O sot, o kurrë do ta kthejmë Shqipërinë në dheun e shqiptarëve. Kjo është betejë hyjnore!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha mbajti një fjalim me megafon nga dritarja e banesës së tij duke përshëndetur dhe falënderuar protestuestit që ndodheshin poshtë rrugicës së pallatit të tij.

Berisha tha se, shkak për mungesën e komunikimit të tij me qytetarët ka qenë për shkak të gjendjes gripale.Lideri demokrat u shreh se nuk do ta bëjë më vaksinën e imponuar nga pushteti. Ai u shpreh se, kjo është betejë hyjnore.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij se, ekstremisti Dumani është një vrasës ashtu si kriminelët e pushtetit të Edi ramës, pasi fshehu dosjen ku kërkohej eliminimi i kandidatit të PD. Berisha iu drejtua qytetarëve duke iu dhënë fjalën se ai do t’ia nxjerrë fytyrën e vërtetë të Dumanit para shqiptarëve.

Berisha tha gjatë fjalës së tij para mbështetësvese të tij se, do të kthejmë Shqipërinë në dheun e shqiptarëve, jo të Edi Ramës dhe mafies së Xhorxh Sorosit.

Berisha tha se, çdo njeri duhet ta dijë se njeriu më frikacak i Shqipërisë është Edi Rama.

FJALA E PLOTË

Të dashur demokrate dhe demokratë!

Vëllezër dhe motra!

Një përshëndetje të zjarrtë ju këtu që keni ardhur këtu në këtë protestë, por përshëndetje demokrateve dhe demokratëve kudo që janë sot.

Përshëndetje popullit opozitar nga zemra uroj sukses në betejën tonë pa kthim, në betejën tonë të fitores.

O sot, o kurrë! Në këmbë shqiptarë.

Miqtë e mi, këto ditë nuk kemi pasur një komunikim zanor me ju.

Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj. Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë. Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do ta bëj më ndonjëherë.

Miqtë e mi, Edi Rama në traditën e tij më të shëmtuar, në traditën e të atit të tij xhelat, i cili si zëdhënës i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, firmoste varjen në litar të fjalës së lirë të poetit të pavdekshëm Havzi Nela, urdhëroi mercenarët e tij të vendosin t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju.

Por unë do u rrëfej ju një gjë.

Miqtë e mi!

Unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy Kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë. Ajo është hyjnore, është tokësore. Ne i bindemi asaj, njëlloj si Zotit dhe ndaj u garantoj ju se Sali Berisha do pranojë dhe do bëjë vetëm atë që është në interesin tuaj, në interesin e demokratëve, në interesin e pluralizmit, në interesin e Shqipërisë.

Përveç kësaj, vendi, kombi ka një Kushtetutë të miratuar. Një Kushtetutë që përdhoset, shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama dhe mercenarët e tij në SKAP dhe në drejtësi.

Për Edi Ramën, Kushtetuta e vendit nuk ekziston.

Kushtetuta ka një nen të saj, ka nenin 17, në të cilin përcakton se nuk ka kryeministër, nuk ka gjykatës, nuk ka prokuror që mund të mohojë lirinë e shprehjes. Ajo mund të ndodhë vetëm me ligj, por horrat ligj nuk kanë, horrat moral nuk kanë. Ndaj dhe ne respektojmë Kushtetutën supreme, por respektojmë edhe Kushtetutën që qendron në themel të shtetit ligjor.

Miqtë e mi, kjo është një betejë që ka një mision të shenjtë hyjnor, rikthimin e pluralizmit pas zhdukjes së tij 33 vjet nga themelimi i PD.

Sot unë paraqita në fejsbukun tim flamurin e PD. Në fakt ai është flamuri i pluralizmit politik, flamuri i partisë që solli pluralizmin.

Edi Rama është vërsulur ndaj çdo demokrati dhe demokrateje me urrejtjen primitive, me tërbimin e papërmbajtur të etërve të tij, me shpresë dhe besim se do mund të arkivojë në histori PD.

Por ne jemi këtu sot për t’u betuar para ndërgjegjes sonë, para njëri-tjetrit se Edi Rama me grupin e tij kriminal, me skapistët e tij, mercenarë të krimit, do marrin shumë shpejt vendin që meritojnë. Në këtë betejë megjithatë ne jemi shumica, pasi shumica e padiskutueshme e shqiptarëve janë për pluralizmin politik, janë kundër mafies dhe shtetit të saj.

Megjithatë, për momentin është sundimi i saj.

Të dashur miq, ju keni konstatuar se në dallim nga çdo politikan, në këtë vend, unë kam sulmuar me ashpërsinë më të madhe prej dy vitesh SKAP-in si organizatë kriminale, si grupe të strukturuara kriminale. Sot do unë do t’u them ju shkakun themelor.

Në çdo gjë që kemi në vlerat tona politike, supervlerë  të gjithë ne kemi votën e lirë. Por në qoftë se, Edi Rama, ministrat e tij, Dumani, Doshi, tjerë me radhë, Gjiknuri, Manja, e të tjerë, janë vrasës të saj në terren, Dumani, Kraja dhe horra të tjerë janë vrasës të saj në dosjet që nuk i hapin kurrë.

Miqtë e mi!

Këta janë laro, janë armiq të lirive tuaja, të lirive të shqiptarëve, Këta, për atë që ndajnë me kriminelët në qeveri janë gati të shkelmojnë mbi lirinë më themelore votën.

Vetëm pak muaj më parë, në zyrat e ekstremistit Altin Dumani mbërrin dosja në të cilën, dosja zyrtare, dosja e firmosur nga zyrtarë, në të cilën dëshmohet se falangat e partisë së krimit, meqënëse nuk mund të fitonin Hasin, kërkonin të eleminonin kandidatin e PD. Dumani është një vrasës si ata, fsheh krimin e tyre dhe del përgjërohet në publik. Por ju jap fjalën ju, se atë fytyrë sicc e ka, do t’ia nxjerr para shqiptarëve, se ata do të jenë objekti si armë e diktaturës.

Do marrin nga populli opozitar së bashku me Edi Ramën përgjigjen që meritojnë. Ata janë hanxharët, ata janë shndërruar në veglat mjerane mbështetësit më kryesorë të diktaturës në Shqipëri. Mashtrues ordinerë, të cilët nga mëngjesi në darkë punojnë vetëm për pushtetin e Edi Ramës.

Por ne, kur ne nuk na impresionon Edi Rama, nuk ka si të na impresionojnë larot e tij në SKAP dhe kudo qofshin ata.  Pra ne fillojmë vitin në këmbë, në betejë. Betejë që nisëm me mosbindje civile në parlament. Këtë betejë nga kjo rrugicë do ta shtrijmë në të katërta anët e vendit. Shqipëria do ketë paq, do ketë stabilitet vetëmkur shqiptarët të votojnë të lirë dhe me dinjitet

Sot, është pra një ditë e mbarë për ne, sepse ne jemi më të vendosur se kurrë, ne sot jemi më të vetëdijshëm se kurrë se cili është regjimi i Edi Ramës.

Në fakt edhe unë u përpoqa të jap modestisht të jap ndihmesën time në mënyrë që të gjithë shqiptarët ta marrin vesh, bota ta marrë vesh se ç’përfaqëson kllouni i Brukselit, që në Uashington rekruton McGonigal, në Bruksel sillet si kloun, kurse këtu sillet si një narkodiktator. Duhet t’u them dhe një moment, frika miqtë e mi është një ndjenjë fiziologjike, mbrojtëse e rëndësishme për njeriun. Por frika ndaj frikacakëve, frika ndaj horrave pa moral është e pafalshme, është mëkat. Këtë ta ketë të qartë ccdo shqiptar.

Askush të mos mendojë se ka bandit krim, çdo njeri ta dijë se njeriu më frikacak i Shqipërisë është Edi Rama. Njeriu i parë që ia mbath është Edi Rama, pas tij si zagarë skapistët e krimit e të tjerë me radhë.

Ndaj le të vazhdojmë ne të pamposhtur çdo ditë me aktet e mosbindjes civile kundër kësaj diktature. E them dhe njëehrë, Zoti të vret kur armikut nuk i thua armik. Dhe ne ndonjëherë në histori nuk kemi pasur një armik më të egër të qenies sonë se Edi Ramën.

Jetojmë në një vend ku ligji nuk ekziston, ku ligji shkelmohet çdo ditë dhe zëvendësohet nga urdhrat e Edi Ramës. Jetojmë në një vend ku Kushtetuta zëvendësohet me vullnetin e lig të një njeriu që vjedh dhe që ka vjedhur në 10 vite më shumë se të gjithë kryeministrat, shqiptarë dhe pushtues të të gjitha kohërave. Jetojmë në një vend ku 90 përqind e gjithçkaje që krijohet si të ardhura, vidhet dhe shpërdorohet nga Edi Rama dhe suita e tij. Jetojmë në një vend nga i cili, si në asnjë vend tjetër në Europë, shqiptarët largohen me brengën e madhe se këtu nuk jetohet.

A ka pra, mision më të shenjtë, a ka gjë më të madhe se të firmosim kthesën e historisë? A ka gjë ëm të madhe se së bashku të firmosim përmbysjen e kësaj diktature të dytë në 32 vite? A ka gjë më të madhe se së bashku të kthejmë Shqipërinë në dheun e shqiptarëve, jo të Edi Ramës, mafies së Xhorxh Sorosit dhe mafies ndërkombëtare.

Shqipëria e shqiptarëve, Shqipëria e shqiptarëve, Shqipëria e shqiptarëve!

Vetëm Shqipëria e shqiptarëve do jetë një vend i denjë, krenar për bijtë dhe bijat e saj. Do të jetë një vend i denjë krenar për miqtë e saj në rajon, për miqtë e saj në Europë, për miqtë e saj në botë.

Shqipëria e Edi Ramës është Shqipëria e mallkuar për shqiptarët. Shqipëria e Edi Ramës është Shqipëria e burgosjes së liderëve të opozitës njëlloj si Mianmari, Teherani, Bjellorusia, Rusia dhe të tjerë. Shqipëria e Edi Ramës është Shqipëria në të cilën qytetarët vidhen më shumë se në çdo vend të tjetër të botës. Shqipëria e Edi Ramës dhe e Xhorxh Sorosit është Shqipëria e demoralizimit të plotë të rinisë, të qytetarëve, për situatën e krijuar.

Ndaj dhe duhet të ngrihemi, të ngrihemi me guxim. Është koha e guximtarëve, është koha e sakrificave, është koha e fitores.

Ne do fitojmë!

Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë populli opozitar, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ju falënderoj nga zemra. Ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë në mbarë vendin me besim të plotë, dhe mos harroni asnjëherë se për idealistin, njerinë që do ligjin dhe Kushtetutën, ligjet e ndërgjegjes, Kushtetuta e ndërgjegjes janë supreme në zbatimin e tyre nuk ka forcë në botë që t’i ndalojë ata.

Të tillë jemi ne.

Ne do fitojmë. Rroftë Partia Demokratike, Rroftë Shqipëria!

Mirupafshim!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale