të plotë se shkak më madhor i këtyre është Edi Rama dhe qeveria e tij. PD do të aplikojë, sikundër ka faktuar në të kundërtën, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. PD do të jetë, do të zbatojë ligjin jo vetëm ndaj bandave në strofullat e mafies ku jetojnë, por ndaj bosëve të mafias në zyrat qeveritare.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale