/

Thellohet skandali Rama-Bolino/ Berisha: Ose janë pronarë të godinës, ose kanë falsifikuar bilancet. Manipuluan edhe për kredinë! Kontrata nuk ekzistonte pasi u shembën godinat

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vazhduar sot me ‘Gjyqin Publik ndaj Edi Ramës’ duke paraqiture dokumente të bashkëpunimit klientelist të Kryeministrit Edi Rama me pronarin e Report TV, Carlo Bolinon, me qëllim për të përfituar mijëra metra katror truall bashkërisht në zemër të Tiranës, pranë Kompleksit Sportiv Partizani.

DEKLARATA E PLOTË:

Mashtrimi publik Rama-Bolino me dokumentarin Ertv- Raport tv për të mbuluar rrëmbimin e 4900m2 tokë me 4 VKM të personalizuara.

1- Rama Bolino: ‘Shqipëria 1 Euro është nismë e Qeverisë Berisha për të stimuluar investimet e huaja në vend. Procedurat shtjellohen me VKM nr. 54 të qeverisë Rama e vitit 2014 pra 5 vite përpara Report TV’.

Sqarim: Ajo çka kemi deklaruar është se vërtetë kjo është një nisme e hershme e Qeverisë Berisha, por nuk aplikohej për të ndërtuar televizione. Ndryshimi i VKM që përfitohej dhe për investimet në televizione është bërë nga Qeveria Rama pas miratimit fillestar të VKM nr. 54 dhe është bërë në vitin 2015.

Kemi sqaruar dhe ndryshimin e fundit të bërë që i jepet e drejta për privatizim:

Pika 8.4 e VKM nr.54 të qeverisë Rama e vitit 2014 thotë: Në kontratat e qirasë ose të enfiteozës, të lidhura për pasuri ku sipërfaqja e truallit është mbi 500 m2 , në rastet kur shoqëria qiramarrëse ose enfiteozëmarrëse ka kryer investime në përputhje me planbiznesin dhe në masën mbi 150 për qind të vlerës së truallit, si dhe kur shoqëria ka respektuar kushtet e kontratës, subjekteve kontraktuese, që kanë konsumuar mbi 5 vjet të kontratës, u lind e drejta e privatizimit të drejtpërdrejtë të objektit të kontratës, sipas legjislacionit në fuqi.

Pas këtyre ndryshimeve në VKM, Rama-Bolino ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Qeverinë.

2- Rama-Bolino thonë në dokumentarin e tyre të mashtrimit publik se: ‘Ndryshe nga sa shpif Berisha, Report Tv nuk është bërë pronar i asgjëje, por ka nënshkruar vetëm një kontratë qiraje. Në këmbim të qirase simbolike 1 euro, ligji dhe qeveria detyrojnë të punësojë një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe të realizoje një investim të kushtueshëm, pjesa me e madhe e se cilit mbetet pronë shtet.’

Sqarim: Ky është një mashtrimi tjetër i Rama-Bolinos pasi në Bilancet e kompanisë MTSC shpk per vitet 2020-2022 është pasqyruar vlera 265.000.000 leke si Aktive Afatgjata në Proces.

Në bilancin e vitit 2020 specifikohet:

Aktive Materiale

AAGJM në proces

Shuma e situacioneve për ndërtimin e zyrave te reja 45.118.517 lekë

Aktive Materiale

AAGJM ne proces 265.098.730 lekë

Sipas Standardeve Kombëtare te Kontabilitetit në zërin Aktiv regjistrohen:

 Njësia ekonomike ( është kompania, ne këtë rast MTSC) njeh koston e një zëri te AAM-ve (aktive afatgjata materiale) si një aktiv nëse dhe vetëm nëse:

a- Aktivi kontrollohet nga njësia ekonomike.

b- Është e mundur që nga përdorimi i aktivit do të hyjnë në njësinë ekonomike përfitime të ardhshme ekonomike.

c- Kostoja e aktivit mund të matet me besueshmëri.

Regjistrimi fillestar i Arkivit Afagjatë të Materialeve (AAM) bëhet zakonisht në momentin e përfitimit të tij nga blerja apo prodhimi.

Pra standardet e kontabilitetit janë fare të qarta se çfarë regjistrohet si aktiv i kompanisë, dhe duhet të plotësohen 3 kriteret e sipërcituara.

Nëse Rama-Bolino e kanë të qartë që nuk janë pronarë të godinës i bie se ata kanë falsifikuar bilancet e deklaruara në Administratën Tatimore për 3 vite radhas, e kjo është një tjetër vepër penale që i bashkëngjitet veprave te tjera.

3- Rama- Bolino në dokumentarin e tyre të mashtrimit publik thonë se: ‘Berisha e ka etiketuar si skandal te madh faktin që pas firmës së kontratës për të marrë me qira një godine të vjetër për të cilën ishte përcaktuar si detyrim rikonstruksioni total, godina u prish dhe u rindërtua. Ajo që Berisha nuk tregon është se në 26.11.2019 tërmeti e dëmtoi në mënyrë fatale strukturën e godinës…(vazhdon) godina u rrezua përpara se t’ia merrja në dorëzim… (vazhdon) Instituti i Ndërtimit urdhëroi prishjen e objektit për arsye sigurie… Duke qenë se ishte pronë e Shtetit për ta shembur duhej një VKM pse kështu e përcakton ligji…( vazhdon) Prishja u krye totalisht me shpenzimet e Report Tv… (vazhdon) ja pse fjala ‘rikonstruksion total’ edhe në kontrate u ndryshua me fjalën ‘Rindërtim jo më pak se sipërfaqja e godinës ekzistuese’ … dhe në fund të kontratës duhet t’ia kthejë Shtetit ose duhet t’ia shpërblejë centimetër për centimetër’.

Sqarim: Në këtë sqarim të gjatë Rama-Bolino sërish gënjejnë dhe akuzojnë veten e tyre. E para leja e ndërtimit është miratuar në datën 13.01.2020, vetëm 48 dite pas tërmetit të datës 26.11.2019, pra të gjitha strukturat Shtetërore ishin në dispozicion të këtij biznesi për të kryer të gjitha procedurat e vlerësimit të dëmit, shpalljes së godinës nga Instituti i Ndërtimit si DS5, bërja e projektit nga arkitektet (pasi ndryshoi plani i biznesit), vlerësimi nga Ministria e Financave ( si pronar i godinave dhe jo godinës se ishin 3 ) dhe në fund miratimit të lejes, të gjitha këto në 48 ditë, kohë rekord kur vendi ishte në emergjencë pasi ende sot kush u prek nga tërmeti jeton në çadër.

Vet Rama-Bolino thonë se duhet te ia kthej shtetit ose te i blejnë. Pra gjithë seria e shkeljeve ai ka patur qellim blerjen e pronës.

Rama-Bolino thonë që tërmeti detyroi të bëheshin procedurat ligjore me një VKM për prishjen e godinave, por e vërteta qëndron ndryshe, pasi qeveria pas tërmetit bëri këto hapa:

a- Miratoi lejen e ndërtimit në 13.01.2020

b- Miratoi VKM NR. 157 date 19.02.2020’ PER DHENIEN E MIRATIMIT PER NJE SHTESE NE KONTRATEN E QIRASE ME TARIFEN 1 EURO/KONTRATA, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.642, DATE 02.10.2019, duke i dhënë katin e dytë të njërës prej godinave (ndërkohë që ishin të prishura nga tërmeti).

c- Miraton VKM Nr. 368 , datë 6.5.2020’ PER SHEMBJEN E TRE OBJEKTEVE TE DHENA ME QERA ME KONTRATEN E QIRASE NR. 2604 REP, NR. 727 KOL, DATE 14.10.2019

Pra pas tërmetit që i bëri gjëmën Ramës dhe Bolinos qeveria fillimisht u kujdes ti miratonte lejen e ndërtimit për një godinë të re dhe për ti dhënë një shtese kontrate për 872 m2.

Ajo që Rama-Bolino fsheh është se në momentin që ato godina u prishën nuk ekzistonte me qëllimi i Kontratës i cili thotë shprehimisht:

Neni 2

Qëllimi i përdorimit

Qëllimi i kësaj kontrate ëshutë dhënia në gëzim të përkohshem i objektit të përcaktuar në nenin 1, për rikonstruksionin total të sipërfaqes ndërtimore (godinës), duke e kthyer me parametrat teknike të një televizioni bashkëkohor, dhe ambiente pune të përshtatshme dhe cilësore.

Për të mbuluar këtë paligjshmëri sot Rama-Bolino na sqarojnë dmth na mashtrojnë se është ndryshuar dhe objekti i kontratës nga ‘RIKONSTRUKSION TOTAL’ në ‘RINDERTIM JO ME PAK SE SIPERFAQJA E GODINES EGZISTUESE’ duke publikuar dhe një foto të kësaj pike në kontratë.

Nëse kjo foto do të ishte reale atëhere kemi te bëjmë me një falsifikim të kontratës pasi në VKM e fundit që Rama u kujdes të bente për pronën e tij me Bolinon në datë 22.07.2020 u vendos se:

VKM 589 datë 22.07.2020

Miratim për ndryshim kontrate qiraje.

Ndryshohet neni 2 i kontratës ‘Qëllimi i Përdorimit’ dhe pika 5.7 e nenit 5 ‘Te drejtat dhe detyrimet e qiramarrësit’, fjalët ‘rikonstruksion total’ zëvendësohen me ‘rikonstruksionin minimalisht të totalit’.

Pra trillimi i Rama-Bolinos në dokumentarin Ertv-Rëport Tv me rindërtim nuk ekziston në asnjë akt ligjor, dhe VKM përfundimtare e korrikut flet për RIKONTRUKSION MINIMALISHT I TOTALIT term qesharak për të mbuluar vjedhjen që po bënin, por aspak ligjor.

Ditën që u shemben ato godina objekti i kontratës nuk ekzistonte më dhe kontrata është NUL, e për rrjedhore Anila Denaj duhej të rihapte procedurën.

Sa për shpenzimet qe deklarojnë se kane mbuluar për shembjen e godinave do ishte mire te bënin publike faturën dhe pagesën ne banke qe kane kryer pranë INCENERATORIT TE TIRANES PER MBETJET INERTE pasi ne nuk na rezulton nje e tille.

4- Rama-Bolino ne dokumentarin e tyre te mashtrimit publik thonë se: ‘Godina është Financuar 100% nga Report TV duke kërkuar dhe një kredi bankare është thjesht qesharake shpikja e fundit e Berishës dhe hetuesisë se tij te gjyqeve politike, pretendime sipas te cilës godina shtetërore është vendosur si kolateral te kredia pasi nuk ka bankë në botë që mund të pranoje si kolateral një godinë ndërkohë që qiramarrësi nuk ka certifikatën e pronësisë’.

Sqarim: Marrëveshja me Banken përcakton fare qartë:

I. Qëllimi dhe Objekti i Marrëveshjes

1. Kjo marrëveshje shërben si mjet sigurimi për te garantuar Bankën për shlyerjen e kredisë dhe te gjitha detyrimeve te parashikuara ne Kontratën e Kredisë date 31.12.2020, e lidhur midis bankës dhe kredimarrësit MTSC shpk.

2. Sipas afateve dhe kushteve te kësaj Marrëveshjeje dhe ne përputhje me Ligjin 8537 ‘Për barrët siguruese’, barrëdënësi vendos barrë siguruese të radhës së parë në favor tëe Bankës mbi kolateralin e përshkruar me poshtë:

b- MBI TE GJITHA PASURITE/ASETET E SHOQERISE KREDIMARRESE, DUKE PERFSHIRE ASETET E TASHME DHE TE ARDHME TE SHOQERISE MTSC shpk.

Ashtu si e sqaruam dhe ne pikat me sipër kompania MTSC e ka regjistruar investimin ne zërin AKTIVE AFATGJATA MATERIALE, e për pasoje banka është pronari i ati aktivi deri ne ditën e shlyerjes se kredisë.

Kontrata e firmosur mes Ministrisë se Financave dhe Ekonomisë dhe subjektit MTSC shpk e ndalon KATEGORIKISHT që aseti të vihej si kolateral:

5.18 ‘Qiramarrësi’ në asnjë rast nuk mund ta rëndojë me barrë, pronën objekt kontrate.

PYETJE-PËRGJIGJE

Osman Stafa, News 24: Dita e nesërme është një ditë e rëndësishme e jetës parlamentare duke qenë se në Kuvend do ta kalojë nen për nen dhe pritet të votohet projektbuxheti për vitin 2024. Ndërkohë që kemi parë që është i vetmi projektbuxhet shqiptar që nuk ka shkuar te qytetarët, pra cilat janë financat, si do shkojnë lekët e qeverisë te njerëzit, kur do shkojnë dhe kjo ka ndikuar edhe nga protesta që ju po bëni për të bllokuar jetën parlamentare si pasojë e bllokimit të tre komisioneve hetimore parlamentare. Seanca e ditës ë nesërme, z. Berisha do të jetë një seancë që ne kemi parë deri më tani, pra deputetët e opozitës ndezin flakadanë tymuese për të penguar?

Sali Berisha: Nuk jemi ne në mënyrë absolute që kemi penguar diskutimin e buxhetit me qytetarët, me grupet e interesit. Përkundrazi, në respekt të qytetarëve dhe grupeve të interesit ne kemi organizuar me specialistët më të mirë të vendit 3 debate televizive ku ekspertët tanë kanë shprehur të gjitha sugjerimet, mendimet për buxhetin. Por për herë të parë që narkodeputetët e Edi Ramës dolën nga selia ata u sulën me një tavë bakllavaje përpara në një klub. Dhe e justifikuan këtë se buxheti simbolizon bollëkun njëlloj si bakllavaja u shijonte atyre.

Pra, konsulta e tyre, përçmimi i tyre ndaj qytetarëve se ne nuk ndërprisnim kurrë një debat të zgjeruar me qytetarët. Por nuk mund të shkonte Edi Rama tek qytetarët. Se po të shkonte te qytetari, qytetarët i hidheshin në fyt atij për 400 milionë euro që destion në mënyrën më kriminale, më të papërgjegjshme në drejtim të Porto Romanos , për të plaçkitur 1.4 milionë m2 tokë publike në Portin e Durrësit, dhe për të ndërtuar 12 mijë apartamente, 5-6 hotele me 5 yje, kazino. Pra, ai nuk mund të shkonte. Nuk e penguam ne këtë. Ne nuk penguam. Ai vetë zgjodhi mbylljen, zgjodhi Zoom-in, dhe zgjodhi votimin në 5 minuta. Kështu që, çfarë do bëjmë ne? Ne do bëjmë atë që kemi bërë. Ne do bëjmë detyrën tonë. Mosbindja civile është kryefjala e betejës pa kthim të opozitës në parlament. Këtë kemi ne. Vazhdojmë betejën pa kthim.

Anisa Kadesha, TVSH: Z.Berisha, a ishte sot opozita në një garë protagonizmi për çështjen e marrëveshjes me Italinë, për shkak se sot në Gjykatën Kushtetuese u depozituan 2 padi, nga ju dhe nga mbështetësit e Lulzim Bashës?

Sali Berisha: Nuk ka tallje më të madhe se të konsiderosh Bravën opozitë. Prandaj nuk duhet që të përdorim terma që nuk qëndrojnë, nuk duhet. Nuk është opozitë. Është vegël, bën çfarë i thonë, kaq. Ai mendon se mund të zhurmojë në këtë mënyrë, ai zbaton porositë e Taulant Ballës. Kaq. Se edhe Rama tani nuk ia var shumë se ka ngaruar Taulantin me të.

Unë ju falënderoj ju dhe gjyqi publik nga Edi Ramës do vazhdojë gjithnjë me dokumente. Po përgatiten. Do ju njoh ju me pasojat shkatërrimtare të përdorimit të pushtetit nga Edi Rama në shumë aspekte. Kështu që, duhet të jemi të përgatitur për seanca tjera, të cilat ndërpriten vetëm kur në Shqipëri të ketë një drejtësi vërtet ta paanshme. Një drejtësi që të guxojë, të zbatojë ligjin dhe jo një drejtësi që shkruan një lloj drejtësie nga prokurorë dhe gjykatës që si laro të vërtetë ekzekutojnë si xhelatë ligje dhe Kushtetutën në zyrën dhe në tavolinat e tyre, duke i marrë pushtetin parlamentit. Duke fshehur dhe manipuluar qindra e mijëra dokumente. Duke fshehur krimet e tyre, siç bën Millonai, Kraja, apo famozja që fshihet prapa krimit që çdo gjë në botë mund të jetë, vetëm gjykatëse nuk mund të jetë. Ne përgatisim dosjet, dhe unë kam bindje më të plotë se drejtësia vonon, por nuk harron.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale