/

Tryeza për buxhetin/ Berisha: Historia e buxhetit është vjedhje dhe vetëm vjedhje. Bujqësia sektori i harruar, vjedhjet në infrastrukturë dhe në energji janë stratosferike

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i pranishëm në diskutimet për buxhetin e vitit 2024, është shprehur se historia e buxhetit është vetëm vjedhje.

Duke folur për bujqësinë dhe Shqipërinë rurale, kryetari i PD-së, u shpreh se ky është sektori më i harruar dhe i lënë pas dore.

‘Nëse ka një sektor të cilin kjo qeveri e ka shpallur prej vitesh armik, është sektori i bujqësisë dhe Shqipëria rurale’, tha gjatë fjalës së tij, kryedemokrati, Sali Berisha.

Teksa foli edhe për sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, Berisha u shpreh se, në këto fusha vjedhjet janë stratosferike, pasi çmimet e punimeve janë deri në 10 herë më të larta se ato që janë në manualet e ndërtimit.

FJALA E PLOTE:

Ju përshëndes përzemërsisht dhe falënderoj organizimin e këtij takimi lidhur me buxhetin në këto fusha shumë të rëndësishme të jetës së vendit.

Dua të them në krye të radhës se këto fusha janë dhe fushat e abuzimeve më të paimagjinueshme me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Të lexosh buxhetin për bujqësinë dhe Shqipërinë rurale, shumë nga ju keni fatin e mirë të mos e keni lexuar, por ata që e lexonin, që kujtojnë planet 5 vjeçare të regjimit diktatorial mendojnë se janë duke lexuar një dokument të atij karakteri.

Një dokument që natyrisht në diktaturë kishte domethënien e vet, kurse sot ai është një përqeshje, tallje, cinizëm ndaj jetës, punës, të mbi 40% të shqiptarëve.

Ky sektor i cili ka specialistë të mrekullueshëm, të përkushtuar, të aftë, që e njohin mirë atë, kanë vendosur në krye një person, e cila flet sikur vjen nga Marsi.

Flet sikur nuk ka asnjë lidhje me atë sektor apo me këtë vend, shpall shifra dhe përqindje që turpërojnë çdo njeri dhe në fakt me të gjitha mbulon një mashtrim të madh, ndaj këtij sektori jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Nëse ka një sektor të cilin kjo qeveri e ka shpallur prej vitesh armik, është sektori i bujqësisë dhe Shqipëria rurale.

Po të studioni sistemin fiskal, nuk e gjen mbi tokë një sistem të tillë ndëshkues për prodhuesin siç është sistemi aktual.

Por po të dëgjosh ministren e re që thotë, se Shqipëria është me 6 mln lopë, tani e kuptoni vetë ju se ca lidhje ka kjo me fshatin dhe Shqipërinë.

Ky pohim i saj është skandaloz dhe lexohet në çdo paragraf të buxhetit që kanë paraqitur për fermerët. Në të gjithë statistikën e përqindjeve në tërësi nuk ndalet në vitin 2024, por flitet për vitin 2025-2026, mbasi gjithçka është falsitet dhe duhet të rreshtojnë përqindje, shifra se si e ti të mbulojnë injorimin e plotë të këtij sektori të një rëndësie shumë të madhe, për jetën e 40% të popullatës, por edhe për ekonominë e vendit në tërësi.

I gjithë qëndrimi i qeverisë aktuale ndaj këtij sektori përbën një piramidë të vërtetë mashtrimesh dhe falsifikimesh dhe në fund reduktohet në një shifër dhjetëra milionë euro, e cila në shumicë përfundon në xhepat e qeveritarëve hajdutë.

Në rast se ndaleni te infrastruktura nuk ekziston një sektor tjetër në Shqipëri, Europë dhe botë ku vidhen paratë e taksapaguesve si në rrugët e Shqipërisë. Tashmë është e faktuar se çmimi i rrugëve në Shqipëri është të paktën 10 herë më i madh se sa çmimi që del nga manualet e tyre.

Edi Rama ka sjellë në infrastrukturë një metodë të cilën ai e përdorte gjatë viteve si kryetar bashkie, për të vjelë gjoba.

Cila ishte metoda?

Ndërtuesi që ndërtonte pallatin, ta zëmë me 4 hyrje, merrte lejë për vetëm 2 hyrje. Për dy të tjerat do të merrte leje tjetër se duhej të paguante ryshfetin tjetër.

Çfarë ndodh tani? Ndodh ndarja në lote, me të cilën çmimi i ndërtimit të unazës në Tiranë shkon 50% më shumë se çmimi i ndërtimit të tunelit të Kalimashit, i cili kushtoi sepse siç e dini pati dhe problemin e vet.

Me gjithë problemin që pati, çmimi që paguajnë qytetarët e Tiranës për të ndërtuar unazën kudo në fushë ishte mbi 50% më shumë se çmimi që u pagua, nuk po them për Kërrabën se është edhe akoma më i lirë, por çmimi i ndërtimit të Tunelit të Kalimashit për kilometër.

Rruga e Arbrit shkon 11 mln në një kohë kur një autostradë në Kroaci, 27 metra e gjerë, ndërtohet me 2.8 mln euro.

Rruga e Arbrit shkon 11 mln euro kur një autostradë e përmasave më të mëdha me të gjitha veprat e artit, 27-28 metra e gjerë, ndërtohet në SHBA me 12 mln euro.

Rruga Kardhiq-Delvinë, përfundon pjesa e pambaruar sepse një pjesë e madhe u mbarua para vitit 2013, nga 70 mln euro shkon në 240 mln euro.

Rruga që nuk përfundon ndonjëherë Qukës-Qafë Plloçë. A mund të imagjinoni ju që rrugës ja ndryshojnë projektin vetëm e vetëm që lotet të mos përputhen me njëri-tjetrin.

Dhe ka në mënyrën më kriminale dy mospërputhje të mëdha.

Se do të zgjatet dhe sa më shumë të zgjatet aq më shumë vidhet.

Ky është buxheti.

Po të kaloni në fushën e energjisë, vjedhjet janë edhe aty stratosferike.

Sektori privat sot prodhon 48% të energjisë së vendit, falë asaj strategjie që u ndoq për shfrytëzimin e ujërave.

Ndërtimi i kaskadave dhe i HEC-eve në zona të ndryshme mbulon sot 48% të nevojave.

E gjithë vjedhja përsëri bëhet me kaskadën e Drinit.

Në vend që ajo të shërbejë si një rregullator absolut i çmimeve të energjisë në vend, ajo është shndërruar në një lubi, me të cilin qeveria e qeveritarët, Rama-Balluku, etj., vjedhin duke e zbrazur atë dhe duke importuar në kohë kur çmimet janë maksimale, vjedhin me qindra milionë euro.

Ky sektor që nuk asnjë përmirësim ka gllabëruar në këto vite 1.1 miliardë euro investime.

Vetëkuptohet njëlloj si në fushat e tjera, 80-90% të tyre të vjedhura.

Historia e buxhetit është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.

Faleminderit!

FJALA MBYLLESE

Në diskutimet tuaja del qartë drama e tmerrshme në të cilën kalon sot Shqipëria.

Ne, jemi një popull që kemi përjetuar eksperimente, edhe të tjerët kanë përjetuar, por ne në shkallën më ekstreme në kuptimin e monizmit ekstrem.

Mirëpo ajo që theksoi zoti Kaprata ka një domethënie të jashtëzakonshme, kur kryeministri pasi ka përqendruar çdo gjë, merr të firmosë edhe lejet e ndërtimit, të cilat në çdo kod të botës janë atribute të qeverive vendore- dhe e vërteta është, meqenëse zoti Kaprata përmendi diktaturën, në shumë raste ato nuk ishin të komunitetit ekzekutiv, por të lokalitetit- kurse këtu një njeri që do të kontrollojë çdo gjë, dhe kjo nuk ndodh vetëm me kullat, jo, kjo ndodh absolutisht edhe me banesat dy dhe trekatëshe.

Mirëpo kur një njeri përqendron çdo gjë në duart e tij, dhe për hir të së vërtetës ky njeri vjedh me firmën e tij nga mëngjesi gjer në darkë, atëherë është ligj në doktrinën e korrupsionit se korrupsioni shndërrohet në sistem.

Atë e ndjekin vartësit me radhë. Kjo që ju paraqitët këtu, kjo është dëshmi e një sistemi të tmerrshëm korrupsioni që është vendosur këtu.

Imagjinoni për një moment, dy miliard euro në pllaka guri, të gjitha të nxjerra diku në Berat, diku në Skrapar, diku në Dibër, të cilat në mënyrë absolute në të gjitha variantet nuk mund të kushtonin më shumë se 200 milionë.

Në Shqipëri është vendosur një raport ku 80 ose 90 përqind e asaj që shpallet investim, vidhet. Shembull klasik janë djegësat.

Janë tre djegësa gjer sot, të shpenzuara 180 milionë euro, asnjëri nuk funksion dhe ai që herë funksionon, herë jo, ka kushtuar 11 milionë euro. I Tiranës nuk ekziston, por ka marrë 130 milionë deri tani.

Nyja te ‘Shqiponja’ ka kushtuar 27 milionë euro kilometri. Ka kushtuar një kilometër sa dy kilometra të tunelit të Kërrabës.

A mund të imagjinoni? Dhe meqenëse folëm për rrugët, duhet të dini një gjë, që këto rrugë janë një ndëshkim për shqiptarët, jo vetëm me kostot, po e po, se të ndërtosh rrugë me 10-fishin e çmimit, është krim i shëmtuar.

Por ka një problem tjetër po kaq të rëndë, koha e ndërtimit. Nëse ti, rrugën që duhet ta ndërtosh në dy vite, e zgjat në 12 vite, i humb çdo shans të leverdisshmërisë së saj. Të përfitimit prej saj, përkundrazi.

Rruga, kur është fizibël, fitohet 1 me 4. 1 dollarë investim, 4 fitim. Por me kusht kohën. Ka filluar rruga Qukës-Qafë Pllocë në vitin 2011, janë bërë 12 vite dhe rruga nuk përfundon.

Ka filluar Rruga e Arbrit, në vitin 2013 kemi lënë të përfunduara 32 kilometra, kemi lënë të papërfunduara 27 kilometra dhe sot ajo vazhdon.

Pra, jo vetëm që njëra anë është e tmerrshme, vjedhja që bëjnë. Por nga ana tjetër, zgjatja e tyre është një barrë shumë e rëndë për ekonominë.

Dhe kjo është në çdo sektor. Kjo është kudo.

Aspekti më dramatik i këtij megakorrupsioni, këtij megavjedhje, qëndron në pandëshkueshmërinë. Edi Rama që firmos edhe lejen e ndërtimit të një banese, dy kate apo tre kate, Edi Rama ka vendosur një kontroll total mbi drejtësinë dhe e përdor atë vetëm kundër personave të caktuar midis tyre, nga të cilët do të çlirohet.

Dhe ajo që është më e rënda, se përpiqet publikisht të gjithë përgjegjësinë ta shkarkojë.

Ky është njeriu që nuk mban asnjë lloj përgjegjësie.

E thamë, përdorimin e tokës për ndërtim. Një nga njerëzit që ka shkelur në mënyrën më thelbësore ligjin, është vetë ai.

Ajo pronë prej 5 mijë metrash është marrë në kundërshtim me ligjin. Me dokumente.

Por për të, ligji nuk ekziston, ligji është për të tjerët, për veten e tij ai ka kompetenca të tjera.

Pa diskutim që sugjerimet tuaja jashtëzakonisht të çmuara, do të jenë dhe do shndërrohen në pjesë thelbësore të alternativës tonë në të gjitha fushat, në infrastrukturë, bujqësi, energji, sport.

Harrove të thuash, i vetmi fakt dhe që i dha sukses ekipit është se nuk e pushtoi dot me Olsi Ramën. Se nëse do pushtonte federatën me Olsi Ramën, nuk do kishim futboll, por narkofutboll.

E thatë bukur që duhet të protestojmë. Dhe ajo që po bëjmë në parlament, kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe të gjithë shqiptarëve. Ajo është betejë kundër grushtit të shtetit. Në mënyrë absolute, Edi Rama ka kryer grusht shteti brenda shtetit.

Sot kemi për herë të parë në 32 vite një qeveri moniste të një partie të vetme.

Pastaj kemi një drejtësi të vendosur e tëra në kontrollin e Edi Ramës.

Dhe tani, ajo që kishte mbetur, kishte mbetur një grup parlamentar me kompetenca kushtetuese, por të rëndësishme. E drejta kushtetuese e deputetëve për të krijuar komisione parlamentare, në kushtet e sotme, është rruga e vetme për qytetarët për të ushtruar sovranitetin e tyre.

Sovraniteti i brendshëm i një vendi është fuqia e një populli për të kontrolluar pushtetin e qeverisë. Ky nuk ushtrohet sot në asnjë lloj forme.

Përpiquni ju, merrni 200 mijë firma për referendum. Nuk bëhet dot asnjë referendum sepse ka kontroll të plotë mbi Gjykatën Kushtetuese.

Parlamentarëve u jep Kushtetuta të drejtën e vetos. Kur bëhen një e katërta, ata mund të kontrollojnë qeverinë. Dhe këtë ai e bllokon.

Nuk ka asgjë më të rëndësishme se aty ku lind padrejtësia, të protestohet.

Sot jemi në diktaturë. Diktatura nuk është gjë tjetër veçse përqendrim i të gjitha pushteteve në një dorë. Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur një përqendrim kaq ekstrem në një dorë të pushteteve.

Ndaj dhe e thotë Heminguej diku, detyra e shkrimtarit është të luftojë me penë dhe pushkë. Unë nuk them të luftojmë me pushkë. Por luftohet me mosbindje civile, kjo është rruga e vetme.

Mosbindja civile është faktuar si rruga më e suksesshme për përmbysjen e diktaturave.

Edi Rama nuk largohet me votë, Edi Rama largohet vetëm me mosbindje civile.

Ndaj është në detyrimin tonë më madhor si intelektualë, që në natyrën tonë duhet të jemi avoketër të pamposhtur të interesit publik, duhet të bëjmë gjithçka të ngrihemi kundër këtij regjimi, të nxisim kudo revoltën, të nxisim kudo mosbindjen civile.

Sepse do mblidhemi prapë për buxhetin e vitit 2025. Është lule ky se si do jetë ai mbrapa.

Ndaj ju falënderoj shumë për ndërhyrjet tuaja shumë të dobishme dhe ju garantoj se do jenë elementë thelbësorë të programit që ju do hartoni dhe janë përgjigjia më e mirë për problemet me të cilat përballet çdo sektor.

Ndaj ju ftoj që të bëjmë gjithçka aty ku jemi, të nxisim revoltën, të nxisim mosbindjen civile.

Vetëm revolta dhe mosbindja civile janë kushti i të gjitha kushteve për të adresuar problemet jashtëzakonisht të rëndësishme që shtruat në këtë takim.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale