/

Propozimi i Ramës/ Berisha: Argati i Vuçiçit dorëzoi tekstin e shkruar në Beograd, ndërhyrje flagrante në Kosovë!

PRONONCIM PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PARA KUVENDIT

EKSTRAKT

Në një prononcim për media para Kuvendit, Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi sot se drafti i Ramës për Asociacionin është shkruar në Beograd, dhe se ai është detyruar që ta paraqesë atë si argat i Vuçiçit.

Berisha tha se ky akt përbën ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës, në emër të Beogradit dhe është akti më i shëmtuari në historinë e marrëdhënieve të dy vendeve, që nxit dhe nuk qetëson konfliktin.

Lideri demokrat u shpreh gjatë fjalës së tij të mbajtur para mediave se do ta mbështesë gjithmonë Asociacionin si një të drejtë themelore dhe derivat të lirisë.

“Çdo refleksion i kësaj politike të vjetër që lau në gjak Ballkanin është rikthim në skenë i rreziqeve të reja. Ballkani mund, dhe duhet të jetë komunitet i shteteve të barabarta”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTË

Maskat ranë! Argati i Vuçiç në detyrim ekstrem shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Bonjë dhe në Kosovë, njeriut që me politikën e tij etnonacionaliste, politikën e tij të Serbisë së Madhe është faktor i destabilizimit kryesor në Ballkan dhe pas Putinit të Madh, dhe në Europë, Aleksandër Vuçiç.

Sot, Edi Rama në detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Natyrisht, vetëkuptohet që teksti është shkruar në Beograd dhe pastaj rishkruajtur në Tiranë.

Ky akt përbën një shkelje flagrante në punët e brendshme të Kosovës në emër të Beogradit. Përbën një akt më të shëmtuarin në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Përbën një akt i cili nxit dhe nuk qetëson konfliktin. Përbën një akt me të cilin Edi Rama përpiqet gjithashtu të zgjidhë problemin e tij të tmerrshëm me McGonigal, për të cilin në çdo drejtësi të botës vendin e ka në burg, aty ku është McGonigal. Përpiqet të qetësojë, apo të sfumojë problemet  e tmerrshme që ka krijuar me zgjedhjet në vendin e vet.

Duke u bërë thirrje autoriteteve të Kosovës, që në procesin e shtensionimit të situatës, të procedojnë në bashkëpunim me KFOR-in, BE-në dhe SHBA, duke zbatuar atë skedulë për të cilën insiston komuniteti ndërkombëtar.

Nuk do dilja sot për këto probleme, por u detyrova kur pashë vasalin e Vuçiçit në këtë histeri antishqiptare të dalë. Pra, gjykoj se është në detyrën e çdo qeveritari që realitetet t’i marrë parasysh.

Në rast se zgjedhjet u bënë dhe ato prodhuan një produkt të votuar nga vetëm 3, 4 apo 5 përqind të etnisë joserbe, vetëkuptohet që ky nuk mund të pranohet si një produkt i suksesshëm. Ky është një dështim. Pas kësaj, po në mënyrë ligjore përcaktohen hapat që ndërmerren për të pasur rezultatin e suksesshëm.

Dhe këto hapa gjykoj se janë përcaktuar drejt edhe nga autoritetet e Kosovës, edhe nga autoritetet ndërkombëtare, të cilët kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve në një afat kohor sa më shpejt të mundshëm në mënyrë që popullata e atyre komunave të zgjedhë kryetarët që duan.

Mendoj se ky është një hap dhe shteg demokratik, është një masë demokratike, është një përgjigje demokratike që i jepet çështjes. Prandaj në këtë kontekst mendoj se qeveria e Kosovës e ka një detyrim që të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar. Sikundër, duke njohur të drejtën e autoriteteve të Kosovës për të kontrolluar çdo pjesë të territorit, theksoj se realitetet duhet të lexohen siç janë.

Në Kosovë ekziston KFOR-i me ligj ndërkombëtar, me rezolutë të kombeve të bashkuara, me detyrime të caktuara. Dhe unë jam plotësisht i mendimit se, veprimet në zona të nxehta detyrimisht duhet të koordinohet me trupat e KFOR-it të cilat kanë përgjegjësi para Kosovës, por kanë edhe përgjegjësi ndërkombëtare për detyrat që iu janë ngarkuar.

Në këtë kontekst pra, këto janë qendrimet e mia. Përsa i përket Asociacionit, e kam mbështetur, do ta mbështes dhe do e mbështes si një të drejtë themelore, si një derivat themelor i lirisë. Por theksoj se, Asociacioni nuk mund të jetë kurrë jashtë prerogativave kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Çdo Asociacion që del jashtë kësaj kornize, është një rrezik i vërtetë madhor jo vetëm për Kosovën, është rrezik madhor për paqen e stabilitetin në gadishullin e Ballkanit, është një faktor jashtëzakonisht i rrezikshëm i serbomadhnisë, apo i shtrirjes së shtetit serb. Është një dëshmi e një politike, e cila e ka zhytur Ballkanin në luftrat më të egra politike që bazohen në hegjemoninë e Beogradit ndaj vendeve të tjera.

Çdo refleksion i kësaj politike të vjetër që lau në gjak Ballkanin është rikthim në skenë i rreziqeve të reja. Ballkani mund, dhe duhet të jetë komunitet i shteteve të barabarta.

Pyetje: Z.Berisha, atë projekt të Asocacionit që ka prezantuar kryeministri Rama, që ju e cilësuat të shkruar në Beograd gëzon mbështetjen e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, por edhe të SHBA-ve, ju pse e kundërshtoni?

Berisha: Kush ua tha ju këtë? Unë nuk e dëgjova këtë askurrëkund. Por unë të them ty që, ai s’duhet ta bënte kurrë një gjë të tillë, e bën Shqipëria. Ajo që nuk duhet ta bënte kurrë është Shqipëria.

Shqipëria tani ka vetëm këtë qëllim, që të fusë Kosovë midis zjarrit etnonacionalist serb dhe vasalit tij të Tiranës. As Uashingtoni, as Berlini, as Parisi nuk janë pa dijeni. Ata i dinë shumë mirë marrëdhëniet armiqësore, pothuaj të Edi Ramës dhe Kosovës, për shkak të qendrimeve të Edi Ramës ndaj Kosovës, dhe jo ndaj Albin Kurtit.

Është ky kryeministër që ka paditur Ramush Haradinajn, është ky kryeministër që ka ofenduar në mënyrën më cinike Isa Mustafën, është ky kryeministër që u thotë sot shqiptarëve se rrezik për ju është Albin Kurti dhe jo ushtritë e Serbisë.

Pra, unë nuk besoj kurrë që kancelaritë e mëdha të investojnë cdo investim në këtë drejtim. Është një investim që absolutisht vetëm sa thellon ngurtësimin, destabilitetin, dhe Edi Rama ka zero influencë në Kosovë, tek qeveria e Kosovës. Ishte Edi Rama që iu tha shqiptarëve se në Bratislvaë, ndonëse ndenji gjithë ditën me Vuçiçin, por nuk takoi njëherë Presidentin e Kosovës, dhe Kryeministrin e saj. Janë kështu, apo jo? Këto që them janë kështu.

Pyetje: Z.Berisha, siç është situata dramatike në veri të Kosovës, është dramatike dhe në PD. Tashmë pas vendimit të kryesisë së PD zyrtare, a ka pika lidhëse në qoftë se Basha kthehet në PD zyrtare, dhe me PD që drejtoni ju, apo njëherë e mirë të dyja PD tani janë ndarë dhe dhe do të shkojnë në rrugën e tyre?

Berisha: Historia me pengje të Edi Ramës është histori e arkivuar për opozitën dhe për shqiptarët e lirë.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale