/

N/Kryetari Luçiano Boçi, deputetja Albana Vokshi dhe deputeti Luan Baçi dorëzojnë në Kryesinë e Kuvendit kërkesën për Komision Hetimor për çështjen McGonigal.

Luçiano Boçi: Kemi dorëzuar kërkesën për 44 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen Rama-McGonigal. Me këtë komision do ta nxjerrim Ramën nga kamarja ku është fshehur, pasi që e dini shumë mirë që kryeministri nuk pranon as interpelancë, as mocion me debat, as vjen të japë shpjegime në parlament, por në mënyrë të çuditshme del nga frengjia e Skype-s dhe mundohet të justifikohet.

Jo vetëm Komisioni do ta nxjerrë nga kamarja, por do ta nxjerrë edhe protesta e datës 11. Ndërkohë që, e dimë shumë mirë që ka një paralajmërim nga kreu i grupit parlamentar të PS për mospranimin e Komisionit Hetimor, nën justifikimin që nuk di sesi t’ia vë epitetin fëminor, apo budallallëk ligjor, pasi pretendon që ky Komisionet do të ndryshohet.

Ndërkohë rregullorja e përcakton qartë në nenin 25, kur ¼ e deputetëve kërkojnë ngritjen e një komisioni është detyrë e Kuvendit ta pranojë komisionin.

Është refuzuar komisioni po prej Edi Ramës për çështjen e çarterave, dhe pretendimet dolën hapur. Rama ka shfrytëzuar dhe ka harxhuar paratë e taksapaguesve 20 milionë euro, pasi dolën faktet në media. Megjithatë ai nuk prano iqë të vijë në komision. Nuk do të shpetojë kësaj radhe. Nuk mundet që Rama të fshihet përsëri. Do vijë në Komision Hetimor si Çeço dhe do të përgjigjet para këtij komisioni.

Paralelisht jeni njoftuar që Kongresi Amerikan ka ngritur një komision të tillë hetimor dhe ka kërkuar nga FBI të gjitha informacionet e detajuara për këtë çështje McGonigal, përfshirë edhe Ramën, sepdse është edhe akuza e dytë që bëhet në aktakuzën e Grand Jurisë.

Dhe njëkohësisht, ky komision i yni do i marrë të gjitha detajet dhe do të kërkojë nga kryeministri të gjitha takimet dhe pjesët e duhura për të zbardhur të gjithë skandalin e përpjekjes së Ramës për të korruptuar institucionet e sigurisë amerikane me qëllim goditjen e sistemit politik në Shqipëri, goditjen e pluralizmit, eleminimin e opozitës.

Nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë, madje edhe gjithçka do t’i kthehet në bumerang. Faleminderit!

Pyetje: Z.Boçi, te firmat që janë mbledhur për komisionin, vëmë re që është edhe firma e z.Bardhi, por edhe të deputetëve të tjerë që deri diku kanë qenë kandidatë të drejtimit ndryshe për sa i përket PD. A janë këto sinjale bashkimi, dhe a do të ketë një tjetër përpjekje për t’u bashkuar përpara zgjedhjeve?

Boçi: Sigurisht, këto janë sinjale dhe shprehin atë dëshirën politike për të qenë bashkë pjesë e refleksionit të instiktit politik për të qenë një në luftën përballë tij që konsiderohet dhe kundërshtari ynë i përbashkët.

Ne duam që raste të tilla të bashkëpunimit të jenë në vijëmësi, pasi në PD ka mendime të ndryshme, por nuk ka qëllime të ndryshme. Qëllimi ynë është i qartë e deri frontale me këtë mazhoranzë arrogante e cila si vërtetohet dhe faktohet kërkon të eleminojë pluralizmin në sistemin demokratik. Është detyra jonë dhe e çdo deputeti, çdo opozitari dhe qytetari që të mbrojë vlerat politike, vlerat e sistemit të mbrojë demokracinë.

Pyetje: Z.Boçi pse mendoni që PS do ndryshojë qendrim për ngritjen e Komisionit Hetimor në këtë rast, duke parë edhe precedentin, duke parë edhe mesazhet e dhëna që duken pësimiste në këtë drejtim.

Boçi: Unë nuk mendoj, unë them që do të detyrohet, do kërkojë me forcë zbatimin e rregullores se Kuvendit dhe nuk pres Hallellujah që ata të ndryshojnë mendim dhe unë të jem i kënaqur. Duhet zbatuar pikë për pikë rregullorja e Kuvendit. Është detyrim ligjor dhe kushtetues.

Këtu është shpresa dhe besimi im që duhet që të zbatohen ligjet e shtetit shqiptar. Ligjet e miratuara nga vetë Kuvendi, Rregullorja, Kushtetuta e vetë Kuvendit dhe Ligjet për Komisionet Hetimore.

Do t’i çojmë në Kushtetuese të dyja rastet. Edhe rastin e komisionit të parë për çarterat, edhe këtë rast për çështjen McGonigal-Rama.

ZYRA E SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale